Kriza. Fushaj: “Sot mblidhemi 21 presidentë”

"Sot kemi një takim së bashku me të gjithë presidentët që kanë firmosur deklaratën. Janë 21 presidentë ose zyrtarë të lartë klubesh dhe do të diskutohet që nesër të organizojmë edhe protestat.". Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pohoi gjatë një interviste ekskluzive për Albania-sport.com bëri të ditur se në Tiranë, sot në ora 17:00 në Hotel Coloseu 2, pranë shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi" do të mblidhen 21 presidentë klubesh që kundërshtojnë politikën menaxheriale të Dukës.
Zoti Fushaj, sot përfundon dhe afati i vendosur nga presidentët e gjashtë klubeve më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Cilat do të jenë hapat e mëtejshëm?
- Unë them se do të vazhdojmë me qëndrimin tonë. Ato që kërkojmë i kemi deklaruar në televizon,, i kemi firmosur dhe do t'i përmbahemi atyre. Ne do t'i përmbahemi të gjitha kushteve qe kemi deklaruar dhe i kemi bërë publike në televizion, kemi firmosur.
Do të thotë, që këtu përfshihet edhe opsioni për largimin e presidentit Duka?
- Normalisht, ai është edhe njeriu kryesor përgjegjës për këtë situatë që solli edhe pezullimin e Shqipërisë dhe duhet të largohet. Ai nuk ka pse të rrijë më, pasi janë krijuar shumë probleme. Të gjithë kërkojnë largimin e tij.
Cilin nga katër kushtet ai (Duka) nuk ka plotësuar?
Ai ka pezulluar Shqipërinë në aktivitet ndërkombëtare. Prandaj ai është përgjegjës direkt i kësaj.
Ekipi juaj, Vllaznia nuk do të luaj ndeshjen e radhës?
-Jo nuk do të dalë në fushë.
Në lidhje me një thirrje të një Asambleje të Jashtëzakonshme të FSHF-së, a do të realizohet kjo?
- Patjetër që do të jetë e mundur pasi janë 21 vota, që bëjnë të mundshme edhe thirrjen e Asamblesë sipas statutit të Federatës. Janë 21 firma të marra dhe Asambleja do të thirret. Do të pezullohet nesër kampionati. Ne nesër nuk do të dalim në fushë, por sot do të diskutojmë që të fillojmë protestat kundër Federatës. Po organizohet gjithcka, me protesta kundër federatës. Është e domosdoshme që presidenti i federatës të plotësojë kushtet që i kemi vendosur.
Zoti Fushaj kur do të realizohen protestat kundër Federatës?
- Sot kemi një takim së bashku me të gjithë presidentët që kanë firmosur deklaratën. Janë 21 presidentë ose zyrtarë të lartë klubesh dhe do të diskutohet që nesër të organizojmë edhe protestat. Shihet se presidenti i federatës është njeri i papërgjegjshëm. Nuk dëshiron të dalë në konkluzione përfundimtare për situatën. Dhe ne duhet të organizohemi.
Sot do ta keni takimin në Tiranë apo diku tjetër?
- Do të jetë në Tiranë. Unë jam nisur për atje, ashtu si janë edhe të tjerët duke ardhur. Do të bashkohemi të gjithë atje dhe do të dalim të gjithë në një konferencë të përbashkët.
Ku do të zhvillohet takimi?
- Në orën 5 mbasdite, te "Koloseu 2", te (shkolla) "Petro Nini".
Intervistoi: Dash Frashëri