E Diel, 1 Nëntor 2026

Moisiu: Politika, biznes fitimprurës për politikanët

 

Alfred Moisiu

“Kujtimet” e mia janë kujtime të një Presidenti që, as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdhi në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeu me besnikëri qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë”. Kështu shprehet në krye të librit të tij me kujtime “Midis Nanos dhe Berishës”, ish-Presidenti I Republikës, Alfred Moisiu. Libri, i cili sapo është hedhur në tregun shqiptar nga shtëpia botuese “Toena”, është pjesë e kolanës me tre vëllime, Moisiu ka hedhur kujtimet e tij. Në vëllimin e parë përfshihen ngjarje të viteve 1929-1958, fëmijëria, lufta, shkollimi, fillimi i punës. Vëllimi i dytë përshkruan ngjarjet e viteve 1958-2002, vitet e punës, jeta në ushtri. Ndërsa vëllimi i tretë, i cili sapo iu ofrua lexuesit përmban ngjarjet e nxehta të viteve 2002-2007, gjatë të cilave, Moisiu kreu funksionin e lartë të Presidentit të Republikës. Ai përshkruan momentet më të rëndësishme në arenën politike të kohës, si dhe marrëdhëniet me liderët e dy forcave më të mëdha politike, Fatos Nano e Sali Berisha. Në një hyrje që paraprin vëllimin, Moisiu sqaron lexuesin se përse ai ndërmori këtë nismë. “Unë jam përpjekur të jem korrekt me mendimet e vlerësimet e mia për ngjarjet në kohën kur ato kanë ndodhur, pa retushime, pa analiza retrospektive, pa i parë personat dhe ngjarjet në ndryshimet apo deformimet e mëvonshme”, shkruan ai. A.M

