E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e Panairit

Shkrimtari për fëmijë

Me këtë çmim është vlerësuar shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë për fëmijë, Xhevat Syla. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ai u shpreh për një kujdes më të madh për botimet e letërsisë për fëmijë, duke qenë se me to fillon edukimi i brezave të rinj.

Shtëpia botuese "Toena"- promocioni më i mirë

Irena Toçi

Drejtoreshë e shtëpisë botuese "Toena"

Më vjen mirë që është evidentuar si fakt dhe që u vlerësuam me çmimin për promocionin më të mirë përgjatë ditëve të panairit. Qysh kur kemi themeluar Institutin e Librit dhe Promocionit "Toena" ne e kemi pasur si qëllim promocionin dhe kemi mbështetur autorët tanë ku kemi mundur. Vetëm këtë vit ne kemi bërë me dhjetëra promocione. Kemi qenë në Lion të Francës ku kemi promovuar shkrimtarin Ylljet Aliçkaj, po ashtu edhe në Luksemburg për shkrimtaren Diana Çuli etj. Ndërkaq që nga fillimi i këtij viti ne kemi organizuar një sërë promovimesh në qytete si Tirana, Vlora apo Berati. Kështu, nga fillimi i muajit janar e deri tani janë promovuar autorë si Piro Misha, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Arben Puto, Paskal Milo, Alfred Moisiu, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Besnik Mustafaj etj., i konsiderojmë si tepër të rëndësishme këto takime promocionale, pasi ne i shikojmë si ura komunikimi mes autorit, librit dhe lexuesit. Qëllimi ynë është të kthehemi në një strehë të autorëve shqiptarë, të bëhemi zëri i tyre.

Përkthyesi i Vitit

Amik Kasaruho

Përkthyes e shkrimtar

Unë çmoj në radhë të parë që më dhanë çmimin për përkthyesin më të mirë të vitit dhe që më vlerësuan për librin "Tregimet e komisar Montalbanos". Unë jam një përkthyes i ri dhe i vjetër. I vjetër, sepse kam botuar shumë libra dhe i ri sepse vetëm tani kam nisur të kem kontakt me botuesit e me dashamirësit e librit në Shqipëri. Më gëzoi shumë ky çmim. Unë kam marrë disa çmime në Itali, vend ku jetoj prej disa vitesh, qoftë edhe nga arbëreshët, por ky çmim mbetet i veçantë, sepse është çmimi që ma jep vendi im dhe më plotëson. Gjithsesi, unë prapë në parim mendoj të tërhiqem nga përkthimet dhe të merrem me gjëra më pak impenjative.

"Media Print" - Stenda më e mirë

Anila Bisha

drejtoreshë e shtëpisë botuese "Media Print"

Ne në këtë panair menduam të vlerësonim edhe imazhin. "Media Print" ka arritur standarde dhe në autorësi dhe në botim ndaj qëllimshëm erdhëm me një paraqitje të veçantë, pikërisht për të respektuar evenimentin dhe vendin që meriton libri. "Media Print" ka fatin që lexuesit e saj të jenë të shumtë, sepse ata janë nxënës, mësojnë me librat e kësaj shtëpie botuese. Sipas vizionit tonë ka ardhur koha që ashtu siç kemi libra cilësorë nga përmbajtja, të kemi ndryshim dhe cilësi të dukshme edhe në formë. Stenda jonë, e cila fitoi çmim si stenda më e mirë u realizua nga arkitektja Anila Katundi. Me konsulencën tonë, ajo solli një stendë të veçantë. I gjithë konceptimi i saj është një libër i madh i hapur ku librat mund të ekspozoheshin me të njëjtën vlerë me cilësinë e tyre. Stenda është vlerësuar edhe nga shumë njerëz, vizitorë të panairit, të cilët na kanë uruar dhe falënderuar që kemi vlerësuar edhe formën me të cilën u paraqitëm.

Libri më i shitur

Në konferencën përmbyllëse të panairit, organizatorët nuk ishin në gjendje të përcaktonin se kush ishte libri më i kërkuar i këtij edicioni. Ndonëse secili botues shënon për çdo libër kopjet e shitura, mesditën e djeshme nuk ishte bërë ende një krahasim mes shtëpive botuese për të nxjerrë autorin dhe librin që lexuesit kishin kërkuar më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›