Zgjedhjet, Islami:Qarqet ku PS nuk fitoi shtatë mandate
Kastriot Islami
PSSH ngriti një sistem të patronazhit në
të gjithë vendin ku u tentua të përfshi
heshin rreth 60 mijë anëtarë, simpatizantë dhe vullnetarë të PSSH. Ky sistem ndër të tjera kishte si objektiv të punës identifikimin e zgjedhësve lidhur me mënyrën e tyre të votimit. Po ashtu një qendër e përpunimit të së dhënave, duke iu referuar rezultateve të PSSH dhe aleatëve të saj në zgjedhjet e mëparshme të viteve 2005 dhe 2007 dhe të dhënave të grumbulluara nga sondazhet e brendshme përpunoi disa projeksione për rezultatin zgjedhor në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ky ishte një aktivitet që e drejtoi vetë Edi Rama (e them këtë sepse janë përhapur thashetheme të pabesueshme se Edi Rama nuk dinte nga këto gjëra dhe ia kanë hedhur të tjerët. Këtë gjë as vetë Edi Rama as e beson dhe as pranon, sepse po të ishte ndryshe situata do të ishte më e rëndë për vetë Edi Ramën. Teza që “uji buron i pastër, por turbullohet poshtë e anash” është tezë e vjetër komuniste, nga e cila politika e re është tashmë distancuar. Edi Rama është vënë në dijeni për gjithçka me informacione, memo, analiza dhe opsione për të marrë vendime nga të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë e të largët. Edi Rama të gjithë vendimet i ka marrë vetë me ndërgjegje të plotë dhe i bindur, bile pasi është konsultuar më shumë vetë deri edhe nga këshilltarë të huaj. Për këto ekzistojnë të gjithë dokumentet deri konfidenciale).
1. Çfarë ishte objektivi elektoral?
Mbi bazën e këtyre projeksioneve dhe të së dhënave mbi identifikimin e zgjedhësve u përcaktuan objektivat elektorale për çdo qark, zonë zgjedhore, njësi vendore dhe deri qendër votimi. Objektiv elektoral quhet sasia e votave që duhet të garantonte secili grup kandidatësh në nivel qarku, objektiv i cili më tej detajohej për çdo kandidat në zonën që mbulonte. Njëkohësisht çdo kandidati iu përcaktua zona/territori që mbulonte. Ky objektiv minimal ishte për të garantuar votën e atyre që quheshin votues të majtë të sigurt (që votonin për PSSH apo për një nga aleatët në koalicion me PSSH), pra 1) së pari ata duhej të vinin të votonin; ii) së dyti të votonin për PSSH dhe iii) së treti nëse nuk votonin për PSSH të votonin për koalicionin Bashkimi për Ndryshim.
2. Çdo kandidat për deputet ka firmosur një kontratë me Edi Ramën për realizimin e objektivit elektoral
Të gjithë kandidatët e qarkut firmosën me Edi Ramën një kontratë për realizimin e objektivit elektoral, që më tej iu kërkua çdo kandidati të bënte të njëjtën gjë në nivel zone zgjedhore, bashki/komune dhe qendre votimi. Nuk ishte futur në këtë objektiv sasia e votave që do të vinte nga votuesit e lëkundur, objektiv tjetër ky për çdo kandidat, por që nuk ishte pjesë e kontratës së firmosur. Kjo kontratë për realizimin e këtyre objektivave do të ishte treguesi themelor për vlerësimin e suksesit ekipor dhe individual. Por mbi të gjitha mbi këtë bazë ishte përcaktuar objektivi i PSSH në shkallë rajonale dhe kombëtare. Përcaktimet ishin bërë me siguri të lartë, të tilla që objektivi të ishte realist në kuptimin që ai mund të realizohej. Për më tepër që të gjithë të dhënat ishin grumbulluar, për gjashtë muaj nga strukturat e partiake të patronazhit, ku ishin të angazhuar pothuajse të gjithë personazhet politikë, që tanimë duhej të garantonin në pozicionin e kandidatëve për deputetë realizimin e objektivave që po ata vetë kishin projektuar. Pra, mekanizmi ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që secili kandidat ose kishte përcaktuar (keq/mirë) objektivin ose realizonte apo jo objektivin dhe në të dy rastet përgjegjësia politike nuk mund të transferohej gjetiu. Pyetja që shtrohet është si u realizua objektivi elektoral dhe cilat ishin qarqet që nuk e realizuan objektivin dhe sa ndikoi kjo në rezultatin zgjedhor të përkthyer në mandate të Bashkimit për Ndryshim të drejtuar nga PS për çdo qark dhe në nivel kombëtar.
