E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: SHBA votëbesoi qeverinë “Berisha”



“Edhe opozita, kontribut për anëtarësimin”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e sheh si një votëbesim për qeverinë “Berisha” dhe reformat e ndërmarra prej saj miratimin nga senati amerikan i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Por pavarësisht kësaj ngjarjeje, të rëndësishme për Shqipërinë, Topalli kërkoi dje që fryma e bashkëpunimit mes mazhorancës dhe opozitës të vazhdojë deri në mbylljen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në strukturën atlantike. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke përshëndetur miratimin nga Senati Amerikan të protokollit për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë, vlerësoi bashkëpunimin e opozitës në konkretizimin e disa prej reformave rrënjësore në Kuvend. Por ajo bën apel për vijimësinë e tyre. “U kapërcye pragu i shpresës. Brenda Kuvendit, veç mazhorancës, edhe opozita ka kontributin e saj për ecjen përpara të reformave”, - u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit, në emër të Parlamentit shqiptar, përshëndeti miratimin nga Senati i SHBA-së të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, teksa theksoi se vendimi i Senatit është një shpresë për anëtarësimin e plotë në prill të 2009-s. Sipas Topallit, kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe për këtë mazhoranca do të vazhdojë në rrugën e reformave. Topalli tha se votimi nga Senati Amerikan erdhi për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë në procesin e reformave. "Mazhoranca është lokomotiva e reformave, por një ndihmesë dhe kontribut të veçantë ka dhënë edhe opozita", - tha Topalli. Ky votim, sipas Topallit, i jep qeverisë një mesazh të qartë për të ecur përpara në reformat e tjera. Për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, Topalli u shpreh se tani e tutje pritet votëbesimi i vendeve të tjera për miratimin e protokollit. Një ndër reformat kyçe, që kushtëzon procesin e integrimit, është dhe kryerja e reformës zgjedhore. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli shprehu dje sigurinë se kjo reformë do të përfundojë me sukses brenda muajit të ardhshëm. "Jam e bindur se maksimalisht brenda muajit tetor, Kodi i ri Elektoral, një sfidë tjetër e Parlamentit dhe një reformë tjetër e domosdoshme, do të mbyllet me sukses", - tha kryetarja e Kuvendit gjatë një konference për shtyp, duke iu përgjigjur interesimit të medias. Duke reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për konsensus në miratimin e reformave të mëdha, kryetarja e Kuvendit tha se "votimi i Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga ana e Senatit Amerikan, ka ardhur në sajë të progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë vendi në vitet e fundit". Kjo do të thotë, - vijoi ajo, - se në këta tre vjet qeverisja dhe Parlamenti janë përballur me sfida shumë të rëndësishme dhe kanë kryer reforma shumë e guximshme. "Sigurisht, brenda Kuvendit kanë meritën, përveç mazhorancës, që është lokomotiva e këtyre reformave, edhe opozita në të gjitha rastet kur ka dhënë konsensusin për ecjen përpara të tyre", - theksoi znj. Jozefina Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›