Malaj: PS të fokusohet te gara, jo te rezolutat
PS po fokusohet shumë te rezolutat, ndërkohë që duhet të përqendrohet në garën brenda saj. Kandidimi i vetëm i shpallur deri tani për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Arben Malaj, tha në një prononcim për mediat se në vizionin e tij zhvillimet në PS duhet të sjellin zgjidhje dhe mundësi të reja për garat e ardhshme zgjedhore. Sipas tij, forcat politike nuk dëmtohen nga gara brenda tyre, por nga keqpërdorimi i autoritetit të kryetarit. “Eshtë e pafalshme që kaq shumë jemi fokusuar të rezolutat, kur duhet të fokusohemi te një garë e brendshme në parti e cila krijon më shumë transparencë për gjithë zhvillimet tona, marrin pjesë më shumë kolegë me vizion të ndryshëm, po me përkushtim të njëjtë dhe ne jemi më bindës në elektorat. Në përgjithësi partitë politike nuk dëmtohen nga gara, ato dëmtohen nga solidariteti i sëmurë apo nga keqpërdorimi i autoritetit të kryetarit apo të të zgjedhurve në forumet e saj”, tha Malaj. Duke u ndalur në platformën që do të paraqesë në kongresin e 29 gushtit, kandidati për kryetarin e PS-së, tha se kjo forcë duhet të ketë një vizion të qartë dhe pa një lidership me pushtet absolut. “PS pa një vizion të qartë, pa koalicione në rritje dhe pa një lidership që i maksimizon të gjithë aktorët e saj, dhe jo thjesht, ka një pushtet absolut në dorën e tij dhe do të jetë e vështirë që ne do të jemi optimistë në sfidat e ardhshme të PS”, vijon ai. Në vizionin e Malajt, në rrugën e re tashmë në opozitë, kryetari i ardhshëm i PS-së padyshim që do të ketë rol kyç. “Eshtë momenti që të kemi një lider që të jetë i barabartë mes të barabartëve. Unë besoj se një lider i PS nuk duhet të jetë ai që gjen epitetin më të bukur në një përplasje mediatike me maxhorancën, por krijimi i ekipeve”, u shpreh Malaj. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje figurave të Partisë Socialiste, që të bëhen pjesë e zgjidhjes së kësaj krize, që erdhi nga humbja më 28 qershor.