3. Objektiv elektoral nuk u realizua nga pothuajse të gjithë qarqet
Objektivi elektoral në shkallë kombëtare për aleancën Bashkimi për Ndryshim ishte rreth 810 mijë vota, ky objektiv ishte i dyfishtë 1) “të arrinte pjesëmarrjen e duhur dhe 2) nga votat tradicionale dhe rritja e pjesëmarrjes e nga aksioni politik të garantoheshin 810 mijë vota të vlefshme”. Aleanca e drejtuar nga PS grumbulloi vetëm rreth 690 mijë vota pra, rreth 120 mijë vota më pak se objektivi. Mosrealizimi i këtij objektivi i kushtoi aleancës së drejtuar nga PSSH rreth 6-8 mandate. Kjo do të thotë se objektivi ishte 72-73 mandate, ndërkohë që realisht u fituan vetëm 66 mandate. Ky objektiv në mandate arrihej edhe me votat që aleanca e PD ka aktualisht, pra edhe me të gjithë ato vota që mendohet se janë manipuluar nga PD në favor të rritjes së votave të saj. Pra, 6-8 mandatet e munguara vijnë vetëm nga mosrealizimi i objektivit elektoral dhe nuk mund të shpjegohen me manipulimet e PD.
4. Në vetëm pesë qarqe mosrealizimi i objektivit nuk pati ndikim në zvogëlimin e mandateve
Mosrealizimi i objektivit në qarqet Tiranë (98 për qind ose minus rreth 3500 vota), Durrës (94 për qind ose minus rreth 3 mijë vota), Korçë (90 për qind ose rreth 7 mijë vota), Lezhë (rreth 70 për qind ose minus rreth 11 mijë vota) dhe Gjirokastër (rreth 89 për qind ose minus 3500 vota) nuk ka pasur ndikim në rezultat në mandate. Pra, në këto qarqe është sikur objektivi të realizohej plotësisht numri i mandateve do të ishte i njëjtë me atë që mori PSSH në 28 qershor 2009.
5. Qarqet që nuk kanë realizuar objektivin me ndikim të zvogëlimit të numrit të mandateve
Në shtatë qarqet e tjerë mosrealizimi i objektivit ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të mandateve për koalicionin e drejtuar nga PSSH. Më konkretisht mund të thuhet se të shtatë mandatet e munguar vijnë për shkak të mosrealizimit të objektivit elektoral në tetë qarqet Kukës, Dibër, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat e Shkodër. Më në detaje situata në renditjen nga realizimi më i vogël drejt më të madhit është si më poshtë.
a) Qarku Dibër paraqitet me keq në shkallë kombëtare me realizimin e objektivit elektoral në nivelin rreth 61 për qind ose duke grumbulluar rreth 23 mijë vota nga rreth 37 mijë që ishte objektivi, pra minus rreth 14 mijë vota pra shume larg objektivit. Kjo ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit. Për më tepër në qarkun e Dibrës PSSH ka grumbulluar rreth 10,500 vota më pak se në vitin 2005, pra regres edhe në krahasim me vitin 2005.
b) Qarku Kukës paraqitet keq me realizimin e objektivit elektoral, duke grumbulluar rreth 13,300 vota nga rreth 20,400 që ishte objektivi pra minus rreth 7 mijë vota, relativisht larg objektivit. Kjo ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit. Për më tepër në këtë qark po ashtu janë grumbulluar rreth 5 mijë vota më pak se në vitin 2005.
c) Qarku Shkodër paraqitet me mosrealizimin e objektivit elektoral duke grumbulluar rreth 41 mijë vota nga rreth 61 mijë që ishte objektivi pra minus rreth 20 mijë vota. Kjo ka çuar në mosfitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit. Mund të duket në pamje të parë i lartë objektivi elektoral në këtë qark, por edhe me rreth 8 mijë vota më shumë sesa u grumbulluan në 28 qershor 2009 mund arrihej marrja e mandatit të pestë në këtë qark. Edhe në këtë qark PSSH ka grumbulluar rreth 4 mijë vota më pak se në vitin 2005, pra regres në krahasim me vitin 2005.
d) Qarku Berat paraqitet me mosrealizim të objektivit elektoral, duke grumbulluar rreth 44 mijë vota nga rreth 56 mijë që ishte objektivi pra minus rreth 12 mijë vota. Kjo ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit, bile duke pasur parasysh se Berati nuk arriti të merrte mandatin e pestë për rreth 500 vota (për shkak të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, të cilësuar të padrejtë nga PSSH) mund të thuhet se mosrealizimi i objektivit ka penguar edhe marrjen e mandatit të gjashtë sipas objektivit elektoral.
