E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH tkurr strukturën, nga 10, vetëm 4 drejtori rajonale

Tkurren drejtoritë rajonale të Sistemit të Shpërndarjes dhe bashkë me to edhe numri i punonjësve. OSSH-ja e privatizuar tashmë nga kompania çeke CEZ, ka vendosur të ristrukturojë strukturën në gjithë vendin, duke zvogëluar ndjeshëm numrin e drejtorive, nga 10 në 4 gjithsej. Ky strukturim pa dyshim që do të reduktojë dhe numrin e punonjësve që kanë punuar në këto drejtori rajonale që kanë qenë 10. Por në këtë pikë OSSH është e vendosur të jetë korrekte me ata punonjës që gëzojnë dhe një opinion të mirë dhe janë korrektë ndaj komunitetit me të cilin punojnë. Ky ristrukturim pritet të nisë në mars. OSSH në kuadër të transformimit dhe ristrukturimit të kompanisë ka vendosur të zvogëlojë dhe të riorganizojë drejtoritë e shpërndarjes nga dhjetë në katër: Drejtoria Rajonale Veriore e Shpërndarjes; Drejtoria Rajonale Qendrore e Shpërndarjes; Drejtoria Rajonale Juglindore e Shpërndarjes dhe Drejtoria Rajonale Jugperëndimore e Shpërndarjes. Bazuar mbi këtë plan, drejtoritë rajonale të shpërndarjes do të vendosen në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Veç kësaj, nga pesë drejtori të tensionit të lartë të shpërndara në të gjithë vendin kompania vendosi të krijojë vetëm një drejtori të TL-së e cila do ta ketë qendrën e saj në Tiranë. Pas një analize të nevojave të kompanisë dhe me synimin për të krijuar struktura efikase të cilat do të optimizojnë cilësinë e furnizimit me energji elektrike, kompania vendosi të grupojë këto drejtori në katër rajonale. Kriteret e ndjekura për përcaktimin e tyre janë: numri i konsumatorëve, madhësia, aftësitë operative, menaxhueshmëria etj. Riorganizimi i sistemit të shpërndarjes të OSSH-së do të fillojë të zbatohet që nga marsi 2010. Ky është hapi i parë i ristrukturimit të sistemit të shpërndarjes. Hapi tjetër do të bëhet në çerekvitin e fundit të vitit 2010. Vendimi për të rigrupuar drejtoritë ndryshon strukturat e manaxhimit dhe të vendimmarrjes. “Ndërkohë, ne, punonjësit që punojnë shumë dhe gëzojnë integritet në zonat e tyre i vlerësojmë dhe ata do të vazhdojnë të jenë burimi ynë kryesor i suksesit. Do të donim të theksonim se reforma të brendshme si kjo nuk sjellin asnjë ndryshim në detyrimet e përbashkëta që konsumatorët dhe kompania kanë ndaj njëri-tjetrit”. OSSH-ja dhe aksioneri kryesor CEZ janë të përkushtuar të punojnë intensivisht për transformimin e kompanisë në një kompani fitimprurese, profesionale dhe konkurruese në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›