Shqipëria ka një traditë  modeste të funksionimit  të institucionit të Kryetarit të Shtetit. Brenda 100 viteve të Shtetit shqiptar, u kalua nga eksperimentet e drejtimit nga prijës të huaj, presidentë e monarkë shqiptarë, regjime regjence në kohë pushtimesh, diktaturë të modelit stalinist dhe së fundi, prej vitit 1992, në një sistem demokratik ku për herë të parë krijohet dhe ushtrohet funksioni demokratik e kushtetues i Presidentit të Republikës. Brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, për shkak të rrethanave, specifikave të ngjarjeve, politikës vendore dhe gjeopolitikës rajonale, kanë ndodhur zhvillime me ndikim të madh në jetën e çdo qytetari, të sistemit politik dhe të vetë shoqërisë shqiptare. Të jesh dëshmitar i këtyre zhvillimeve është një përvojë e veçantë, por të jesh edhe protagonist i tyre, përvoja merr kuptim tjetër dhe merr vlera të jashtëzakonshme.
Unë pata nderin dhe fatin që, për pesë vjet t’i shërbeja popullit dhe vendit tim në detyrën e Presidentit të Republikës. Përgjegjësia e kësaj detyre dhe respekti im i thellë për bashkëqytetarët e mi, më nxitën të hedh në letër një pjesë të madhe të arkivit memorial personal e zyrtar në pesë vitet e drejtimit në krye të shtetit. “Kujtimet” e mia janë kujtime të një Presidenti që, as ditën e parë dhe as të fundit, nuk erdhi në detyrë për të përfituar nga lartësia zyrtare e postit, por si në ditën e parë edhe në të fundit i shërbeu me besnikëri qytetarëve dhe përgjegjësive që burojnë nga detyra e lartë. Si drejtues i lartë i shtetit, duke pasur respekt për memorien institucionale politike e shtetërore, pas përfundimit të mandatit presidencial vendosa që kujtimet e mia të kësaj periudhe t’i bëj të njohura për publikun shqiptar, me qëllimin e mirë që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të mësojnë më shumë dhe më qartë sesi luftova për ndërtimin e një shteti ligjor, për arritjet dhe vështirësitë që kam pasur për probleme të ndryshme, për të cilat u përpoqa me ndershmëri dhe transparencë për t’u dhënë zgjidhje sa më të pranueshme nga i gjithë spektri politik gjatë asaj kohe. Ky libër u dhurohet lexuesve, intelektualëve dhe qytetarëve të thjeshtë që besuan te Presidenti i tyre që, me zemërgjerësinë dhe mbështetjen e tyre, më dhanë kurajë e forcë për ta përmbushur sa më mirë detyrën e lartë të Kryetarit të Shtetit.
Gjatë pesë viteve më ka ndodhur të përjetoj ngjarje të gëzuara e historike, ngjarje dramatike dhe fatkeqësi të rënda, të shkoj e takoj banorët e çdo zone, çdo qyteti, çdo “ishulli” të harruar nga politika dhe njëherësh në emër të vendit tim të bisedoj me pjesën më të madhe të liderëve botërorë. Unë ndihem krenar për pesë vitet e drejtimit të institucionit të Presidencës, duke mos e parë atë si Presidenca ime personale, por një Presidencë të hapur, aktive, qytetare dhe kushtetuese. Ndihem krenar se për herë të parë institucioni i Presidencës kryesoi sondazhet e katër viteve për ndershmërinë dhe besimin publik, se për herë të parë institucioni i Presidentit u bë streha e vetme e shumicës qytetare që mendon mbi e tej partive, tribuna e shumicës që mendon se mbi interesin e vendit nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë interes politik e partiak. Për herë të parë institucioni i Presidentit u shfaq si avokati i vendosur i institucioneve kushtetuese, roje e Kushtetutës dhe e frymës së saj, për një shtet ligjor, demokratik e të integruar.
