Shtëpia e Bardhë: Shqipëria, një anëtare me vlerat e NATO-s
Ekzekutivi amerikan përshëndet senatin
Mesazhe optimiste nga ambasada gjermane
Vota e besimit dhënë nga Senati Amerikan për vendin tonë dhe Kroacinë, që të bëhen anëtare të shpejta të NATO-s, ka marrë dje dhe vlerësimin e administratës amerikane. Megjithëse të preokupuar në negociata për të zgjidhur çështjen e krizës financiare, administrata e Xhorxh W. Bushit nuk ka harruar të japë notat e saj vlerësuese për kalimin e protokollit të anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut me një votë unanime në Senatin Amerikan. Në një deklaratë për shtyp, Shtëpia e Bardhë përshëndeti miratimin nga Senati të protokollit për zgjerimin e NATO-s me Shqipërinë dhe Kroacinë. Në këtë deklaratë që citon “Zëri i Amerikës” thuhet se “Shqipëria dhe Kroacia do të jenë dy anëtare të reja shumë të vlefshme për NATO-n”. Në këtë mënyrë, Shtëpia e Bardhë ka rikonfirmuar dhe një herë mbështetjen e saj për integrimin e shpejtë të vendit tonë në këtë Aleancë, një integrim që sipas dëshirës së dy palëve, pritet të ndodhë në pranverë të vitit që vjen në samitin e radhës të organizatës. Senati e kaloi protokollin në kohë rekord, duke dhënë kështu mbështetjen e një prej vendeve më të rëndësishëm të kësaj aleance për një anëtarësim të shpejtë. Por SHBA nuk harron të theksojë preokupimin e saj për anëtarësimin e vendit të tretë të Kartës së Adriatikut. Në deklaratën e djeshme më tej thuhet se “Shtetet e Bashkuara shpresojnë që një ditë të mirëpresin edhe Maqedoninë në Aleancë, kur të jetë zgjidhur mosmarrëveshja mes saj dhe Greqisë lidhur me emrin”. Deri më tani, Greqia ka bllokuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, pasi Maqedonia ka të njëjtin emër si një provincë greke. Aleanca e Atlantikut Verior ka miratuar ndërkaq anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në këtë organizatë. Pasi anëtarësimi të ratifikohet nga parlamentet e 26 vendeve të tjera anëtare, Shqipëria dhe Kroacia pritet të anëtarësohen zyrtarisht në NATO në takimin e nivelit të lartë të Aleancën në prill 2009.
Gjermania
Pas SHBA-së, duket se do të jetë një tjetër vend me peshë në NATO ai që do të japë votën për anëtarësimin e afërt të Shqipërisë. Gjermania ka nisur tashmë procedurat dhe pritet t’i përfundojë shumë shpejt me votimin në Parlament. Siç bën me dije ambasada gjermane në Tiranë, “më 24 shtator 2008 qeveria federale gjermane vendosi hartimin e një ligji për marrëveshje në lidhje me protokollet e 9 korrikut 2008 të marrëveshjes së Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë. Në këtë mënyrë hapet procedura për përgatitjen e ratifikimit të protokolleve nga Parlamenti”. Kjo ambasadë deklaron se “me këtë vendim, qeveria federale jep sinjalin e një mbështetjeje të angazhuar në anëtarësimin formal të këtyre
dy shteteve në NATO”. Sipas zyrës diplomatike në Tiranë, qeveria federale është e bindur se anëtarësimi i dy shteteve në NATO do të japë kontribut të rëndësishëm
për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Në deklaratë thuhet gjithashtu se “qeveria federale do të vazhdojë të mbështesë tri vendet kandidate të BALLKANIT perëndimor në mënyrë të angazhuar me masa konkrete gjatë përgatitjes për anëtarësim në NATO. Ndër të tjera, bëjnë pjesë këtu: dërgimi i këshilltarëve gjermanë, shkëmbim personeli, mbështetje në fushën e arsimit, asistencë, materiale dhe konsultime periodike me temë mbi sigurinë dhe politikën ushtarake”.