E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Do shënoj ndaj Qipros

 

Leonard Karaj
Erjon Bogdani është sulmuesi më "prodhimtar" shqiptar i kualifikueseve të Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010". Sulmuesi i Kievos ka shënuar dy nga katër golat e realizuar nga përfaqësuesja jonë në shtatë ndeshjet e para, pikërisht një gol në fitoren 3-0 kundër Maltës dhe një tjetër në humbjen 1-2 me Portugalinë. Ai vlerësohet nga trajneri Josip Kuzhe si sulmuesi kryesor i "seleksionit" të tij, dhe vetë Bogdani është i ndërgjegjshëm për këtë besim të tij. "Ekipin e Qipros e kam parë vetëm në 20 minutat e fundit në ndeshjen me Italinë, ku luajtën mjaft mirë dhe i krijuan vështirësi skuadrës së Lipit. Ishte një ndeshje për eliminatoret e Botërorit, ku italianët fituan vetëm në momentet e fundit. Këtë miqësore e shoh si një test mjaft të mirë për sfidën e radhës me Danimarkën, ku duhet të futemi në fushë për të fituar", - tha Bogdani. Ish-sulmuesi i Sienës pohoi se ndihet në një formë të mirë. "Momentalisht po kaloj një formë fizike mjaft të mirë, pasi kam zhvilluar përgatitje të fortë me Kievon. Megjithatë, ende nuk jam në 100 për qind, për arsye se kampionati ende nuk ka filluar dhe prej strukturës së trupit tim, pasi lojtarët shtatlartë e arrijnë më vonë formën optimale. Kjo më shtyn më shumë që të zhvilloj një kampionat sa më të mirë me Kievon dhe paraqitje me nivel të lartë me përfaqësuesen", - tha Bogdani, që kundër Qipros do të zhvillojë ndeshjen e tij të 51-të me përfaqësuesen. Por a shpreson Bogu të shënojë kundër Qipros? "Shpresoj që në këtë ndeshje miqësore dhe në takimet e mbetura në eliminatore të luaj dhe të shënoj gola. Megjithatë kam qenë një nga lojtarët që kam pasur probleme në Kombëtare, nuk duhet harruar se nuk jam grumbulluar për afro dy vjet, kam qëndruar në pankinë, madje edhe në tribunë. Shpresoj që këto sfida ti luaj, e patjetër edhe të shënoj. Megjithatë, një sulmues luan për ekipin dhe jo vetëm për të gjetur rrugën e rrjetës. Shpresoj që si sulmues të shënoj. Kjo është detyra ime".Në lidhje me partnerin ideal në sulm, Bogdani thotë se përshtatet mirë me të gjithë: "Megjithatë duhet parë edhe mënyra e lojës. Ne si Kombëtare e kemi shumë të vështirë, që përballë skuadrave të mëdha si Danimarka, Suedia apo Portugalia, të cilat janë shumë kualitative, të luajmë me dy sulmues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›