BE: Asnjë mbështetje ekonomike Greqisë, vetëm politike
Asnjë mbështetje ekonomike nuk do të marrë Greqia nga Bashkimi Evropian për të tejkaluar krizën ekonomike, por vetëm mbështetje morale. Ky ishte përfundimi i diskutimit të djeshëm të kryetarëve të qeverive dhe të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi dhe ndihmat për të.
Greqia, e zhytur thellë në borxhe, nuk mund të presë njëherë përnjëherë ndihma financiare nga BE-ja, por mbështetje politike. Ky qe vendimi që u mor në një samit të jashtëzakonshëm të vendeve anëtare të BE-së në Bruksel. Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy, tha se Athina nuk ka kërkuar mbështetje financiare, por Bashkimi Evropian nuk mund ta lërë Greqinë vetëm me problemet e saj, sepse rreziqet për euron janë të mëdha.
Mbështetje politike, jo ekonomike
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, prezantoi në takim masat shtesë të planifikuara nga qeveria e tij, për të shmangur me forcat e veta falimentimin e shtetit.
BE-ja dhe Komisioni Evropian i mbështesin plotësisht këta objektiva ambiciozë, tha Van Rompuy: "Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e qeverisë greke dhe angazhimin e saj për të bërë ç'është e mundur, përfshirë edhe zbatimin e masave shtesë, për të siguruar arritjen e objektivave ambiciozë të programit të stabilitetit për vitin 2010 dhe vitet në vazhdim.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë greke të zbatojë të gjitha këto masa në mënyrë rigoroze dhe të vendosur, për të reduktuar me efektivitet deficitin buxhetor në masën 4% brenda vitit 2010. Vlerësimi i parë për zbatimin e masave do të bëhet në mars. Vendet anëtare të Eurozonës do të ndërmarrin veprime të vendosura dhe të bashkërenduara për të ruajtur stabilitetin financiar në Eurozonë".
Rregullat e Eurozonës e përjashtojnë mundësinë e ndihmave të drejtpërdrejta financiare për një vend, i cili ndodhet në vështirësi buxhetore. Dhe kjo, nga një arsye e mirë: përmes këtij rregulli duhet të pengohet që dikush të shpenzojë përtej mundësive të tij, duke qenë i sigurt se të tjerët do të ndërhyjnë.
Pjesëmarrja në grevën greke
Në Greqi, ndërkohë, të mërkurën punonjësit e sektorit publik zhvilluan një grevë kombëtare ndaj planeve të qeverisë për shkurtime, duke shkaktuar ndërprerje të mëdha të punës në sektorin publik.
Në grevë morën pjesë rreth gjysmë milioni punonjës të sektorit publik, por në kryeqytetin e vendit demonstruan më pak se dhjetë mijë vetë.
Korrespondenti i BBC-së në Athinë thotë se pjesëmarrja e ulët interpretohet si një tregues se punonjësit e sektorit shtetëror e pranojnë se shkurtimet janë të domosdoshme.
Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, ka thënë se shpresonte për një përkrahje të rëndësishme politike nga udhëheqësit e BE-së në Bruksel.
DW/BBC & staf