Shqipëria nuk e diskuton Bullgarinë, e zgjidh në pjesën e parë
Kuqezinjtë e vegjël dhurojnë spektakël me lojë dhe gola, ndërsa miqtë në pjesën e dytë bëhen të dhunshëm dhe përdorin edhe shkelmat. Trajneri Dimitrov kërkon të tërheqë ekipin nga fusha
U-17: SHQIPËRI BULLGARI 2-0
Shënues: Bejko 12, Murati 30
SHQIPËRIA: Teqja, Januzi, Hakrama, Marku, E. Çekiçi, Ymeraj, Bardhi, Murati, Vatnikaj, Sinani, Bejko. Trajner: Xh. Mustedanagiç (U Aktivizuan: Strakosha, Çema, Kalaja, Vuthaj, Boja)
Kartonë të verdhë: Bejko (2)
Kartonë të kuq: Bejko
BULLGARIA: Kitanov, Mitsakov, Mihail Oraçev, Miki Oraçev, Çobanon, Iliev, Tsanev, Petkov, Minçev, Angelov, Dryanov. Trajner: A. Dimitrov (U Aktivizuan: Zakariev, Vasiliev, Kizhev, Yordanov).
Kartonë të verdhë: Angelov
Kartonë të kuq: Petkov
Gjyqtarë: O.Sokoli, A.Shkreta, B.Berjolli, A.Dikollari (Tiranë)
Radiografia
5- Murati depërton bukur nga e djathta e sulmit të kuqezinjve me topin në zotërim, futet në zonë, por shumë afër portës ka vonuar në gjuajtje.
11- Është Murati ai që në minutat e para bëhet rreziku kryesor për miqtë, këtë herë i ndodhur në zonë përfiton nga rrëmuja dhe gjuan drejt portës së Kitanovit, por topi kalon ngjitur me shtyllën e majtë të portës.
12- Kroson në zonë Çekiçi, topi shkon te Bejko, që gjuan me kokë dhe shënon, 1-0.
30- Aksion perfekt i tanëve. Ymeraj, pasi kontrollon mirë topin në qendër të mesfushës, sheh të vetëm Çekiçin nga e majta e sulmit. Ky i fundit futet në zonë, driblon dhe një mbrojtës kundërshtar, jep asist për Muratin, që gjuan menjëherë dhe dyfishon shifrat, 2-0.
34- Bardhi kroson në zonë dhe e dërgon sferën tek Vatnikaj, i cili gjuan me roveshiatë por mbi tra.
60- Tsanev lëshon një predhë dhe ka pritur Strakosha.
73- Kundërpërgjigjen tanët. Ymeraj kroson në zone, driblon dy lojtarë miq, jep asist për Bojanin, i cili gjuan bukur me kokë e për pak sa nuk trefishon shifrat.
Komenti
Përfaqësuesja jonë U-17, dje ka zhvilluar ndeshjen e tretë miqësore, në stadiumin Qemal Stafa, ndërsa përballë ka pasur ekipin bullgar. Trajneri Xhemal Mustedanagiç, në fillim të ndeshjes aktivizoi lojtarët e tij më të mirë. Tanët fillojnë të vënë diktatin qysh në fillim, madje shënojnë shpejt me Bejkon në të 12 dhe në të 30 me Muratin.
Duhet theksuar se 17-vjeçarët tanë e kanë dominuar totalisht ndeshjen, madje mund të kishin thelluar rezultatin me rastet që kanë shpërdoruar, ndërsa miqtë janë kujtuar vetëm në pjesën e dytë me 2-3 raste. Ndërsa nuk ka munguar edhe loja e forte dhe kartonët.
Pjesa e parë
Fillimi ndeshjes është i shpejtë dhe me raste për kuqezInjtë, të cilët organizohen mirë, madje krijojnë edhe raste. Madje, duhet theksuar se portieri shtatlartë Teqja ka qenë më shumë spektator në pjesën e parë, ndërsa kanë qenë në lartësinë e detyrës mbrojtja mesfusha dhe sulmi. Në organizmin e lojës, por edhe me daljet nga krahët dhe në sulm, skuadra jonë ka qenë e mirorganizuar dhe e saktë në veprimet e veta.
