Bode: 5 për qind shkurtim të shpenzimeve të buxhetit 2010
Shpenzimet e buxhetit të shtetit të vitit 2010 do të shkurtohen me 25 miliard lekë ose me 5 për qind të totalit të tyre. Sipas ministrit të Financave Ridvan Bode ky hap që do të materializohet së shpejti është ndërmarrë për të garantuar stabilitet makroekonomik në vend.
"Kjo tashmë është miratuar në komitetin e planifikimit
strategjik dhe është bërë pjesë e vendimit të qeverisë për të mundësuar
shkurtimin e shpenzimeve prej rreth 25 miliardë lekësh të ndara sipas
ministrive të linjës dhe që reflekton nevojën për tiu rikthyer treguesve
më të rëndësishëm makronekonomik, uljen e mëtejshme të deficitit
vjetor, uljen e mëtejshme të borxhit publik dhe shërbimin e tij në
kushte sa më pozitive. Kjo prerje prej rreth 5 për qind e nivelit të
shpenzimeve nuk do të prekë zhvillimin e programeve kryesore të
deklaruara nga ana e qeverisë që kanë të bëjnë me rritjen e pagave dhe
pensioneve dhe nuk do të prekë aspak programet e investimeve të veprave
madhore që janë tashmë në proces", tha Ridvan Bode, ministër i
Financave.
Kreu i dikasterit të Financave ka deklaruar gjithashtu
se një amnisti e plotë fiskale është e domosdoshme për kushtet në të
cilën ndodhet ekonomia dhe sistemi fiskal i vendit.
"Mendimi im
si ministër i Financave është që është e nevojshme, për të relaksuar
biznesin dhe për ti dhënë një impuls të ri zhvillimit të investimeve dhe
të aktiviteteve ekonomike përmes një amnistie e cila duhet të jetë
kryesisht dhe në funksion të biznesit, dhe aspak për vepra kriminale apo
probleme të tjera që lidhen me korrupsionin e administratës", vijoi
Bode.
Deklarimet e tij ministri i Financave i ka bërë në një
konferencë për shtyp ku ka publikuar shifrat përfundimtare të realizimit
të buxhetit të vitit 2009. Sipas këtyre shifrave ritmet e ekonomisë në
vitin e kaluar ranë ndjeshëm.
Adi Darsi