Në jetën publike dhe sidomos në politikë, nuk ka kritere të prera mbi atë së çfarë përbën sukses e risi dhe çfarë hyn në pjesën e zakonshme të punës. Por në gjykimin tim ka një kriter të pandryshueshëm, i cili peshon më shumë se çdo gjë tjetër vlerat dhe gjykimin e punës për politikanët dhe vendimmarrësit politikë. Ky kriter është reagimi qytetar, i njerëzve të thjeshtë dhe i rretheve profesioniste. Të parët flasin me zemër, të dytët flasin me krahasime dhe fakte. Unë kam pasur fatin të përjetoj të dy rrethanat, të marr prej qytetarëve të shumtë, përmes takimeve direkte, bisedimeve, letrave e mesazheve, vlerësime e fjalë inkurajuese, edhe pse shumica e tyre kanë qenë të panjohur më parë personalisht. Më ka ndodhur që pas mbylljes së mandatit kushtetues presidencial të udhëtoj në shumë rrethe nga Saranda në Shkodër dhe të takoj shumë bashkëqytetarë, të cilët pa kurrfarë interesi, njohje apo lidhjeje, më kanë emocionuar me fjalët, respektin që kanë treguar për punën time si Kryetar Shteti. Sipas mënyrës së tyre, me fytyrë të qeshur, e shprehnin simpatinë për mua duke e konkretizuar edhe me disa shprehje popullore, ku disa prej tyre më kanë mbetur në kujtesë siç është rasti i një pushuesi nga Fieri, i cili më tha: “Zoti President, si qytetar shqiptar ju përgëzoj për punën që keni bërë gjatë këtyre pesë viteve si drejtues i shtetit shqiptar. Kam ndjekur me vëmendje fjalimet tuaja dhe ju vlerësoj si një personalitet që keni kontribuar dhe menduar për vendin dhe popullin, ndaj jo pa domethënie kuptimplote një fjalë e vjetër popullore thotë: “Shartohet dega, nuk shartohet rrënja”. Kurse një qytetar tjetër i konkretizoi mendimet tij pozitive duke u shprehur: “Burri prej fisi është si druri prej lisi”. Të them të drejtën, ndjeva kënaqësi që, pas mbarimit të mandatit, dëgjova fjalë të tilla nga qytetarë të thjeshtë dashamirës.
Pra, nëpërmjet këtyre mendimeve të njerëzve të thjeshtë, njeh përvojën historike të popullit, se në përzgjedhjen e njerëzve në drejtim ka shumë rëndësi prejardhja e tyre, e cila është tregues i karakterit, vendosmërisë, pastërtisë morale dhe sjelljes në punën e tyre. Kështu p.sh., flitet shumë për luftën kundër korrupsionit, që vërtet është një plagë e madhe, por si mund të pretendosh të luftohet korrupsioni, kur në vende ku mund të ketë fushë veprimi për korrupsion vendosen njerëz të pastudiuar mirë nga prejardhja e tyre. Nuk mund të vendoset p.sh., një drejtues, gjyqtar, polic, nëpunës tatimor etj., pa njohur dhe studiuar më parë prej nga vijnë këta njerëz, çfarë rrethi kanë, a kanë lidhje me grupet kriminale, a kanë në rrethin familjar mashtrues, hajdutë e të tjera. Fatkeqësisht deri tani, ata janë parë thjesht nga angazhimi i tyre partiak apo klanor. Nuk ka dyshim që këta lloj njerëzish nuk mund t’i shmangen korrupsionit, përkundrazi bëhen bartës të rrezikshëm të tij.
Ndaj dhe tendenca e pasurimit nëpërmjet politikës u transformua në një garë midis politikanëve. Politika u kthye në një biznes fitimprurës, jo vetëm nëpërmjet krijimit të lehtësirave personale dhe të së afërmve, por edhe duke përdorur forcën e pushtetit për të luftuar me konkurrencë të pandershme ata që mund të kenë sukses. Shohim se edhe sot e kësaj dite, lufta politike dhe ndeshjet verbale midis politikanëve të krahëve të ndryshëm, shkon në skajet më të pabesueshme, në kuptimin e akuzave nga më monstruozet, të cilat pasi arrin tejngopja e tregut propagandistik ose mbarimi i fushatës elektorale, zhvleftësohen në zero, sikur të mos ishin dëgjuar kurrë ndonjëherë. Më e keqja në këto veprime, të cilat tashmë kanë fituar një qytetari të pranueshme, gati nga të gjithë, është se ato janë bërë modë e të vepruarit politik në vendin tonë. Akuzat dhe shpifjet, që lëshohen nga politikanët ndaj njëri-tjetrit, luajnë rolin e përkohshëm të së ushqyerit jo vetëm të militantëve, por edhe të pjesës së popullatës më pak të njohur me këto truke. Pra, nga ana e tyre, bëhet një politikë dhe propagandë, jo vetëm e paprinciptë dhe imorale, por e tillë që çorienton dhe nuk zgjidh problemin real. Për pasojë kemi humbur dhe po humbasim shumë kohë, duke krijuar kështu një tranzicion të stërzgjatur, demoralizues dhe pengues për politikat integruese.
