E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Goli, detyra ime e parë”



Dash Frashëri

Erjon Bogdani është sulmuesi më “prodhimtar” shqiptar i kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010” . Sulmuesi i Kievos ka shënuar dy nga katër golat e realizuar nga përfaqësuesja jonë në shtatë ndeshjet e para, pikërisht një gol në fitoren 3-0 kundër Maltës dhe një tjetër në humbjen 1-2 me Portugalinë. 32-vjeçari gjatë 50 aktivizimeve të tij me Kombëtaran ka shënuar 10 gola (3 në miqësore), po aq sa shoku i tij ekipit, Ervin Skela (në 62 ndeshje), Igli Tare (në 67 ndeshje) dhe Sokol Kushta (në 31 ndeshje, që ka dhe mesataren më të lartë të realizimit: 0.31 gola për ndeshje). “Princi i Epirit” vlerësohet nga trajneri Josip Kuzhe si sulmuesi kryesor i “seleksionim” të tij, dhe vetë Bogdani është i ndërgjegjshëm për këtë besim të tij. Në ndeshjen kundër Qipros, Bogu do të luajë nga minuta e parë dhe nëse do të shënojë qoftë dhe një gol do ta barazojë atë me Altin Rraklli (11), golashënuesin e dytë më të mirë të Kombëtares, teksa rekordi absolut vazhdon të mbahet nga Alban Bushi (14 gola), por këta dy të fundit nuk janë më pjesë e Kombëtares. “Dueli i madh” është midis Bogdanit e Skelës, dy nga lojtarët më të mëdhenj të kombëtares aktuale. Një nga miqtë më të mirë të Bogdanit në Kombëtaren shqiptare është portieri Arjan Beqaj, më të cilin Eri ka luajtur së bashku kur të dy ishin pjesë e Partizanit të sezonit 1997-1998. Beqaj, i cili luan në Qipro me Anorthosis Famagusta ka paralajmëruar për forcën e kundërshtarit. “Ekipin e Qipros e kam parë vetëm në 20 minutat e fundit në ndeshjen me Italinë, ku luajtën mjaft mirë dhe i krijuan vështirësi skuadrës së Lipit. Ishte një ndeshje për eliminatoret e Botërorit, ku italianët fituan vetëm në momentet e fundit. Këtë miqësore e shoh si një test mjaft të mirë për sfidën e radhës me Danimarkën, ku duhet të futemi në fushë për të fituar”, - tha Bogdani, i cili bëri një paraqitje në nivel të lartë me Portugalinë, madje duke shënuar edhe golin e flamurit për Shqipërinë, pikërisht 60 sekonda pas golit të parë të portugezëve. Ish-sulmuesi i Sienës pohoi se ndihet në një formë të mirë. “Momentalisht po kaloj një formë fizike mjaft të mirë, pasi kam zhvilluar përgatitje të fortë me Kievon. Megjithatë, ende nuk jam në 100 për qind, për arsye se kampionati ende nuk ka filluar dhe prej strukturës së trupit tim, pasi lojtarët shtatlartë e arrijnë më vonë formën optimale. Kjo më shtyn më shumë që të zhvilloj një kampionat sa më të mirë me Kievon dhe paraqitje me nivel të lartë me përfaqësuesen”, - tha Bogdani, që kundër Qipros do të zhvillojë ndeshjen e tij të 51-të me përfaqësuesen, duke u bërë kështu lojtari i katërt me më shumë ndeshje brenda grupit aktual (Lala, Skela e Duro kanë më shumë ndeshje se ai), por edhe lojtari i dhjetë me më shumë ndeshje në të gjithë historinë e Kombëtares. Më shumë se Bogu kanë ndeshje Strakosha (73), Lala (71), Tare (67), Bushi (67), Haxhi (65), Rraklli (63), Rudi Vata (59), Skela (59, shkon me Qipron në 60), Duro (58, shkon me Qipron në 59). Erjon Bogdani nga 10 gola që ka realizuar në total, vetëm 3 prej tyre janë shënuar në ndeshje miqësore. Sulmuesi aktual i