E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Kryebashkiaku Rama të bëjë transparencë mbi gjobat ndaj ndërtuesve”



Partia Demokratike ka vijuar akuzat e saj ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se u ka vënë gjobë ndërtuesve në këmbim të lejeve të ndërtimit. Ka qenë deputeti Gerti Bogdani, i cili i la bërë thirrje kryebashkiakut Rama të japë llogari përballë opinionit publik. “Kryestrumbullari i korrupsionit në Shqipëri, Edvin Rama, ose siç njihet në median e huaj dhe në rrethin e ndërtuesve si Mr. 20 përqindëshi, po fshihet prej 3 javësh në vrimën e Lepurit. E ftojmë Mr. 20% t’u përgjigjet pa nervozizëm pyetjeve të thjeshta me interes publik. Zoti Rama, a jeni vërtet ju ai që ka firmosur deklaratën e pasurisë të botuar në media? A jeni vërtet ju ai fakir-fukarai që si adresë banese keni Bashkinë dhe që nuk keni më shumë se 3 mijë euro kursime? A jeni ju vërtet ai fakir-fukarai që nuk ka as shtëpi, as katandi?” - u shpreh Bogdani. Ai i ka bërë thirrje Ramës të bëjë transparencë edhe mbi numrin e lejeve të ndërtimit. “Zoti Rama, pse hesht? Pse nuk flet? Pse nuk bën transparencë për numrin e lejeve të ndërtimit? Pse hesht për 20 përqindëshin e gjobës ndaj ndërtuesit Dodë Doçi? Pse hesht për 1 milion dollarët që i keni kërkuar ndërtuesit Dine Fratari? Pse nuk tregoni për numrin e apartamenteve që fsheh në emër të Dritan Avllajt, të njohur si Tan Lepri? Zoti Rama, pse nuk jep shpjegime për pjesën që ndan në emrin e Leprit nga 4 mijë apartamentet te diga e Liqenit, apo për gjysmë milion metra katrorë ndërtim? Çfarë do t’u thoni qytetarëve për qytezën ‘Edvin & Tan Lepri’? Çfarë tmerri të ka kapur që nuk del të përgjigjesh për 20%-shin në kontratën e njërit nga investitorët? Për gjobën me vlerën prej 100 milionë euro që firma ‘Vizion Construction’ është detyruar t’i japë me kontratë partnerit tuaj, Tan Leprit, me provë e jo me fjalë, me firmë e jo përralla, me dokumente dhe jo me deklarata? Ju ftojmë, me shumë durim, dil nga kutia e Leprit dhe fol si burrë! Dil dhe bëj transparencën e kutisë së Leprit! Dil, se gratë të kërkojnë në debat! Dil se shqiptarët duan të të dëgjojnë! Dil dhe nxirre nga barku Leprin e korrupsionit, zoti Rama!” - u shpreh deputeti Bogdani.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›