E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Jashtëm Ilir Meta jep garanci të plota për liberalizimin e vizave

Brenda vitit, Shqipëria hyn në “Schengen”

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u shpreh sot se Shqipëria gëzon të gjitha mundësitë për të përfituar liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, brenda këtij viti. Duke konfirmuar zotimin e qeverisë shqiptare, Meta tha do të realizohet çdo reformë, për të konkretizuar sa më shpejt, hyrjen e Shqipërisë në “Schengen”. Nisur edhe nga deklarata e europarlamentares Doris Pack, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se është një tjetër dëshmi dhe tregues i qartë se Shqipëria brenda këtij viti do të përfitojë nga liberalizimi i vizave.
“Shqipëria jo vetëm ka bërë progres spektakolar në procesin e liberalizimit të vizave, që njihet nga të gjithë dhe e konfirmoi dhe delegacioni i europarlamentarëve të Evropës Juglindore pak ditë më parë në Tirane, por absolutisht është plotësisht e sigurt që Shqipëria do ta fitojë liberalizimin e vizave brenda këtij viti, për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që është bërë në të katër blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, u shpreh ministri Meta.
Këtë deklaratë ministri i Jashtëm e bëri gjatë një prononcimi për shtyp pas takimit me koordinatorin e qeverisë për veriun e Kosovës Ylber Hysa.
Garancinë për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë e dha dje edhe ministri i Jashtëm spanjoll, Migel Moratinos, vendi i të cilin ka presidencën e radhës të BE.
Kryediplomati spanjoll tha se vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën do të merret në një samit të posaçëm që do të zhvillohet në muajin qershor të këtij viti. Moratinos tha se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë në listën e prioriteteve të BE-së”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›