e) Qarku Fier paraqitet po ashtu me mosrealizim të objektivit elektoral, duke grumbulluar rreth 92 mijë vota nga rreth 110 mijë që ishte objektivi pra minus rreth 18 mijë vota. Kjo ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit. Duhet pasur parasysh se objektivi i Fierit është shumë i lartë ndërkohë që Fieri ka arritur një rezultat të lartë në krahasim me vitin 2005, dhe ndoshta për këtë qark parashikimi për 10 mandate mund të mendohet se ka qenë ndoshta ambicioz, pavarësisht se atë e kanë projektuar vetë strukturat e PSSH në këtë qark.
f) Qarku Elbasan paraqitet me mosrealizimin e objektivit elektoral, duke grumbulluar rreth 74 mijë vota nga rreth 88 mijë që ishte objektivi pra, minus rreth 14 mijë vota. Kjo ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit. Ky qark është pas katër qarqeve të veriut që kanë pasur regres krahasuar me vitin 2005 duke grumbulluar vetëm rreth 1250 vota më shumë ndërkohë, që në shkallë kombëtare PS ka marrë rreth 82 mijë vota më shumë në 2009, në krahasim me 2005 ose ndryshe nëse në shkallë kombëtare rritja është 15 për qind në Elbasan kjo rritje është vetëm 2 për qind.
g) Qarku Vlorë paraqitet me mosrealizimin e objektivit elektoral duke grumbulluar rreth 59 mijë vota nga rreth 64 mijë që ishte objektivi pra, minus rreth 5 mijë vota. Pikërisht kjo sasi votash ka çuar në mos fitimin e një mandati në këtë qark sipas parashikimit/programimit.
Duhet pasur parasysh se peshën kryesore në realizimin e objektivit elektoral e kishte PSSH, si përsa i përket votave që duhet të grumbullonte si parti, ashtu edhe votave që ajo kishte identifikuar si të majta që duhej të alokoheshin për koalicionin BPN është e qartë që përgjegjësia për mosrealizimin e objektivit i përket PSSH dhe jo aleatëve për më tepër që kjo kontratë ishte firmosur nga çdo kandidat i PSSH. Kjo analizë i përket tërësisht PSSH.
6. Në vend të përfundimit...
Pa dashur të bëj analizën e faktorëve që kanë ndikuar në mosrealizimin e objektivit elektoral dhe pa dashur të mohoj apriori ndikimin eventual të parregullsive e në rritjen e rezultatit të aleancës së drejtuar nga PD (por pa ndikim në mandatet e mundura të PSSH) duhet pranuar se mosrealizimi i objektivit elektoral nga PS përbën një tregues themelor që duhet analizuar me seriozitet, sidomos për të ardhmen nëse kërkohet të ndërtohet një platformë fitoreje. Duhet pranuar se teknologjia e matjes së suksesit përmes realizimit të objektivave kolektivë dhe individuale është jo vetëm moderne, por edhe e vetmja për një sistem proporcional me listë të mbyllur. Për më tepër objektivi elektoral ka qenë një tregues i vetëpërcaktuar nga strukturat partiake dhe mbi të gjitha i firmosur nga të gjithë kandidatët për deputetë. Ripërsëris (për të gjithë ata që duan të diskutojnë objektivin elektoral) se ky nuk është objektiv i caktuar as nga unë dhe as nga dikush tjetër, por i drejtuar dhe vendosur nga vetë Edi Rama. Duke pasur parasysh se i) manipulimet e aleancës së drejtuar nga PD kanë rritur kryesisht vetëm votat e saj, ii) dhe me shumë gjasa votat e aleancës së drejtuar nga PSSH janë afër realitetit si dhe iii) llogaritjet e mandateve të munguara janë bërë mbi bazën e votave reale të PD rezulton se mandatet e munguara vijnë kryesisht për shkak të mosrealizimit të objektivit elektoral nga PS dhe jo nga manipulimet e PD. Pra, arsyet e mos fitimit të 6-8 mandateve duhen kërkuar pasi të bëhet analiza në këtë sens. Po ashtu më duhet të risqaroj se e gjithë kjo teknologji është drejtuar/monitoruar nga vetë Edi Rama. Ky është një indikator i rëndësishëm për të zhvilluar analizën dhe ndoshta i vetmi tregues sasior për të matur suksesin kolektiv apo individual. Në rast suksesi të PSSH atëherë meritat do të ndaheshin mbi bazën e këtij treguesi suksesi kurse tani që PSSH ka humbur përgjegjësia duhet të ndahet mbi bazën e po këtij treguesi që tani është tregues mossuksesi. Vetëm kështu mund të analizohej realisht humbja për të mundësuar të projektohej fitorja në të ardhmen. Kam besuar dhe besoj shumë në suksesin e kësaj teknologjie moderne dhe të vetme në kushtet e këtij sistemi zgjedhor.