Topi, mesazh falënderimi Presidentit Bush
Presidenti Bamir Topi përshëndet nga Bostoni ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati Amerikan. Z. Topi i ka dërguar një mesazh mirënjohjeje Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, me rastin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Senati Amerikan. Në mesazh Topi shkruan: “I nderuar President Bush, jam shumë i lumtur që lajmin më të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ratifikimin nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e mora gjatë qëndrimit tim zyrtar në vendit tuaj”. Më tej mesazhi vazhdon: “Dëshiroj t’ju shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim dhe të gjithë popullit shqiptar për kontributin e pazëvendësueshëm dhe mbështetjen Tuaj të vazhdueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, promovimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona dhe implementimin e demokracisë e sigurisë në Shqipëri dhe në rajon”. Presidenti Topi shkruan: shpreh bindjen time të plotë se kjo ngjarje e rëndësishme është vlerësim i qëndrimit dhe i dëshirës së popullit tim për më shumë liri, demokraci, siguri dhe zhvillim në vendin tim dhe në rajon, është mbështetje për reformat e thella që ne po kryejmë në Shqipëri, është nxitje për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. “Duke ju falënderuar edhe një herë juve zoti President, Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan dëshiroj t’ju siguroj se vendi im, është plotësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm për sfidat globale dhe rajonale, në të cilat anëtarësimi i tij në NATO e angazhon dhe është i gatshëm t’i përballojë ato përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një aleat i sigurt, i besueshëm dhe afatgjatë”, - përfundon mesazhin e tij z. Topi.