E Diel, 1 Nëntor 2026

“Receta” e Kuzhes: Bogdani-Salihi, dydhëmbëshi sulmues anti-Qipro

Kroati është trajneri i katërt i Kombëtares që përballet me ishullorët. Bilanci kundër Qipros është negativ: në 3 ndeshje, 1 barazim e 2 humbje

(Dash Frashëri)- Trajneri kroat i Shqipërisë, Josip Kuzhe, është përballë një misioni të dyfishtë “statistikor” kur të përballet me Qipron të mërkurën (19:00) në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, pasi jo vetëm që synon fitoren e parë të tij në krye të kuqezinjve (humbi me Portugalinë, 1-2; barazoi me Gjeorgjinë, 1-1), por dhe të parën e përfaqësueses sonë kundër qipriotëve, bilanci më të cilët është negativ në tri ndeshjet e para kundër tyre: 1 barazim e 2 humbje.
56-vjeçari Kuzhe (mbush 57 vjeç, më 13 nëntor), do të jetë trajneri i katërt i Kombëtares shqiptare që do të përballet Qipron, që fatkeqësisht kanë rezultuar të pasuksesshëm më kundërshtarët ishullorë. I pari ka qenë Astrit Hafizi (humbi 3-2, 19 gusht 1998), më pas Medin Zhega (barazoi 0-0, 15 gusht 2000) e i treti, Hans-Peter Brigel (humbi 2-1, 19 gusht 2004).
Ish-trajneri i Ruandës i ka idetë e qarta ashtu si dhe skemën me dy sulmues të pastër, me Bogdanin e Salihin në vijën e parë, në miqësoren e 69-të historike të Shqipërisë dhe të dytën personale si trajner, si “receta” më e mirë për të fituar ndeshjen kundër Qipros. “Ne nuk kemi individë që mund ta fitojnë të vetëm atë, ndoshta nuk kemi as shpejtësi në lojën tonë, por ajo që duhet të bëjmë ne, është loja kombinateve”, - tha Kuzhe.
Eksperienca e fituar me dy ndeshjet e para të tij në stolin kuqezi, njohja më e mirë e cilësive të lojtarëve, implementimi gradual i filozofisë së tij taktike, shfaqën para medias një trajner në humor, aspak të ngjashëm me paraardhësin e tij, holandezin Ari Han, por identik në komunikim bashkatdhetarin e tij, Oto Bariç.

Kuzhe, cili do të jetë 11-shi që do të nisë takimin kundër Qipros?
Dy orë më parë (paradite, 10-12) kisha një takim me lojtarët dhe u thashë atyre idetë e mija mbi 11-shen e parë. E kam për traditë ta them atë pas ndeshjes (qesh me gafën dhe korrigjon), dua të them pas seancës së fundit stërvitore (qesh)..., por natyrisht përballë një ndeshje miqësore si kjo me Qipron, nuk kam arsye të mos e them. (Në portë, Hidi). Ne do të luajmë në vijën mbrojtëse me Vangjelin, Dallku, Cana e Currin. Në mesfushë janë Bulku, Skela, Agolli dhe Duro. Në sulm, Salihi dhe Bogdani.

Çfarë kërkon trajneri nga kjo ndeshje, fitoren si rezultat apo të fitojë lojtarë?
Kam bërë një program me federatën dhe jam përpjekur tua shpjegoj dhe lojtarëve. Është një program njëvjeçar, që ka të bëjë me përgatitjet për ciklin e ardhshëm të eliminatoreve të Europianit. Kemi vendosur disa objektiva në atë program. Targeti i këtij programi është gjetja e ekipit, lojtarët që do ta zbatojnë atë, e sigurisht krijimin e një atmosfere të mirë. Pas ndeshjeve me Portugalinë e Gjeorgjinë synimi është përmirësimi i lojës sonë. Mënyra sesi do të luajmë është shumë e rëndësishme.

