E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Jam gati të sakrifikohem”

Erion Bogdani është gati për sakrificë. "Por nuk dua të jem i vetmi", - thotë shqiptari për gazetën veroneze "L'Arena". Sulmuesi shqiptar përdor një gjuhë të thjeshtë: "Qëndroj për një projekt të fortë. Kievo ka besim te mua, unë besoj te ata. Por më parë dua të kuptoj atë që më pret dhe pastaj të bëj zgjedhjen e duhur. Në mënyrë korrekte dhe transparente". Erioni, - shkruan gazetari italian Simone Antolini, - i lexon gazetat (italiane) edhe në Shqipëri. Tirana nuk është dhe aq larg. Sitet italiane janë të mbushura me hipoteza: Bogdani te Kaljari, Bogdani te Torino, Bogdani te Siena, Bogdani te Rexhina. Lajme tipike merkatoje.

Bogdani, cila është e vërteta jote?
Nuk kam dëgjuar asgjë, nuk jam kontaktuar. Qëndroj një lojtar i Kievos. Kur të kthehem nga pushimet, do të flas me shoqërinë time. Por jam i qetë, shumë i qetë.
Dëshiron të qëndrosh?
Kam firmosur një kontratë trevjecare. E dini, apo jo? U "martova" me cështjen e Kievos. Megjithatë, pres projektet e reja të klubit.
Projekti yt?
Rilindje. Dëshiroj të jem sa më shpejt në Serinë A.
Me bluzën e Kievos?
Nëse projekti është i rëndësishëm, edhe unë jam gati të bëj një sakrificë të vogël.
Por dëshiron garanci, e vërtetë?
Për garanci kërkoj konfirmimin e pjesëve më të rëndësishme të Kievos aktuale: Lana, Mandeli, Peliser e të tjerë. Të luash në një skuadër të fortë, të lejon të gjesh stimul të rinj, të rinisesh shpejt, të japësh gjithcka nga vetja.
Cfarë nuk do të pranoje?
Nuk mund të jem i vetmi për të sakrifikuar, nuk mund të jem i vetmi që qëndroj. Por kjo besoj se është e kuptueshme. E di mirë se te Kievo i bëjnë gjithmonë gjërat për mirë dhe besoj se ka menduar tashmë për të ardhmen. Nuk pres gjë tjetër përvecse të ulem në tavolinë dhe të flas. E them këtë pasi besoj fort në potencialin e asaj skuadre. Por është e kuptueshme që duhet të vrapojmë të gjithë së bashku.
Kievo e rrëzuar në Serinë B në ditën e fundit, e ke rimenduar?
Shumë herë, shumë herë. Por tani duhet t'i vëmë një gur sipër. Është absurde, është e trishtueshme. Por shkoi ashtu.
Ju në Serinë B, Verona në C. Futbolli veronez ka bërë hapa prapa...
Ishte një sezon i keq, shpresoj i papërsëritshëm. Kievo dhe Verona patën një ecje të përbashkët. Fillim i vështirë, ringjitje, mrekullia dhe shpëtimi midis duarve. Pastaj ndodhi tragjedia finale. E pabesueshme. Një shkatërrim total.
Përse Kievo nuk arriti të shpëtojë?
Paguam nisjen e vështirë, humbëm pikë rrugës dhe në ndeshjen e fundit gjithcka luajti kundër nesh. Koha e qarjeve mbaroi. Kemi detyrën të shohim përpara.
Ju i shikoni me një farë interesi gazetat sportive që shkruajnë...
...Shkruajnë shumë gjëra, të japin gjithmonë kënaqësi. Por nuk është se mendoj më shumë. Këtu jam larg, arrijnë zëra konfuzë. Sitet shqiptare rimarrin njoftimet që publikohen në Itali dhe burimi im i vetëm përfaqësohet nga Kievo. Sic e thashë, cdo gjë do të vijë në kohën e duhur.
Një mesazh për tifozët?
Është akoma shpejt për të lënë mesazhe. Tani nuk kam ikur. Do të kthehem në Verona, te Kievo. Do të flas me Sartorin dhe më pas do të vendosim bashkë.
Flitet për Rexhinën, Kaljarin, Torinon dhe Atalantën
E di, e di. Di gjithcka. Por tani po shkoj të marr diell. Po pushoj, nuk mendoj për asgjë. Kështu kur të kthehem do të jem i karikuar. Më i karikuar se më parë. Do të flasim, do të flasim për gjëra thelbësore. E thashë: unë jam gati të sakrifikohem. Por jo vetëm.
Marrë nga "L'Arena"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›