E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: “Mëkat që nuk fituam!”

Erion Bogdani i dhuroi një pikë të cmuar Livornos në barazimin në shtëpi me Rexhinën (1-1), duke realizuar kështu edhe golin e dytë sezonal të tij, pas atij të shënuar kundër Juventusit. Bogdani realizoi me kokë në minutën e 61-të dhe trajneri i Livornos, Xhankarlo Kamoleze, u shpreh i kënaqur me lojën e lojtarit të tretë më të paguar te Livorno (750 mijë euro paga vjetore).
"Shpresoj se goli i Erionit do të jetë i rëndësishëm edhe për t'u zhbllokuar", - tha trajneri Kamoleze. Por dhe sulmuesi shqiptar shprehet entuziast. "E kërkuam fitoren deri në fund të ndeshjes. Është më të vërtetë një mëkat që nuk ia arritëm. Jam i lumtur për golin, por do të isha akoma më i lumtur nëse do të fitonim". Ky ishte goli i 21-të i sulmuesit të Kombëtares kuqezezë në Serinë A, një rekord ky për një futbollist shqiptar në një nga kampionatet më të vështirë në botë. Livorno bëri një paraqitje të bukur kolektive, por nuk arriti të marrë tri pikët.
Erion Bogdani nuk do të luajë në ndeshjen e ardhshme kundër Udinezes, pasi shqiptari është pezullur me një javë për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë. Ndeshja e fundit midis dy ekipeve përfundoi 4-0 për Udinezen.
Goli i parë i Behramit
Në javën e 29-të të Serisë A te goli shkoi edhe kosovari me pasaportë zvicerane, Valon Behrami, i cili vendosi edhe fatin e derbit roman Lacio-Roma 3-2, kur mbrojtësi realizoi në minutën e 92-të. Faqet sportive zvicerane i bënë jehonë të madhe golit të Behramit. "Ky ishte goli i parë sezonal i kosovarit, të cilin trajneri Delio Rosi e vendos nga minuta e parë në krahun e djathtë të mesfushës. Ndërkombëtari zviceran me golin e tij i dha atmosferë derbit midis dy rivalëve të përjetshëm", - shkruan faqja zvicerane nzz.ch.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›