E Diel, 1 Nëntor 2026

Hajg viziton Beogradin, rikonfirmon mbështetjen për Kosovën



Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Uilliam Hajg ka zhvilluar ditën e djeshme një vizitë në Beograd, ku është takuar me krerët më të lartë të vendit. Vizita e Hajg vjen vetëm disa ditë para prezantimit të projektrezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dhe tentativës së Beogradit zyrtar për t’i dhënë dorën e fundit me anë të disa modifikimeve formale. Gjatë pasdites shefi i diplomacisë britanike është takuar me me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç me të cilin ka biseduar lidhur me synimet serbe. Më pas Hejg është takuar edhe me kryeministrin, Mirko Cvetkoviç, nënkryetarin e qeverisë, Ivica Daçiç, dhe me shefin e diplomacisë Vuk Jeremiç. Hajg është shprehur se do të ishte më mirë që Serbia ta tërhiqte Rezolutën për Kosovën dhe në këtë mënyrë mund të thuhej se mund të flitej për kompromis me BE-në. Ekskluzivisht për “B92” Hajg ka shtuar po ashtu se serbët duhet të pranojnë realitetin e ri dhe të pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Në prag të vizitës së tij në Beograd, diplomati britanik ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, duke u përqendruar tek hapat që po ndërmarrin institucionet e Kosovës, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, në prag të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se shtetet mike të Republikës së Kosovës, nuk do të përkrahin asnjë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që mund të përmbajë çfarëdo lloj gjuhe që mund të interpretohet si thirrje për bisedime të reja për status, apo për çfarëdo riaranzhimi territorial. “Qëndrimi ynë i qartë është se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe integriteti i saj territorial është i pacenueshëm”, citohet të ketë thënë ministri Hejg gjatë bisedës me kryeministrin Thaçi. Kryeministri Thaçi ka përsëritur qëndrimin se Kosova është e gatshme që të ketë bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë, por në asnjë mënyrë nuk do të ketë bisedime që ndërlidhen me çështje të brendshme të Republikës së Kosovës. Ministri Hejg ka vlerësuar lart përkushtimin e kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rritjen e investimeve në veri të vendit, si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të plotë institucional të këtyre komunave. Hejg është kryediplomati i dytë i vendeve të Bashkimit Europian, i cili në shtatë ditët e fundit po qëndron në Beograd.
Të enjten, Beogradin e vizitoi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervele, i cili i kërkoi Serbisë të zhvillojë politikë më fleksibile ndaj Kosovës.

Kongresistët amerikanë vizitojnë Beogradin

Një delegacion i Kongresit amerikan i drejtuar nga kongresisti Uillima Delahunt, demokrat nga Masaçuseti ka filluar një vizitë disa ditore në Serbi. Ata do të takohen me zyrtarë, ligjvënës, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile. Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset e integrimit europian të Serbisë do të jenë në qendër të takimeve. Diplomatët amerikanë po përpiqen të ruajnë një lloj bilanci, në kohën kur Serbia pretendon që të dalë fitimtare në OKB, kur të prezantohet Rezoluta e saj për Kosovën.

Maqedonia nuk do ta përkrahë Rezolutën e Serbisë

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, ka thënë se vendi i tij nuk do ta përkrahë projektrezolutën e Serbisë në OKB-së, me të cilën Beogradi synon bisedime të reja për statusin e Kosovës. “Në këtë moment mund të them se është pothuaj e sigurt se Republika e Maqedonisë nuk do ta përkrahë projekt rezolutën serbe në OKB”, ka thënë Milloshoski. Megjithatë, ai ka shpjeguar se vendimi se cila do të jetë vota e Maqedonisë në OKB nuk është marrë ende zyrtarisht nga Qeveria e Maqedonisë. Por, sipas shefit të diplomacisë maqedonase, qëndrim të njëjtë lidhur me projekt-rezolutën serbe ka edhe Mali i Zi.