Madje kanë gjetur dy golat, falë kualiteteve, si Bejko dhe Murati. Madje, ky i fundit dallohej qartë edhe për veprimet individuale dhe së bashku me Ymerajn kanë qenë padyshim dy nga lojtarët që kanë lënë mbresa me lojën e tyre në pjesën e parë. Tanët duhet thënë se kanë qenë të pangopur, madje përveçse kërkonin të mbroheshin mirë, ata ishin lartë edhe në mbrojtje, madje duke mbajtur larg sulmuesit kundërshtarë, që në pjesën e parë thjesht kanë pasur ndonjë rast sporadik.
Pjesa e dytë
Miqtë në pjesën e dytë janë me një skuadër ndryshe, pasi ishin bërë dy zëvendësime në pjesën e parë dhe dy sapo filloi fraksioni i dytë i ndeshjes. Edhe trajneri Xhemal Mustedanagiç, duke pasur parasysh edhe rezultatin e pastër, u ka dhënë mundësi edhe lojtarëve të stolit, duke aktivizuar Vuthajn, Kalanë, Strakoshën, Bojën dhe Çemën. Miqtë janë më të gjallë në pjesën e dytë, ndërsa kërkojn të ngushtojnë rezultatin.
Madje vlejnë për tu theksuar rastet e Tsanevit, dy herë por që nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë ka pasur edhe tension dhe një lojë më të ashpër, ndoshta miqtë të karikuar edhe nga trajneri i tyre që nuk pajtohej me humbjen. Madje ka pasur edhe dy kartonë të kuq, një për tanët kur është ndëshkuar autori i golit të parë Bejko, pasi mori dy të verdhë, ndërsa për një ndërhyrje brutale ka marrë direkt kartonin e kuq Petkov i miqve.
Mustedanagiç: Miqtë luajtën rëndë, në pjesën e dytë u lodhëm nga ngarkesa
Kemi luajtur tri ndeshje për një javë dhe skuadra u paraqit mirë. Jam i kënaqur si nga rezultati ashtu dhe nga loja, pasi lojtarët e mi u paraqitën mirë edhe si individualitete. Na presin ndeshje të rëndësishme, pasi kemi një grup të fortë me skuadra si Holanda dhe Serbia. Në pjesën e dytë skuadra e uli ritmin, pasi ndikoi edhe lodhja, pasi kemi pasur tri miqësore për gjashtë ditë, që nuk janë pak.
Skuadra kundërshtare luajti shumë rëndë, duke i kaluar caqet e futbollit normal. Më vjen mirë që lojtarët e mi nuk rangun që të përgjigjeshin me të njëjtën mënyrë. Megjithatë, unë nuk e kam në tip që të merrem me veprimet e kundërshtarëve, – tha në prononcimin dhënë pas përballjes së djeshme trajneri i përfaqësueses U-17, Xhemal Mustedanagiç.
Trajneri bullgar tërbohet, kërkon të tërheqë ekipin nga fusha
Në ndeshjen e djeshme, në pjesën e dytë trajneri bullgar, Dimitrov, ka bërë një përshtypje të keqe tek tifozët e paktë në stadium dhe është kontestuar. Madje, ai ka habitur kur u ka thënë lojtarëve të tij, kur loja po bëhej e fortë: Tani, o këmbët o topin.
Ndërsa dhjetë minuta para fundit, kur ndaj një lojtari të skuadrës së tij është ndërhyrë rëndë, ai ka lënë pankinën dhe ka tentuar që të hyjë në fushë. Madje i kërkonte llogari gjyqtarit kryesor pse nuk e dha faull, ndërsa ka thirrur disa nga lojtarët e tij që të lënë fushën e lojës. Ka ndërhyrë gjyqtari i katërt Dikollari që situata të qetësohej.
Nga Strakosha te Çekiçi, prindërit që ndjekin fëmijët
Në tribunën e Qemal Stafës, veç të tjerash, dje kanë rënë në sy edhe ish-futbollistët që sot janë prindër dhe ndiqnin fëmijët e tyre. Bëhet fjalë për ish-portierin e kombëtares sonë, Foto Strakosha si dhe Ylli Çekiçi. Madje, për koincidencë edhe djali i Strakoshës, ndjek gjurmët e të atit, pasi është portier dhe aktivizohet me skuadrat e moshave të Lacios. Të dy kishin djemtë në fushën e lojës, madje Çekiçi junior u aktivizua nga fillimi deri në fund, kurse Strakosha në pjesën e dytë.
