Bogdani: Doni gol? Më jepni një rast
Sulmuesi kryesor i kuqezinjve është gati që me Suedinë të bëjë atë që kohët e fundit e ka harruar
Të gjithë presin shumë nga ai, madje edhe vetë është i ndërgjegjshëm për këtë, por Erion Bogdani përsëri mendon se ka dhënë më të mirën për kombëtaren, duke e arsyetur, edhe pse nuk ka shënuar. Ndoshta me Suedinë është momenti i tij dhe shtatlarti nuk është kundër: "Jam gati, por pa raste nuk kam si të shënoj. Nëse më jepet mundësia para porte, do të përqendrohem shumë, për të lumturuar veten dhe kombin,"- thotë sulmuesi i mirënjohur në intervistën e dhënë dje posaçërisht për "Sportin shqiptar". Në prag të përballjes së parë eliminatore, ja si u shpreh Erion Bogdani:
- Erion, duket se ndeshja me Suedinë është momenti më i mirë i zhbllokimit për ju?
- Unë jam gati dhe shpresoj të luaj sa më mirë. Duhet të kemi parasysh që në këto ndeshjet e vështira, siç është nesër (sot) kundër Suedisë, apo kur kemi luajtur ndaj Holandës, loja e ekipit është mbrojtëse. Në këtë aspekt është e vështirë që një sulmues të dali në lojën e vet, duke shënuar gola, për arsye sepse edhe rastet për shënim janë fare të pakta, ose për të mos thënë nuk kemi. Megjithatë, në rast do të më paraqitet ndonjë rast, unë do të mundohem të jem shumë i përqendruar. Këtë herë shpresoj të kem edhe fatin me vete, sepse nuk është e thënë që me një gjysmë rasti të arrish të shënosh. Në një ndeshje të tillë, ku rezultati është shumë i rëndësishëm, duhet shfrytëzuar në maksimum çdo moment. Jam shumë gati për ta bërë këtë.
- Jeni sulmuesi kryesor i kombëtares, por eliminatoret e fundit keni shënuar vetëm një gol?
- Nuk diskutohet që kam shënuar shumë pak, por me thënë të drejtën, po të shikosh lojërat e mia me kombëtaren, kam qenë gjithnjë një nga lojtarët më të mirë në fushë. Në Shqipëri nuk kërkohet të jesh një sulmues i thjesht përpara portës, sepse duhet të bësh lojë mbrojtëse, duke pasur parasysh që luan me ekipe më të mira dhe që nuk të lënë t'i afrohesh portës. Këtë e vërteton edhe ish-trajneri Oto Bariç, i cili më vlerësoi shumë në ndeshjen në Bullgari, për vetë faktin se luajta për ekipin, gjithashtu edhe në ndeshjen me Holandën.
- Domethënë, gjithçka ia faturoni mungesës së rasteve?
- Eshtë shumë e vështirë kur ekipi luan me një sulmues dhe ai më shumë qëndron në mesfushë, duke mos iu afruar portës. Nëse i kthehemi edicionit të kaluar, në total nuk kam pasur më shumë se tri raste për shënim. Një herë që kam dalë përballë portierit ndaj Bjellorusisë, shënova. Atëherë, si mund të realizoj unë shumë gola kur gjendja është e tillë.
- Keni folur me trajnerin Ari Han?
- Trajneri nuk ka folur me mua, por nuk ka asnjë lloj problemi. Unë jam një lojtar si gjithë të tjerët. Jam stërvitur këto ditë për të qenë sa më në formë, pastaj nëse jam ose jo në fushë, janë zgjidhjet e tij.
- Tifozët presin shumë, aq më tepër nga ju si sulmues. Si e mendoni përballjen e parë eliminatore?
- Tifozët kanë qejf që ne të zhvillojmë një lojë sulmuese, por nuk mund ta bësh këtë kur luan përballë Suedisë. Me një lojë sulmuese ndaj këtyre skuadrave, që kanë lojtarë me cilësi individuale, mund të kalosh edhe në katastrofë, me humbje të thella. Nga eksperienca që kam në Serinë A, kur luajmë ndaj Milanit, është e njëjta situatë kur luan Shqipëria me ekipet e mëdha. Suedinë mund ta godasim me anë të kundërsulmit. Nëse kemi dy-tri raste, besoj se do t'ia arrijmë.
- Sa e njihni lojën e Suedisë?
- Nuk e njoh mirë. Kam dëgjuar që luajnë me tre mbrojtës, por të shikojmë se çfarë varianti do të përdorim ne, në mënyrë që të jetë sa më e mundur të paktën për të pasur mundësinë e krijimit të rasteve.
- Atëherë, çfarë mundësie ka kjo kombëtare?
- Për këtë kombëtare nuk mund të flasësh për mundësi. Duhet të jemi realistë, sepse kemi tri ekipe shumë të forta në grup, siç është Suedia, Portugalia dhe Danimarka. Si pjesë e ekipit shpresoj të zhvillojmë lojëra sa më të bukura dhe të marrim sa më shumë pikë. Në dekadën e fundit ekipi ynë kombëtar ka nxjerrë ndeshje të bukura, ndërkohë që më përpara pësonim nga ekipet e mëdha edhe pesë gola. Për mendimin tim, ky është një hap pozitiv, pasi nuk mund të krahasohemi me ekipet e mëdha. Kemi lojtarë cilësorë, por me pikatore. Nëse në këtë edicion do të mungojnë dy-tre lojtarë titullarë, qoftë për dëmtime apo skualifikime, do ta kemi shumë të vështirë për t'i zëvendësuar. Në këto eliminatore, e rëndësishme është që të përmirësojmë lojën tonë dhe t'i hapim sa më shumë punë skuadrave të mëdha, sepse nuk mund të pretendojmë të dalim të parët apo të dytët në grup.