E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Braçe, i skeduar si asistent i Dondollakut

 

Partia Demokratike akuzoi Erion Braçen të lidhur me grupet mafioze dhe kriminale. Pas akuzave të Braçes ndaj qeverisë dhe familjes së Kryeministrit Berisha, ka reaguar zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, i cili ka ngritur akuza të rënda ndaj nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. “Ylli shkëlqyes i Edi Ramës, zëdhënësi i parë i politikës së re, Erion Baze, rimori shpifjet dhe trillimet e gjobë–prerësit Mero Braçes. Duam t’i rikujtojmë opinionit publik se Erion Braçe është i skeduar si bashkëpunëtor dhe asistent i Enver Dondollakut, nga regjistrimet e bëra publike nga autoritetet e vendit fqinj dhe para tij akuza shumë të rënda bien mbi të në lidhje me historitë e Kadrovskit. Erionët e z. Rama citojnë shpifjet dhe trillimet e njëri-tjetrit, si risitë apo novitetet e politikës së re, që për çdo shqiptar është bërë e qartë se përfaqëson një seri mashtrimesh. Z. Braçe më parë se të ritrillojë shpifjet dhe trillimet e tender-lëpirësit Erion Baze, do bënte mirë të jepte sqarime për veprat që e lidhin me Dondollakun dhe Kadrovskin. Do të ishte mirë të bëhej burrë dhe të dorëzonte imunitetin dhe të shkojë të hetohet për to”, u shpreh zëdhënësi i Partisë Demokratike. Menjëherë pas reagimit të vetë Braçes, i cili u shpreh se do të depozitojë padi penale dhe civile ndaj zëdhënësit të Partisë Demokratike, reagoi sërish Bogdani, duke u shprehur se PD-ja do kërkojë heqjen e imunitetit të Erion Braçes. “Z. Braçe duhet të heqë dorë nga shantazhet dhe presionet publike apo jo-publike, sepse nuk impresionojnë. Z. Braçe duhet të lerë imunitetin e tij, në të kundërt Partia Demokratike do t’i kërkojë Prokurores së Përgjithshme, zonjës Rama, heqjen e imunitetit të deputetit Braçe, që të faktohen para të gjithë shqiptarëve të gjitha lidhjet e tij me Dondollakun dhe Kadrovskët”, u shpreh Bogdani në reagimin e tij të dytë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›