Bogdani: E bën Edgar Çani rolin tim ndaj Gjeorgjisë
Sulmuesi kuqezi Erjon Bogdani rrëfen për Sportin shqiptar emocionet e golit të shënuar në Serinë A përballë Palermos. Por edhe për miqësoren e Shqipërisë në Gjeorgji
Erjon Bogdani është rikthyer me gol në radhët e skuadrës së Serisë A, Siena. Pikërisht përballë Palermos, vendësit janë gjendur në disavantazh pas golit të shënuar nga Budan për Palermon, edhe pse këta të fundit ndodhenin me një lojtar më pak nga minuta e dytë. Pas barazimit të Tercit nga pika e bardhë për Sienën, do të vinte edhe goli i avantazhit 2-1 me autor Erjon Bogdanin.
Shqiptari shënoi golin e 300-të për Sienën në Serinë A dhe të 4-tin personal përballë Palermos, pasi në të kaluarën, kur aktivizohej me parë në radhët e Sienës, ai ka shënuar një tripletë ndaj sicilianëve. Ndeshja është mbyllur në shifrat 4-1. Bogdani është shfaqur entuziast pas sfidës.
Gjatë një interviste për Sportin shqiptar sulmuesi kuqezi analizon ndeshjen ndaj Palermos, mungesën në radhët e Shqipërisë për miqësoren kundër Gjeorgjisë, si edhe listën e rinovuar të trajnerit Xhani De Biazi.
- Erjon, jeni rikthyer me gol në radhët e Sienës në një fitore të bukur 4-1 përballë Palermos?
- Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Trajneri më dha një stimul të madh që në fillim, kur në dhomat e zhveshjes më besoi të jem titullar. Që në atë moment e ndjeva veten tepër të karikuar për të dhënë më të mirën time, më pas më vjen mirë që gjërat shkuan në rrugën e duhur, duke shënuar edhe një gol të bukur dhe të rëndësishëm për skuadrën tonë.
- Ishte gol i veçantë, i 300-ti për Sienën në Serinë A. Në krahun tjetër i 4-ti personal për ju ndaj këtij ekipi, pasi edhe më parë keni shënuar një tripletë kur aktivizoheshit po me Sienën?
- Po, janë shifra të veçanta, që më gëzojnë. Gjithsesi, e rëndësishme është që unë jap më të mirën time për skuadrën, duke kontribuar në objektivat e ekipit. Kam shënuar edhe më parë ndaj Palermos, por çdo gol ka emocion të veçantë.
- Mund të na e përshkruani momentin e golit?
- Ishte një aksion nga krahu i djathtë. Krosimi ishte shumë i bukur drejt zonës, pasi topi kapi në tokë, erdhi drejt meje dhe direkt me këmbë e kam përcjellë drejt rrjetës.
- Kalojmë pak te kombëtarja. Si do ta komentonit mungesën tuaj?
- Nuk kam asnjë koment lidhur me këtë fakt. Kam raporte shumë të mira me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka. Gjithashtu, edhe me trajnerin De Biazi. Kam diskutuar dhe kemi rënë dakord që në këtë sfidë kombëtarja të provojë sa më shumë elementë të rinj. Me shumë vlera është që në këto momente trajneri të shikojë ata lojtarë që kanë bërë mirë në klubet e tyre. Ata duhet të shikohen me kujdes se çfarë mund të bëjnë me fanellën kuqezi. Më pas, në shtator, kombëtarja mund të ketë fytyrën e vërtetë dhe trajneri të ketë krijuar idenë e tij fikse për ekipin.
- Është i rëndësishëm rezultati ndaj Gjeorgjisë, një kombëtare që ne jemi përballur disa herë në të kaluarën?
- Nuk mendoj se në të tilla sfida është primar rezultati. Rëndësi ka performanca e skuadrës, mbikëqyrja e elementit të ri dhe e ekipit në total. Më pas, gjërat e tjera janë sekondare. Trajneri padyshim ka idetë e tij për mënyrën se si do të luajë Shqipëria në këtë sfidë. Duhet lënë të punojë i qetë. Të tilla ndeshje shërbejnë për formimin e kombëtares.
- Është pozitiv fakti se lista është rinovuar, apo mund të konsiderohet thikë me dy presa?
- Padyshim që është pozitiv, pasi disa lojtarë duhen parë nga afër dhe është krejt normale që të ketë edhe rinovime. Por sigurisht smund të merrem frytet menjëherë, pasi duhet pak kohë. Mund të bëjmë një shembull me Italinë, një kombëtare që ka 100 mijë futbollistë dhe, kur vjen puna, edhe ata kanë pasur vështirësitë e tyre gjatë rinovimit. Më pas kanë gjetur ritmet e duhura.
- Kush do të jetë Bogdani i ri, duke parë sulmuesit që janë grumbulluar?
- Nuk është ky qëllimi i kombëtares. Unë kam pasur rolin tim dhe do ta kem sa herë të jetë nevoja në këtë përfaqësuese. E njoh Edgar Çanin dhe mendoj se do të jetë një lojtar i fortë në zonën e rreptësisë. Ai ka pak a shumë karakteristikat e mia. Ndërkohë që Sadiku mund të niset pak më larg, është më tepër një sulmues i dytë.
Legjionarët
Samir Ujkani Skuadra e Novarës, ku aktivizohet si titullarë portieri i ekipit tonë përfaqësues, Samir Ujkani, është mundur nga Katania me rezultatin 3-1. Vendasit nuk e kanë vënë në diskutim fitoren ndaj Novarës, madje kanë shënuar tri herë në portën e gardianit shqiptar brenda 55 minutave. Katania me fitoren e djeshme është salduar në mesin e artë, kurse Novara vazhdon të notojë në fundin e tabelës së klasifikimit.
Armando Sadiku Sulmuesi elbasanas dje është aktivizuar si titullarë, por këtë herë nuk ka mundur që ta shpëtojë dot skuadrën e tij nga humbja. Lokarno, dje ka luajtur në transfertë me Vaduzin dhe është mundur me rezultatin 2-0. Sadiku ka bërë një paraqitje të mirë, ndërsa ka luajtur për 90 minuta në transfertën e djeshme, ku skuadra e tij nuk arriti qoftë të merrte edhe një pikë.
Altin Lala Hanoveri i Lalës dje është mundur në shtëpinë e Borusias së Dortmundit me rezultatin 3-1. Lala edhe dje nuk ka luajtur për shkak se është i pezulluar nga klubi për thyerje të disiplinës. Një ndeshje që ka patur gola, por edhe luftë të fortë sportive mes dy ekipeve, madje janë regjistruar gjatë 90 minutave plot shtatë kartonë të verdhë.
