Panairi, pa tryeza debatesh
Në ndryshim nga sa u tha pa çelur ende dyert, Panairi mbarëkombëtar i librit "Tirana 2009", nuk pati asnjë tryezë ku botues, shkrimtarë e përkthyes, gazetarë a dashamirës të librit të diskutonin për arritjet apo vështirësitë me të cilat përballet tregu i librit sot. E vështirë të thuhet se përse organizatorët hoqën dorë prej takimeve të kësaj natyre, edhe pse në konferencën e djeshme për shtyp Petrit Ymeri, kryetari i shoqatës së botuesve shqiptarë, deklaroi se të tilla tema u diskutuan, por gjatë promovimeve të librave të autorëve të ndryshëm. E pamundur në dukje, sepse të tilla në qendër të promovimeve nuk është e mundur të jenë të tilla debate, por libri e autori për të cilin janë mbledhur të ftuarit. E megjithatë, edhe sikur të ndodhte kështu, diskutimi do të mbetej thjesht në kuadër të një muhabeti të thënë e të lënë po aty, pa mbërritur në kurrfarë përfundimi. Gjithsesi, shpresojmë që debatet të zgjohen përgjatë gjithë vitit në vijim, derisa të çelë edhe një herë dyert "Tirana 2010".