Ndihem krenar për vlerësimet e larta që mora nga presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush, nga Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar Elisabeth, nga presidenti i Polonisë, nga presidenti Mesiç dhe disa shteteve të tjera, dhe së fundi, por me simbolikë të veçantë, nga udhëheqësi historik i Kosovës, presidenti Ibrahim Rugova. Çdo vlerësim e kam parë dhe trajtuar si vlerësim për vendin tim, të cilin pata fatin ta drejtoj në një periudhë historike të rëndësishme të mbylljes së tranzicionit, integrimit euroatlantik dhe të pavarësisë së Kosovës.
Një politikan i shquar i vendit tonë, duke më takuar pas shumë kohësh në një pritje, më thotë: “Kam dëgjuar se po shkruan kujtime?!”. “Po”, i përgjigjem. Më tej ai vazhdoi: “Gabim, nuk të ka ardhur koha për të shkruar kujtime, ka kohë, mos u bëj qejfin, ka akoma gjëra për të bërë”. Sigurisht që unë nuk mund të isha dakord me një mendim të tillë. Në konceptin tim, kujtimet dhe publikimi i përvojës personale në krye të shtetit i shërbejnë nevojës që publiku i gjerë dhe memoria historike të njohë e gjykojë mbi zhvillime të panjohura ose jo, të punës së Kryetarit të Shtetit, si qytetar i parë i vendit dhe njëherësh, si qytetar i barabartë midis të barabartëve. Përvoja dhe aktiviteti im nuk janë e nuk mund të jenë vetëm personale, ato janë pasuri e pronë e publikut, e institucionit, e shtetit. Ndaj vlerësoj se këto kujtime të pesë viteve në krye të Shtetit Shqiptar, duhet të jenë pronë reale e publikut, ndaj edhe vendosa të punoj për hedhjen në letër dhe botimin e tyre.
Kujtimet e mia nuk synojnë të bëjnë një analizë të gjithë tranzicionit politik nëpër të cilin ka kaluar vendi; ato janë të kufizuara në kohë dhe në problematikë, në varësi nga axhenda politike dhe funksionale e mandatit tim presidencial. Unë jam përpjekur të jem korrekt me mendimet e vlerësimet e mia për ngjarjet në kohën kur ato kanë ndodhur, pa retushime, pa analiza retrospektive, pa i parë personat dhe ngjarjet në ndryshimet apo deformimet e mëvonshme. Nëse do të bëja ndryshe, atëherë kujtimet nuk do të quheshin të tilla. I vetmi “kapërcim” në kohë ka të bëjë me probleme të veçanta, me rëndësi edhe aktuale, për të cilat unë ia kam lejuar vetes të jap sugjerimet dhe këshillat e mia, se si duhen trajtuar nga shteti e shoqëria për zgjidhje.
Sigurisht, nuk pretendoj që këto mendime dhe konkluzione të jenë nga më të mirat dhe më të arrirat, por nisur nga përvoja e viteve do të bëj të gjitha përpjekjet që ato t’i vë në ndihmë jo vetëm të politikës, por të së gjithë jetës së vendit, të vlefshme ndoshta për të bërë korrigjimet e duhura. Sigurisht që çdo mendim dhe vlerësim do të varet nga pikëpamjet dhe interesat personale të secilit politikan apo të forcës politike që ai përfaqëson. Unë do të përpiqem të flas në emër të interesave të së ardhmes së Shqipërisë dhe zhvillimeve të saj, pasi për mua as ka pasur dhe as nuk mund të ketë asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme sesa fatet e vendit dhe të popullit tim. Edukimi, tradita dhe fati im më kanë bërë që unë të jem deri në fund idealist. Për shumë të tjerë kjo mbase mund të jetë e pakuptueshme dhe e çuditshme, por ja që unë i tillë jam dhe nuk jam penduar aspak për këtë. Shpresoj që idealizmi im nuk do të shkoj dëm, ai do të jetë frymëzues për intelektualët e rinj, patriotë të së ardhmes. Asnjë vend nuk ka ecur përpara pa idealistë. Asnjë vend nuk është bërë pa kontributin dhe sakrificat e idealistëve. Po të shohim periudhën e Rilindjes, duket qartë që rilindasit tanë shkrinë pasurinë e tyre dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të bërë Shqipërinë, ndërsa sot për fatin tonë të keq, po zhbëhet Shqipëria për t’u pasuruar politikanët.

