Bregu: KE, 246.1 milionë euro grant për Shqipërinë
Komisioni Evropian miraton planifikimin shumëvjeçar të asistencës financiare për Shqipërinë për periudhën 2008-2010, në formën e granteve në vlerën 245.1 milionë euro.
Majlinda Bregu, zëdhënësja e Këshillit të Ministrave dhe Ministre e Integrimit Evropian, vuri në dukje dje se "miratimi i këtij dokumenti strategjik konsiderohet nga qeveria shqiptare, jo vetëm një ndihmë e vyer financiare, por edhe tregues i mbështetjes evropiane në rrugën e vendit tonë drejt BE-së, në përmirësimin e reformave politike, ekonomike si dhe përafrimit me standardet evropiane". Sipas saj, "për përgatitjen e këtij dokumenti janë marrë të gjitha mendimet e institucioneve shqiptare, si dhe pikëpamjet e shoqërisë". "Mbështetja financiare gjithnjë në rritje dhënë Shqipërisë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës së Para Aderimit (IPA) është një vlerësim për reformat e ndërmarra nga qeveria, një tregues për suksesin e ecurisë së tyre, një ndihmë që synon të na mbështesë në procesin e Stabilizim-Asociimit dhe ta përgatisë vendin për hyrjen e ardhshme në Bashkimin Evropian", - tha znj. Bregu. Ajo shtoi se "nëse shtohet edhe fondi i përfituar në kuadër të IPA-së 2007 prej 61 milionë eurosh, në total Shqipëria për vitet 2007-2010 përfiton nga BE 306.1 milionë euro, nga 330 milionë euro që ka përfituar për 6 vjet nga programet “Cards” 2000-2006". Në lidhje me Dokumentin Strategjik për periudhën 2008-2010, ajo vuri në dukje se "Komisioni Evropian ka përfshirë fusha që janë cilësuar si prioritete të politikave të qeverisjes shqiptare, si zhvillimi rajonal dhe ai rural, infrastruktura rrugore, ujit i pijshëm, transporti, etj.".
Duke u ndalur te projektet që mbështet IPA, ministrja Bregu theksoi se për sa i përket kriterit politik mbështeten kryesisht projekte që synojnë forcimin e kapaciteteve të administratës publike, si forcimi i kontrollit financiar, antikorrupsioni, si dhe mbështetja për strukturat e integrimit evropian. Gjithashtu, sipas saj, "mbështetja do të vijojë edhe për sektorin e drejtësisë dhe reformën në polici, të cilat vazhdojnë të jenë prioritet i qeverisë shqiptare". Ndërsa lidhur me fushën social-ekonomike, IPA do të mbështesë kryesisht projekte të mëdha, të cilat synojnë të kenë një impakt në zhvillimin rural, si dhe në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, veçanërisht në forcimin dhe fuqizimin e rrjetit të shkollave profesionale. "Aftësia për të përballuar sfidat e integrimit evropian do të zënë pjesën më të madhe të mbështetjes financiare (40-50%). Mbështetje në këtë drejtim do t’i jepet zbatimit të strategjive e politikave përafruese me legjislaturën e BE-së në fushat e tregut të brendshëm, politikave sektoriale në drejtësi e siguri, përmirësimit të infrastrukturës rrugore, mbështetjes së transportit hekurudhor dhe infrastrukturës së ujërave", - tha znj. Bregu.