Kosovë, fillon hulumtimi i një varreze të mundshme me trupa serbe

Fshati Zhilivodë në komunën e Vushtrisë, rreth 40 kilometra në veriperendim të Prishtinës, është vendi ky dyshohet të ketë një varrezë masive me trupa të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Në hulumtimet që filluan dje, përveç komisionit qeveritar të Kosovës për persona të zhdukur, po merr pjesë edhe një delegacion nga Beogradi, në cilësinë e vëzhguesve. Prenk Gjeta, i cili po merr pjesë në hulumtime, thotë se tani për tani nuk dihet së për sa trupa serbe bëhet fjalë. “Në këtë lokacion është thellësia e madhe që duhet gërmuar rreh 25 metra dhe pasi të hiqet kjo shtresë e dheut atëherë vijmë deri te vendi ku dyshohet të ketë trupa. Ne kemi marrë informacione si një vend i dyshuar dhe po punojmë për të zbardhur të vërtetën”, thotë Prenk Gjeta. Janë edhe dy vende të dyshuara për varreza masive me trupa të serbëve dhe sipas zotit Gjeta ato janë liqeni artificial i Livocit në hyrje të Gjilanit dhe fshati Koshare në kufirin me Shqipërinë, lokacione këto, ku shumë shpejt do të fillojnë hulumtimet.

Iran
Së shpejti do të prodhohet karburant bërthamor

Ali Akbar Salehi, kreu i Oragnizatës së Energjisë Bërthamore në Iran tha se vendi i tij brenda një viti do të jetë në gjendje të prodhojë karburant bërthamor. Sipas Salehit karburanti do të përdoret për centralin nuklear në Teheran që përdoret për qëllime mjekësore. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit pasi nuk ka ndërprerë programet për pasurimin e uraniumit. Vendet perëndimore besojnë se Irani synon prodhimin e armëve bërthamore, akuza që hidhen poshtë nga Teherani.

Izrael
Netanjahu: “Paqja me palestinezët, e arritshme”

Kryeministri izraelit, Benxhamin Netanjahu, beson se një marrëveshje përfundimtare paqësore me palestinezët është e mundur. “Nuk jam naiv. I shoh të gjitha vështirësitë dhe pengesat, por pavarësisht kësaj besoj se një marrëveshje paqe përfundimtare është objektiv i arritshëm. Natyrisht kjo nuk varet vetëm prej nesh, pasi janë dy palë në këtë debat. Nga ana ime dua të ofroj gjithë kohën dhe përpjekjet e nevojshme”, tha Netanjahu gjatë një fjalimi para partisë së tij.

Holandë
Dy të arrestuar nën dyshimet për terrorizëm

Dy persona janë ndaluar nga policia në Holandë pasi në bagazhet e tyre janë gjetur “objekte të çuditshme”. Të ndaluarit udhëtonin nga Shtetet e Bashkuara dhe u ndaluan pas dyshimeve të lindura gjatë kontrollit në aeroport. Mediat amerikane raportojnë se në çantat e personave në fjalë është gjetur një telefon celular i lidhur me një shishe medikamentesh si dhe thika dhe orë dore.Ata u lejuan të udhëtojnë, por autoritetet amerikane kërkuan nga ato holandeze t’i ndalonin me të zbritur në aeroport.

Kore e Jugut
I ofron ndihma humanitare Koresë së Veriut

Për herë të parë që pas konfliktit mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut për shkak të fundosjes së një anijeje luftarake koreanojugore qeveria e Seulit i ka ofruar Veriut komunist ndihma humanitare në shkallë të gjerë. Ndihmat në ilaçe dhe artikuj ushqimorë do t'u jepen viktimave të përmbytjeve në kufirin me Kinën. Ndihmat kapin vlerën e 6,6 milionë eurove. Ndërkohë qeveria amerikane ka ashpërsuar sanksionet e saj kundër Koresë së Veriut.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›