E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Rama si në filmin “Beni ecën vetë”

 

Lëvizja Socialiste për Integrim komentoi dje deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, dhënë gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, e ka cilësuar kreun socialist si personazhin e Benit tek filmi “Beni ecën vetë”, i cili këndonte me zë të lartë në pyll për të larguar frikën. “Deklaratat e Edi Ramës, ashtu si tek filmi ‘Beni ecën vetë’, që këndonte këngë partizane në pyll për t’i dalë frika”, u shpreh Vasili.  Duke iu referuar intervistës dhënë nga SHBA për “Zërin e Amerikës”, sekretari i përgjithshëm i LSI thotë se, nga zhvillimet atje Rama “pa në Amerikë si bëhet opozitë dhe jo pazar si i tiji me Berishën”. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u shpreh gjithashtu se “kryetari i PS-së edhe pas kësaj vizite nuk ka mësuar se si bëhet opozita e vërtetë, se si trajtohet kundërshtari politik”. Për sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Vasili, kjo gjendje shkaktohet ngaqë për kryetarin e PS-së, Edi Rama prioritet është aleanca me Berishën dhe jo me Shqipërinë që vuan berishizmin. Dy ditë më parë, gjatë një interviste nga SHBA, kreu socialist u shpreh se do të realizojë bashkimin e madhe të shqiptarëve edhe nëse ndonjë parti politike do të qëndrojë në konturet e politikës së vjetër. Duke analizuar gjendjen në politikën shqiptare, Rama u shpreh se ajo duhet të jetë jo një politikë e politikanëve zanatçinj, por një politikë për qytetarët dhe nga qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›