Bogdani: Goli im për ty Brian, u prehsh në paqe!
Erjon Bogdani, protagonisti absolut i Kievos në fitoren 3-1 kundër Xhenoas, takim ku sulmuesi shqiptar realizoi një gol e fitoi një penallti, nuk mund të mungonte kurrsesi në Cervia në funeralin e Brian Filipit, futbollistit 20-vjeçar i Ravenës, i cili vdiq të premten e kaluar si pasojë e një incidenti. Erjon Bogdani nuk mund të mungonte për të shoqëruar Brianin, në udhëtimin e tij të fundit. Pikërisht, golin e tij të parë sezonal në Serinë A, Erjoni ia kushtoi Filipit. Një shpërthim i tij, duke iu drejtuar me duart lart qiellit, një shenjë e qartë si për t’i thënë shpirtit të Brianit: “Ky gol është për ty”. Në funeralin e Brian Filipit në katedralen e vogël të qytezës bregdetare të Cervias ishin shumë personazhe të botës së sportit. Komplet skuadra dhe drejtuesit e Ravenës, midis tyre edhe disa ish-lojtarë e shokë të Brianit te Ravena, si Zizari, Pivoto, Zekin e Kalci, përfaqësues nga skuadra e moshave të Cervias, në të cilën Filipi kishte milituar përpara së të vishte bluzën verdhekuqe të Ravenës. Edhe skuadrat e Riminit e Cezënës ishin të përfaqësuara me nga një delegacion lojtarësh. Filipi vdiq gjatë transportimit për në spital, pasi ishte përplasur nga një makinë në rrethrrotullimin e Cervias, pak metra larg shtëpisë së tij, ndërsa ecte përgjatë trotuarit se bashku me shokun e skuadrës e mikun e tij, Stefano Skapini. “A jam i lumtur? Natyrisht që po. Gjithsesi, më duhet të them se futbolli ndonjëherë është i çuditshëm,”- deklaroi Bogdani. “Kur shënon një gol bëhesh menjëherë protagonist, kurse në rastet kur nuk gjen rrugën e rrjetës, sakrificat nuk të vlerësohen, edhe pse në fushën e lojës mund të japësh maksimumin. Pavarësisht kësaj, falënderoj trajnerin e Kievos, Di Karlo dhe stafin teknik që më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Është merita e tyre që po kaloj një formë të mirë fizike”. Vetëm pak kohë më parë sulmuesi i përfaqësueses shqiptare shihej si një element i panevojshëm për Kievon. Madje u spekuluan destinacione të ndryshme, në Serine A apo edhe në kampionatin anglez, por Bogdani vendosi të mos largohej nga Verona. “Nuk kam çfarë të them rreth kësaj teme. Unë gjithmonë mundohem të bëj sa më mirë punën time. Pastaj, golat të ndihmojnë, të rikthejnë buzëqeshjen. Por nuk duhet të harrojmë se pas meje luan një skuadër e tërë, që më ndihmon”. “Agjërimi” përfundoi dhe tashmë Erjoni është i përqendruar në sfidën e radhës me Sienën, klub në të cilin e kujtojnë për paraqitjet e mira në fushë. “Kam kujtime të bukura nga kjo skuadër. Gjithsesi, dua të mendoj vetëm për të tashmen dhe e tashmja ime është Kievo. Kundër Sienës do të jetë një sfidë mjaft delikate, duke qenë se është një përballje direkte mes dy skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Jemi një skuadër e mirë, nuk u trembemi kundërshtarëve dhe fitorja me Xhenoan na ka dhënë më tepër siguri në forcat tona,”- përfundoi Erjon Bogdani. Dyshja e sulmit e Kievos pritet të përbëhet nga Granoche-Bogdani.
Siena-Kievo, derbi i Erjonit
Kështu mund të quhet Siena-Kievo, takim i programuar për të mërkurën në mbrëmje (20:45). Kjo sepse Bogdani ka luajtur për fanellat e të dy ekipeve. Madje shqiptari ka qenë pjesë e bardhezinjve të Sienës përpara se të vishte fanellën verdheblu të Kievos. Bogdani ka luajtur me Sienën në sezonet 2005-2006 dhe 2006-2007, duke shënuar në total 14 gola. Nga Siena shqiptari u transferua te Kievo, ku deri tani ka shënuar 7 gola.
1 gol
ka shënuar Bogdani në katër ndeshjet e para të këtij sezoni të Serisë A
7 gola
ka realizuar Erjoni deri tani në tre sezone me fanellën e Kievos
58
gola ka shënuar “Er-Bomber” në kampionatet e niveleve të ndryshme italiane.
Trajneri Aztori: “Humba një bir”
Sulmuesi shqiptar i Ravenës, Brian Filipi, ndërroi jetë ditën e premte, më 19 shtator, vetëm një muaj pasi kishte mbushur 20
vjeç, më 11 gusht. Filipi mbeti viktimë e një aksidenti rrugor.
I lindur në Lezhë (11 gusht 1989), Brian Filipi militonte prej tre sezonesh te Ravena, që ana e saj e kishte blerë nga Cervia, qyteti edhe ku banonte familja Filipi. Sezonin e kaluar Filipi shënoi në 23 ndeshje, 5 gola. Në funeralin e mbajtur katedralen e Cervias, e ku morën pjesë shumë banorë të qytetit italian, ish-trajneri i Filipit dhe Ravenës, Xhanluka Aztori, tashmë në drejtimin e Katanis, tha pas ndeshjes Katania-Lacio, teksa mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Ciao Brian”, tha: “Për mua ishte fëmija im. Më ka dhënë shumë nga pikëpamja njerëzore”. Trupi i Filipit do të vijë të mërkurën në Shqipëri, në Gjadër të Lezhës. Përcjellja në banesën e fundit do të bëhet ditën e enjte, në orën 16:00, ndërsa në orën 14:00, në qendër të Lezhës do të mbahet një ceremoni për të nderuar të ndjerin Brian. Ditën e shtunë e të diel, në të gjitha stadiumet shqiptare, ku u luajtën ndeshjet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë e të Dytë, por dhe në Itali, në takimet e Serisë A, B, Lega Pro, në këtë fundit aktivizohej Briani 20-vjeçar me Ravenën u mbajt një minutë heshtje në kujtim të tij.
23 Shtator 2009