Meidani: Moisiu, shumë pengesa gjatë presidencës

Tranzicioni shqiptar, sa i
    vrullshëm dhe përm
    bysës, frymëzues e emocionues, në momente të caktuara është shoqëruar me mjaft karakteristika negative, pse jo dhe me zigzage të rrezikshme e kthime prapa. Në jo pak raste, përveç vështirësive të natyrshme e objektive, po aq problematike kanë qenë dhe gjenerimet politike, aspektet subjektive të origjinave të ndryshme, intolerancat sa primitive, aq dhe partiake. Diku i ndikimeve, përvojave dhe konceptimeve të mëparshme të partisë–shtet apo ekonomisë së centralizuar, diku i korrupsionit politik e administrativ dhe diku tjetër i frymës nepotike e bajraktariste në vend në drejtimin ligjor-institucional, brenda strukturës shtetërore apo partiake. 
Pikërisht, me një ndërgjegje shtetërore të kultivuar në vite, me një shqetësim sa qytetar, po aq dhe institucional ndaj këtyre shformimeve, bën fjalë dhe Alfred Moisiu, në librin e tij “Kujtime”. Aty, shpalosen me qetësi e kujdes kujtimet e ngjarjet, ndërhyrjet dhe veprimet, sukseset e dështimet, dëshirat dhe mundësitë etj., që e kanë shoqëruar z. Moisiu për periudhën 5 vjeçare (2002 -2009), në të cilën ai ka kryer detyrën e Kryetarit të Shtetit. Gjatë kësaj periudhe, Presidenti Moisiu, me gjithë përpjekjet e përditshme për t’i mënjanuar, ai ka ndjerë në vazhdimësi “kërrabat” dhe pengesat e pakuptimta të politikës së ditës, pse jo dhe paturpësitë e primitivizmin, arrogancën dhe egërsinë e saj, pse jo dhe jo pak fyerje publike e marifete “lojtarësh” hileqarë apo ndihmës të tyre krejt “të budallepsur” në servilizmin e tyre të paskrupullt ndaj liderit. Për më tepër që pengesa të tilla nuk lidheshin aspak me interesa të përgjithshme apo perspektive, por thjesht në funksion të vetes, të së afërmve e klanit familjar-partiak; jo në shërbim të shtetit, të progresit shoqëror e ekonomik, zhvillimit demokratik e emancipimit politik-kulturor, por thjesht e vetëm të interesit të “bosit” politik, të pushtetit individual të kryetarit, apo interesave të dyshimta kryeministrore e ministrore. Pse jo, edhe duke krahasuar, në funksionimin konkret, dy termat e veçanta të binomit politik, vetë protagonizmin tepër të gjatë të tij midis sherrit e paqes, shkatërrimit të shpresës e ndërtimit të saj!...
Në përgjithësi, duke analizuar me këtë sy, nuk është e rastit që autori, diku në libër, thekson me mjaft shqetësim e forcë se: “Rezultati i këtyre politikave ka sjellë zgjatjen e këtij tranzicioni, që në vazhdimësi është shoqëruar me rritjen e varfërisë, të papunësisë, të korrupsionit, të krimit dhe të tjera probleme negative. Në vazhdimësi, si rezultat i një lufte politike jo të standardeve evropiane, kemi pasur dobësim të shtetit, përkeqësim të administratës, dobësim të Policisë të Shtetit, derisa tani po shkohet drejt policive partiake, e të tjera negativitete të këtij karakteri, që nuk kanë asgjë të përbashkët me një shtet demokratik dhe ligjor.
Dihet se për të hyrë në dialog ka shumë rëndësi që në radhë të parë te palët, të ketë dëshirë dhe gatishmëri, pra të ketë vullnet politik për të ndryshuar situatën e krijuar. Por eksperienca ka treguar se negociatat kanë dështuar, sepse politikanët tanë i përdorin ato më shumë si manovër taktike, sesa si mjet për arritjen e mirëkuptimit për një zgjidhje të vërtetë. Ndaj si të tillë refuzojnë të dalin nga pozicioni i tyre i fortifikuar ku janë vendosur që në fillim, ngaqë si pikësynim gjithmonë kanë arritjen e qëllimeve të caktuara. Për të lëvizur nga këto pozicione, zakonisht janë dashur ndërhyrjet e të huajve, gjë që tregon jo vetëm dobësi, por dhe inferioritet të panevojshëm”...

* * *
Po të studiohet me kujdes tranzicioni politik-ekonomik apo ai institucional shqiptar, krahas mishërimit me dashje apo pa dashje të koncepteve institucionale-politike të partisë-shtet, vihet re se fuqia legale gjatë këtyre 18-19 viteve të tranzicionit nuk është ushtruar gjithnjë nga institucionet kushtetuese (ekzekutive, legjislative apo gjyqësore). Krahas tejkalimit të fuqisë së njërit pushtet apo tjetrit, kjo fuqi legale është zëvendësuar, diku më shumë e diku më pak, nga faktorë e “filozofi” të tjera, nga struktura të tilla si:
 - partitë politike, forumet apo drejtuesit e tyre (si vepruese e shprehëse të mendësisë së partisë-shtet);  
 - forcat e sigurisë (policia, garda, shërbimi informativ apo forcat e armatosura), si në rastin e krizës së piramidave financiare; 
 - grupet financiare e ekonomike, përfshirë dhe operatorë mediatikë (si shprehje e korrupsionit politik dhe kapilar, apo e konfliktit të interesave);
 - faktorë të jashtëm (si pasqyrim i paaftësisë apo kompleksit të inferioritetit të politikës shqiptare).
     Ndryshe nga periudha tejet ekstreme e krizës së skemave piramidale, ku u futën në veprim deri dhe forcat e sigurisë, në të gjithë periudhën tjetër janë konstatuar, vrojtuar, matur e ndërthurur midis tyre si mendësia e partisë-shtet së bashku me kultin e kryetarit, ndikimi politik i korrupsionit të gjithanshëm (deri në faza delikate, tepër të afërta me kapjen e shtetit) apo paaftësia në rekrutim dhe kompleksi i inferioritetit. Gjatë mandatit të tij presidencial, z. Moisiu, me një përgjegjshmëri kushtetuese-ligjore dhe me një durim të lartë qytetar, duhet të përballej pikërisht me këto ndikime e pengesa të ndryshme, të frymëzuara drejtpërsëdrejti nga politika apo të ushqyera prej saj.

