Financat nuk lëvrojnë fondet, spitalet kërkojnë autonomi
Ministri i Shëndetësisë, Vasili, dhe drejtoresha e ISKSH-së, Hana, kërkojnë autonomi të plotë të spitaleve. Kështu do të mbahet përgjegjësi për mangësitë
Mungesë e dorashkave, garzave dhe detergjenteve. Janë këto disa nga mangësitë më elementare që kanë pushtuar spitalet e vendit. Të ndodhur përballë mangësive të theksuara në spitale, autoritet shëndetësore kërkojnë autonomi të plotë të spitaleve dhe jo të pjesshme, pasi Ministria e Financave vazhdon të mbajë nën kontroll fondet e spitaleve, duke sjellë edhe furnizimin me vonesë me barna dhe materiale mjekësore. Në analizën vjetore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se autonomia e spitaleve do të evidentonte edhe përgjegjësit e vërtetë të mangësive në spitale. Ndërsa drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, theksoi se arritjen e autonomisë së plotë të spitaleve do ta kenë prioritetin kryesor.
Autonomia
Ministria e Financave vazhdon të mbajë nën kontroll fondet e spitaleve. Madje, ndonëse jemi në mesin e muajit të dytë të vitit për disa spitale ende nuk janë lëvruar fondet nga financat, duke krijuar vështirësi deri në furnizimin me dorashka, garza apo dhe detergjente. Të ndodhur përball kësaj situate, autoritet shëndetësore kërkojnë autonomi në mënyrë që qytetarët të mos kenë mungesa në medikamente apo elemente të tjerë në funksion të një shërbimi sa më të mirë ndaj pacienteve. Madje, autonomia, sipas ministrit, do të rrisë edhe më shumë shkallën e përgjegjësisë. "Realizimi i kësaj autonomie do të thotë gjithnjë e më shumë shkuarja e përgjegjësisë atje ku ndihma ofrohet, atje ku procesi zhvillohet, autonomia ka të bëjë dhe më fokusimin e nivelit të përgjegjësive dhe për të parë atë që nuk shkon mirë. Sa më vonë që autonomia të mos realizohet aq më vështirë do të jetë që të identifikojmë përgjegjësit", - pohoi ministri Vasili.
Menaxhimi
Shërbimi parësor ka, tashmë, autonomi të plotë dhe gjatë analizës vjetore të ISKSH-së janë theksuar arritje, si për sa i përket menaxhimit ashtu edhe shërbimit ndaj qytetarëve, por sa i takon spitaleve, sipas Elvana Hanës, nuk ndodh kështu. "Ne kemi pasur shumë vonesa dhe probleme me sistemin aktual në përdorimin e fondeve dhe është prioritet që t'i kalojmë këto fonde të menaxhohen nga spitalet", pohon Elvana Hana, duke shtuar se në këtë mënyrë përgjegjësia që do të ndjejnë ata do të jetë më e madhe dhe kontrollet që do të zhvillojë ISKSH-ja dhe Ministria e Shëndetësisë për monitorimin e këtyre fondeve do të jetë shumë më i madh. Ndërkohë, ajo theksoi se reforma e ndërmarrë në sistemin shëndetësor synon futjen në skemën e sigurimeve shëndetësore të spitaleve dhe të rreth 80 % të popullatës, çka do të thotë se më shumë kategori do të përfitojnë barna dhe ekzaminime që janë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Eglantina Bardhi