Një humbje dhe një barazim në dy ndeshjet e para. A ka ardhur koha për fitoren tuaj të parë?
Shqipëria nuk fiton prej disa kohësh. Si për mua ashtu dhe për federatën fitorja është e rëndësishme edhe për të pasur një pozicion më të mirë në ranglistën botërore të FIFA-s. Sigurisht që dëshirojmë të krijojmë një atmosferë të mirë midis lojtarëve, me federatën, tifozët e më gjithë të tjerët, pasi vetëm me fitore ne mund të krijojmë diçka të tillë. Unë jam duke kërkuar rezultat, por jam duke kërkuar gjithashtu edhe për lojtarë të rinj. Ndeshjet miqësore ta japin këtë mundësi. Të shohësh lojtarë dhe të kesh një ide për ekipin.

Siç dihet kemi shumë probleme me golin. Nuk shënojmë dot. Cila është formula juaj për të arritur më shpjet te goli?
Kam bërë një analizë të plotë të ndeshjeve që ka luajtur Shqipëria në këto eliminatore. Ka shënuar vetëm 3 gola, pikërisht kundër Maltës. Në dy ndeshjet që kam drejtuar unë ka shënuar, por megjithatë nuk jam aq i lumtur. Ok, ka shënuar vetëm nga një gol (kundër Portugalisë e Gjeorgjisë), por në gjashtë ndeshjet e mëparshme nuk kishte shënuar gol përveç Maltës. Do t’i kushtojmë shumë vëmendje këtij problemi në programin tonë. Të përgatisim lojën tonë sulmuese ne kemi disa ide, por nuk është një proces i vetëm. Ju mund të luani në sulm në tri mënyra: duke pasur një sulmues të fuqishëm, lojtarë të shpejtë dhe lojtarë të fuqishëm që luajnë një lojë kombinateve. Ne nuk kemi individë që mund ta fitojnë të vetëm atë, ndoshta nuk kemi as shpejtësi në lojën tonë, por ajo që duhet të bëjmë ne, është loja kombinateve. Gjithsesi, goli është dhe problemi i përzgjedhjes së lojtarëve, të cilët mund të bëjnë më shumë për ne.

Çfarë i mungon Kombëtares?

“Shumë gjëra. Së pari, na mungojnë rezultatet. Nuk arritëm objektivat tanë në kualifikueset e Botërorit, por këtë vit ne dëshirojmë të luajmë shumë seriozisht brenda një programi, e jo të luajmë ndeshje pas ndeshje. Janë tre objektiva. Së pari, duhet të krijojmë një ide të qartë për skuadrën dhe mënyrën tonë të lojës. Së dyti, duhet të krijojmë në këtë situatë që ndodhemi stabilitet në lojë, të kemi një nivel më të lartë loje”, - tha Kuzhe.

Kroati: “Berisha, çështje e mbyllur”

Sulmuesi i Arminia Bielefeldit, Besart Berisha, nuk u thirr për miqësoren kundër Qipros, duke kërcënuar më pas edhe me largimin nga Kombëtarja. Trajneri Kuzhe tha se e ka sqaruar ish-sulmuesin e Bërnlit: “Fola me të në telefon dhe ia sqarova se përse nuk e thirra. Kjo është e vërteta. Nuk mund të them se nuk kam folur me të. U përpoqa të flisja me të ditën e parë, kur publikua lista, por nuk ia arrita. Më pas, ditën tjetër fola më të. I thashë atij saktësisht se ai është anëtar i ekipit Kombëtar. Për ndeshjen miqësore kundër Qipros thirra disa lojtarë të rinj, ndoshta për t’iu dhënë edhe shansin për të luajtur si Hyka, Vila. Pas kësaj ndeshje ai do të thirret menjëherë për ndeshjen kundër Danimarkës. I thashë atij se do të vij në Gjermani t’iu vizitoj, të shoh ndeshjet e tua, të flas me ju, t’iu shpjegoj programin tim. Por, ia sqarova se ai është anëtar i ekipit Kombëtar”.

