E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraliza, gjykata liron nga burgu Petrit Brahajn, mikun e Haklajve



KRUJE - Lirohet nga qelia i burgosuri Petrit Brahaj, i dënuar për grabitjen e bankës së Tropojës. Vendimi për lirimin tij është shpallur pak ditë më parë në Gjykatën e Krujës. Kërkesa në gjykatë është bërë nga vetë i dënuari, i cili ka pretenduar se paraliza nga e cila vuan ia bën të pamundur qëndrimin në qeli. Burime nga burgjet pohojnë se rreth dy muaj më parë sektori i shëndetësisë në këtë dikaster u detyrua që për këtë të burgosur të blinin një karrocë, që ky ta përdorte për të lëvizur në burg. Po kështu, sipas të njëjtave burime, për këtë të dënuar u zhvillua një tender medikamentesh i veçantë, për të siguruar ilaçet që atij i nevojiten për t'u kuruar. Brahaj, 41 vjeç, me origjinë nga Tropoja dhe që njihet si mik i fisit Haklaj, u ekstradua nga Franca rreth dy vjet më parë dhe u dërgua në qelitë e burgjeve shqiptare, për të vuajtur një dënim me 10 vite burg të 6 viteve më parë si autor i grabitjes së bankës së Tropojës në vitin 1998. Apeli i Shkodrës në vitin 2005 e shpalli fajtor Brahajn, për vjedhjen e një shume rreth 500 milionë lekësh të vjetra, ndërkohë vetë i pandehuri ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës. Pas vrasjes së deputetit demokrat Azem Hajdari, Brahaj u akuzua të ishte një nga pjesëmarrësit në ekzekutim, por hetimet e prokurorisë nxorën se ai nuk kishte lidhje me këtë ngjarje. Sipas organeve shqiptare të drejtësisë, Brahaj ka lindur më 8 nëntor 1969 në fshatin Babinë të Tropojës dhe rezulton të jetë larguar nga Shqipëria në vitin 2001, pak kohë pas plagosjes në një atentat që i bënë më 20 gusht 2001 në fshatin e tij. Si pasojë e të shtënave, ai mori plagë të shumta, duke mbetur i paralizuar. Në mënyrë që të kurohej në spitale të specializuara, ai ka udhëtuar fillimisht drejt Turqisë dhe më pas drejt Francës, shtet në të cilin qëndroi dhe u strehua më vonë. Gjatë kësaj kohe, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar për grabitjen e bankës së Tropojës. Për këtë krim ai u gjet fajtor dhe u dënua me 10 vjet burg në mungesë, vendim i cili mori formë të prerë në vitin 2005, kur Apeli i Shkodrës la në fuqi atë çka kishte vendosur më parë Gjykata e Tropojës. Ndërkohë në Francë, veç arrestimit me qëllim ekstradimi në Shqipëri, Brahaj ka kaluar në burg thuajse të gjithë vitin 2007. Ai është prangosur më 2 janar 2007 dhe është liruar nga burgu më 17 dhjetor të atij viti, për mbajtjen e vajzës së tij, të cilën nuk pranonte t'ia jepte bashkëshortes, që pas divorcit kishte shkuar të jetonte në SHBA si azilante. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›