Votimi i gjyqtarëve, PD shtyn vendimin
ADI SHKEMBI
Maxhoranca dhe opozita përplasen sërish në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, lidhur me ndryshimin e më-nyrës së votimit të gjyqtarëve të propozuar nga Presidenti. Pas tre orë diskutimesh u vendos që mbledhja të vijojë ditën e hënë, pasi deputetët të konsultohen edhe me modelet e tjera të ngjashme.
Mbledhja
Në takimin e dytë brenda dy ditësh të thirrur nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, shumica dhe përfaqësuesit e PS-së kanë mbajtur të njëjtat qëndrime si një ditë më parë, ku është diskutuar një amendament i rregullores, i propozuar nga katër deputetë të PD-së. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për gazetën “Panorama” se përfaqësuesit e maxhorancës janë shprehur se votimi në mënyrë të hapur të dekreteve të Presidentit e bën procedurën transparente. Në të njëjtën kohë, në një deklaratë për mediat, në përfundim të takimit, të shpërndarë nga zyra e shtypit e Kuvendit, thuhet se “nga ana e anëtarëve të maxhorancës në këtë këshill, u shpjegua se, votimi i hapur për gjyqtarët e lartë, është konkretizim jo vetëm i parimit të transparencës, por edhe i parimit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies të Parlamentit, i cili është i sanksionuar dhe funksionon me sukses në shumë prej modeleve solide, të demokracisë parlamentare”. Sipas përfaqësuesve të maxhorancës në Këshill, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhënia e pëlqimit nga ana e Kuvendit, është kompetencë substanciale dhe jo formale e tij. Por nga ana tjetër, përfaqësuesit e opozitës janë shprehur se votimi i gjyqtarëve në Kuvend nuk mund të jetë i njëjtë me atë të ministrave. Sipas Partisë Socialiste, ministrat janë kandidatura politike, ndërkohë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gjyqtarët. Duke iu referuar njoftimit të Kuvendit, lidhur me qëndrimin e opozitës në Këshill, bëhet e ditur se “nga ana e kolegëve të Partisë Socialiste u kërkua që të merret kohë, për diskutimin e përmbajtjes dhe për shkëmbimin e mëtejshëm të argumenteve”. Një tjetër pikë e qëndrimit të PS-së, kishte të bënte me periudhën në të cilën diskutohen këto mendime të rregullores. Sipas tyre, diskutimi duhet të zgjasë më shumë se dy javë dhe nuk mund të miratohen ndryshimet përpara se të votohen tre anëtarët e dekretuar nga Presidenti për në Gjykatën e Lartë. Kreu i shtetit ka dërguar në Parlament emrat e Sokol çomos, Vexhi Muçmatës dhe Medi Bicit, ndërkohë që maxhoranca ka lënë të kuptohet se nuk do t’i kalojë të gjitha kandidaturat. Kryeministri Berisha, duke folur në mbledhjen e grupit demokrat, ka theksuar se PD-ja nuk do pranojë kandidatura politike dhe të lidhura me regjimin e kaluar.