Problemi i trajnerit: “Në Superligë nuk po gjej lojtarë”

Shqipëria ka dëshmuar përherë se është një ekip i dobët me ekipet e vogla dhe një skuadër e fortë me të mëdhatë. Por, si mendon Kuzhe për ta ndryshuar këtë defekt? “Natyrisht, miqësoret ndihmojnë në krijimin e një mentaliteti, dhe këtë dua ta arrij në programin tim. Si mund të luajmë kundër ekipeve të fuqishme? Nëse më pyesni në këtë moment, do të përgjigjem se së pari, duhet të bëjmë përzgjedhjen e duhur. Të përfshijmë disa lojtarë të mirë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kam ndjekur kohë pas kohe Superligën shqiptare, por nuk jam i sigurt se nuk mund të gjejmë për momentin lojtarë të denjë për Kombëtaren. Na duhet të gjejmë dy-tre figura të fuqishme. E dyta, duhet ta bëjmë ekipin më të mirë për të pasur rezultate të larta. Besoj se duke punuar se bashku, pas gjashtë muajsh apo një viti ne mund të bëjëm diçka më shumë”.

STATISTIKA

Takimi i 12 gushtit do të jetë ndeshja e katër miqësore me ishullorët e “Afërditës”. Në tri të parat, kemi humbur dy (në Qipro) e barazuar një në Tiranë. Takimi i parë daton, më 19 gusht 1998, ku kemi humbur 3-2 në Nikosia, i dyti është luajtur në Tiranë, më 15 gusht 2000 (0-0), ndërsa i treti dhe i fundit, më 18 gusht 2004, ku kemi humbur 2-1 në Qipro. Shqipëria ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 5 të tilla.

NDESHJET ME QIPRON

19 gusht 1998
Qipro-Shqipëri 3-2
Shënues: Altin Haxhi, Alban Bushi
Trajner: Astrit Hafizi

15 gusht 2000
Shqipëri-Qipro 0-0
Trajner: Medin Zhega

19 gusht 2004
Qipro-Shqipëri 2-1
Shënues: Altin Rraklli
Trajner: Hans Peter Brigel

12 gusht 2009
Shqipëri-Qipro 19:00
Trajner: Josip Kuzhe

Bilanci: 3 ndeshje, 0 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golaverazhi: 3-5

Lista e futbollistëve

PORTIERË
1. Isli Hidi Kryvbas (Ukrainë)
2. Samir Ujkani Novara (Itali)

MBROJTËS
3. Kristi Vangjeli Aris Selanik (Greqi)
4. Armend Dallku Vorskla Poltava (Ukrainë)
5. Elvin Beqiri Vllaznia (Shqipëri)
6. Andi Lila Tirana (Shqipëri)
7. Franc Veliu Flamurtari (Shqipëri)
8. Debatik Curri Vorskla Poltava (Ukrainë)

MESFUSHORË
9. Ervin Bulku Kryvbas (Ukrainë)
10. Ervin Skela (Pa skuadër)
11. Gilman Lika Boluspor (Turqi)
12. Lorik Cana Sunderland (Angli)
13. Ansi Agolli Kryvbas (Ukrainë)
14. Jetmir Sefa Tirana (Shqipëri)
15. Emiljano Vila Lokomotiva Zag. (Kroaci)
16. Klodian Duro Apollon Limasol (Qipro)
17. Jahmir Hyka Mainz 05 (Gjermani)
18. Elis Bakaj Dinamo (Shqipëri)

SULMUES
19. Hamdi Salihi Ried (Austri)
20. Erjon Bogdani Kievo (Itali)

Trajner Josip Kuzhe

Qipro në skaner

* Në renditjen aktuale të FIFA-s, ajo e muajit gusht 2009, Qipro ndodhet në vendin e 73-të (445 pikë) në renditjen e përgjithshme dhe në të 37-in në atë të UEFA-s.

* Trajneri i skuadrës përfaqësuese është greku Angelos Anastasiadis, 55 vjeç. Ndodhet që nga viti 2004 në këtë detyrë, duke zëvendësuar serbin Momçilo Vukotiç.

* Në takimin e fundit zyrtar të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, Qipro barazoi në shtëpi 2-2 me Malin e Zi.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›