Kievos e ka shënuar golin e tij të parë në një ndeshje miqësore, në fitoren 2-0 kundër Maqedonisë në Tiranë, më 10 shkurt 1999. Bogdani ka shënuar edhe dy gola në miqësoren e fituar 3-0 kundër Maltës (15.11.2000, në Tiranë). Por a shpreson Bogu të shënojë kundër Qipros? “Shpresoj që në këtë ndeshje miqësore dhe në takimet e mbetura në eliminatore të luaj dhe të shënoj gola. Megjithatë kam qenë një nga lojtarët që kam pasur probleme në Kombëtare, nuk duhet harruar se nuk jam grumbulluar për afro dy vjet, kam qëndruar në pankinë, madje edhe në tribunë. Shpresoj që këto sfida ti luaj, e patjetër edhe të shënoj. Megjithatë, një sulmues luan për ekipin dhe jo vetëm për të gjetur rrugën e rrjetës. Shpresoj që si sulmues të shënoj. Kjo është detyra ime. Gjithashtu synoj të luaj sa më mirë. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe një test shumë i mirë për ndeshjet me Danimarkën dhe Suedinë. Me trajnerin Kuzhe kemi bërë një paraqitje mjaft të mirë kundër Portugalisë dhe shpresoj e njëjta gjë të paraqitet në këtë miqësore dhe në dy sfidat e mbetura në eliminatoret e Botërorit 2010, pasi tashmë kemi një filozofi më të mirë loje”. Bogu sqaron edhe “Erjonin ndryshe”. “ Kjo ka ndodhur sepse kam luajtur titullar në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit me Kievon dhe kam luajtur mjaft mirë. Dihet që Seria A italiane është një kampionat shumë i vështirë dhe jo vetëm te Kievo, por edhe në ekipet e tjera ka shumë konkurrencë. Gjatë gjithë kohës stërvitesh fortë, për të qenë i gatshëm në momentin kur trajneri të aktivizon. Jemi profesionistë dhe duke luajtur mirë mund të sigurosh vendin në formacion”, - thotë Bogu, i cili në Itali ka luajtur me gjashtë skuadrave. Në lidhje me partnerin ideal në sulm, Bogdani thotë se përshtatet mirë me të gjithë: “Megjithatë duhet parë edhe mënyra e lojës. Ne si Kombëtare e kemi shumë të vështirë, që përballë skuadrave të mëdha si Danimarka, Suedia apo Portugalia, të cilat janë shumë kualitative, të luajmë me dy sulmues. Një zgjidhje është aktivizimi i Skelës pas shpinës së një sulmuesi. Me Qipron mund të luajmë me dy sulmues, por duhet të jemi të kujdesshëm, e të luajmë njësoj si me Portugalinë. Nuk duhet të harrojmë edhe detyrat mbrojtëse. Kjo sepse në ekipin shqiptar, sulmuesi është mbrojtësi i parë. Asnjë skuadër nuk mund të luajë 90 minuta në sulm, pasi cilësia e futbollit është rritur dhe çdo ekip mund të krijojë probleme”.

“Jo te Bolonja, edhe sikur ta merrte Taçi”

Në media u fol se nëse biznesmeni Rezart Taçi do të merrte Bolonjën, Bogdani do të transferohej te ajo skuadër. Por, sulmuesi i Kievos e hodhi kategorikisht poshtë këtë mundësi “Jo kjo nuk është aspak e vërtetë. Kam pasur negociata me Barin dhe me shumë ekipe të tjera, por trajneri i Kievos, Di Karlo theksoi se unë jam pjesë e ekipit. Kam edhe një vit kontratë me klubin veronez. Do të largohem prej aty vetëm nëse Kievo blen një sulmues tjetër, gjë që është shumë e vështirë duke parë situatën aktuale në merkato. Trajneri më sheh si titullar edhe për sezonin e ri dhe shpreson që unë të përsëris formën e treguar në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar”.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›