Nora: Luftëtari do të vazhdojë me fitore, unë me gola
Sulmuesi gjirokastrit, Arlind Nora, thekson se ekipi do të shkojë për 3 pikë edhe në Skrapar, ku shpreson të gjejë golin
Luftëtari fitoi pastër dhe bindshëm me Himarën, ku natyrisht, krahas lojës së grupit, heronjtë rezultojnë 3 shkodranët: portieri Selimaj që nuk pësoi gol, mesfushori Ramadani që hyri si zëvendësues pas një rikuperimi dhe vulosi fitoren 3-0, dhe në radhë të parë sulmuesi Raboshta, i cili realizoi 2 golat e parë dhe u zëvendësua nga Nora në minutën e 70-të.
Ky i fundit u dëmtua në ndeshjen me Vlorën që në minutën e 10-të, por tani do të jetë më se i gatshëm për transfertën në Skrapar. Java e 17-të ishte e bukur për Luftëtarin edhe për faktin se e thelloi diferencën me 6 pikë nga Kukësi, me të cilin ka edhe ndeshjen e prapambetur nga faza e parë në Gjirokastër.
Nora Arlind Nora është golashënuesi më i mirë i Luftëtarit, me 10 gola, i ndjekur nga Raboshta me 8. Deri tani, i pari ka shënuar 4 dygolësha, kurse i dyti 2, por tani listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit e kryeson Canka i Lushnjës me 13. Për fitoren me Himarën dhe ndeshjet në vazhdim, Nora shprehet: Fitorja me Himarën ishte e merituar, edhe pse gjatë pjesës së parë dhe veçanërisht pas golit që realizoi Raboshta, ekipi nuk ishte agresiv.
Në pjesën e dytë u kuptua që rezultati 1-0 ishte i brishtë dhe kështu e nisëm me ritmin e duhur, shënuam 2 gola të tjerë dhe patëm mjaft raste të tjera. Dy raste i humba unë, por rëndësi ka që e kalova dëmtimin dhe për ndeshjen me Skraparin them se do të jem në formë të kënaqshme. Ndeshja në transfertë patjetër që ka vështirësi më të madhe se kjo që luajtëm në fushën tonë dhe pikërisht ky fakt duhet të na mobilizojë që në fillim, duke pasur kujdes në mbrojtje dhe patjetër agresivitet në sulm.
Ne do të luftojmë për fitore, rezultat që na e imponon vetë objektivi i sezonit, ngjitja në superiore, madje edhe titulli kampion i kategorisë së parë. Parashikimi im është se edhe në Skrapar do të marrim 3 pikët, parashikim që e bazoj te kualitetet që disponon ekipi ynë dhe që bëjnë diferencën e ndjeshme me ekipin që na pret.
Skrapari nuk ndodhet në pozicion komod dhe sigurisht do të kërkojë fitoren për ti përmirësuar pozitat në renditje, kështu që duhet të jemi të përgatitur. Krahas fitores që duhet të marrim, që është më e rëndësishmja, mua më duhet të realizoj gol për të qëndruar në krye të golashënuesve të këtij kampionati, sepse jam 3 gola më pak se Canka i Lushnjës. Shpresoj që në ndeshjet në vazhdim të jem më rezultativ.