* * *
Si dëshmitar dhe, mbi të gjitha, si protagonist i zhvillimeve shqiptare, në radhë të parë të periudhës 2002-2007, ai ka hedhur në letër shënimet e tij, për t’i qëndruar besnik historisë së kohës apo dhe zhvillimit të ngjarjeve konkrete, diku tepër madhore në planin shtetëror e kombëtar, diku tepër të thjeshta e njerëzore në planin individual. Natyrisht, edhe duke i rezistuar sfidave, pa iu dridhur “qerpiku” i vlerësimit politik e qytetar, bile dhe pavarësisht acarimit të situatave institucionale apo “ngrirjes” së marrëdhënieve midis krerëve kryesorë shtetërorë. Megjithatë, jo ashtu si do t’i rezultonte nga zbardhja e shënimeve në kushte akoma më problematike, sikurse ndodhi në 1998 si “arratisje” e një kryeministri apo goditje institucionesh prej një ish-presidenti!...
Nga ana tjetër, në libër, autori është përpjekur të realizojë dhe disa nga analizat e veta politike, mjaft të dobishme në leximin e proceseve shqiptare, qofshin ato të brendshme apo të jashtme, por dhe të emetojë mjaft mesazhe të nevojshme, që në thelbin dhe thjeshtësinë e tyre, përgjithësisht, i kanë rezistuar kohës...
Brenda një optike të gjerë, ky libër kujtimesh, por dhe mesazhesh të qarta, më shpesh të drejtpërdrejta, i realizon më së miri qëllimet e tij në aspektin institucional-qytetar, dhe politik–artistik. Ai në duart e lexuesit të vëmendshëm është intrigues dhe i dobishëm, tërheqës dhe i rrjedhshëm. Pse jo dhe njëfarë udhërrëfyesi për të kuptuar tipizimet individuale e orientimet psikike-sociale; përplasjet e paqëndrueshmëritë, luhatjet dhe acarimet brenda politikës apo institucioneve shtetërore, të prodhuara po prej saj. Madje, jo patjetër për shkaqe vetëm të brendshme!
Në fund të fundit, siç e thekson në “Hyrje” vetë Presidenti Moisiu: “Përgjegjësia e kësaj detyre dhe respekti im i thellë për bashkëqytetarët e mi, më nxitën të hedh në letër një pjesë të madhe të arkivit memorial personal e zyrtar në pesë vitet e drejtimit në krye të shtetit”. Dhe, për këtë përpjekje ai, pa dyshim, vlen të përgëzohet...

Përmbajtja

-    Në vend të Parathënies
-    Hyrje
1.     Situata politike përpara zgjedhjes sime si President
2.     Si u arrit tek emri im
3.     Periudha nga zgjedhja deri tek betimi në Parlament
4.     Betimi si President dhe fillimi I detyrës
5.     Impenjimi si President i Republikës
6.     Në vazhdim të detyrës, gjatë vitit 2003
7.     Toleranca fetare, një pasuri e madhe kulturore e shqiptarëve në shekuj
8.     Përballimi me vështirësitë e krijuara
    gjatë vitit 2003
9.     2004, ky vit i hidhur dhe i mbrapshtë!
10.     2005-a viti i ndërrimit të pushteteve
11.     Me Berishën Kryeministër, gjatë vitit 2005
12.     Viti 2006, shpresë për bashkëpunim më të mirë me kryeministrin për të mirën e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj
13.     Në muajt e fundit të mandatit presidencial
14.     Në vend të epilogut

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›