Bogdani: Edi Rama kërkon të mbulojë me kulla dhe piramida vendin ku u shkrua historia postkomuniste
Deputeti i Partisë Demokratike Gerti Bogdani deklaron se punimet e Bashkisë në sheshin “Skënderbej”, janë në funksion të pallateve shumëkatëshe dhe betonizimit total, për të mos lënë asnjë hapësirë për qytetarët e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë. Deputeti demokrat vuri në dukje se i duhet dhënë fund praktikave abuzive të kryebashkiakut Edi Rama, i cili po fsheh edhe ndryshimet në plan, duke mos i paraqitur ato në KRRT.
“është e natyrshme që çdo qytetar kërkon rregullimin dhe përmirësimin e sheshit, por është po aq e natyrshme dhe e domosdoshme që kjo të bëhet me një plan të mirëfilltë dhe konkret. Një plan i cili brenda rregullave të shtetit ligjor duhet të marrë miratimin e KRTRSH-së, pasi nuk bëhet fjalë për një hapësirë të vogël brenda një blloku pallatesh, por për qendrën e kryeqytetit, njëkohësisht të Shqipërisë. Kjo procedurë, e përcaktuar me ligj, duhet të ndiqet në të gjitha rastet, veçanërisht për vepra me një impakt të tillë mbi të gjithë qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë”, tha Bogdani.
Sipas tij, nuk është e vështirë të kuptohet se Edi Rama nuk ka asnjë interes për hapësira publike dhe në funksion të qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, por, t’i verë ato në shërbim të pallateve shumëkatësh dhe njëherazi të bllokojë ato pjesë të sheshit, ku u shënua historia e post-komunizmit.
“Rama kërkon të mbuloje sot me kulla dhe pallate, pikërisht vendin ku u shkrua historia e pas-komunizmit të Shqipërisë dhe mori jetë demokracia dhe liria e popullit tonë. Ish-diktatori Hoxha la trashëgim një piramide në qendër të Tiranes, sot bashkiaku Rama kërkon të lerë një piramidë në qendër të sheshit “Skënderbej”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.