Xhaçka: “Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të japë dorëheqjen”
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, i ka bërë thirrje drejtorit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, që të japë dorëheqjen. Thirrja e deputetes Xhaçka vjen pas publikimit të fakteve nga Partia Socialiste, se kompania “MIA Internacional” është regjistruar në një kohë kur ajo ka përfituar pa tender ndërtimin e 10 hidrocentraleve dhe jo një hidrocentrali, siç pretendon ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
Apeli
“Zoti drejtor i QKR-së, së pari duhet të kuptoni mirë pozicionin e zyrtarit që mbartni mbi supe. Fakti që jeni emëruar drejtor nga ministri i Ekonomisë, njëherazi koleg i ministres Bregu, nuk ju jep asnjë të drejtë as ju që të manipuloni dokumentacionet zyrtare, dhe aq më pak ministres Bregu që t'ju japë urdhra. Zoti drejtor, fakti që Prokuroria ende nuk ka mbërritur në zyrën tuaj, edhe pse duhet ta kishte ndërmarrë këtë veprim në momentin e parë kur opozita zbardhi të vërtetën e manipulimit tuaj, nuk duhet t'ju bëjë të ndiheni të fortë në pozitat që keni. Zoti drejtor, institucioni që ju drejtoni është kapur kryekëput nga familja në pushtet. Kompania ‘MIA Internacional’, në datën 27 gusht 2010 figuronte me status aktiv, me ortak dhe administrator bashkëshortin e Majlinda Bregut”, - u shpreh Xhaçka.
Pezullimi
Dy ditë më parë, vetëm 50 minuta pas publikimit të fakteve nga Partia Socialiste, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, urdhëroi pezullimin e kompanisë “MIA Internacional”. Pezullimi me urdhër të ministres është zbatuar nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Dokumentet ligjore të PS-së dëshmojnë se kunati i ministres Bregu, Hektor Ajazi, ka marrë kontratë koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ndërkohë që ai nuk ka dijeni për sektorin e energjetikës. Xhaçka ka deklaruar se në kompaninë “MIA Internacional” të kunatit të ministres, bashkëshorti i saj, Namik Ajazi, është bashkëpronar me 30 për qind të aksioneve të kompanisë. Kështu, Xhaçka ka hedhur poshtë me fakte mashtrimet e ministres së kabinetit qeveritar “Berisha”.
Reagim
Kola, PS-së: “Namik Ajazi kërkoi pezullimin e kompanisë në tetor të vitit 2009”
Kreu i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola, ka pranuar se bashkëshorti i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, është bashkëpronar dhe administrator ligjor në kompaninë “MIA Internacional”. Ai u shpreh se Namik Ajazi, bashkëshorti i ministres Bregu, është bashkëpronar me 30% të aksioneve dhe përfaqësues ligjor i saj. Vetë ministrja mohon që bashkëshorti i saj të ketë kompani të lidhur me energjinë.
Drejtori i QKR-së deklaroi se institucioni që ai drejton është transparent dhe bën apel që “dokumentet mos të lexohen politikisht”. Sipas drejtorit Kola, sistemi elektronik është i pamanipulueshëm dhe se kompania e Namik Ajazit është me status të pezulluar. Drejtori sqaron se Ajazi e ka pasqyruar kërkesën e pezullimit në tetor 2009.
Partia Socialiste e akuzoi dy ditë më parë Qendrën Kombëtare të Regjistrimit se me urdhër të ministres Bregu ka ndryshuar formularin e regjistrimit të biznesit për kompaninë “MIA Internacional” 50 minuta pasi selia rozë bëri publikë disa formularë të këtij institucioni që u përkasin kompanive të kunatit të ministres Majlinda Bregu, Hektor Ajazi.
1 Shtator 2010