E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Ongarit, rrëfehet dëshmitari



Armand Bajrami

Dëshmitari okular i cili ka qenë në tavolinë me viktimën, dëshmoi dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda ngjarjen e ndodhur më 5 korrik 1999, kur banda e Durrësit akuzohet se ka vrarë në një lokal, Eduart Ongarin. Bardhyl Xhakollari, i njohur edhe me emrin Fatbardh, rrëfeu para togave të zeza momentet e ngjarjes për të cilën prokuroria dyshon se është kryer nga "anëtarët" e bandës së Durrësit. Sipas dëshmitarit, ai ishte ndodhur me Eduard Ongarin në të njëjtën tavolinë për çështje pune. Dëshmitari nuk kishte parë fytyrën e personit që qëlloi mbi Ongarin. Dëshmia e Xhakollarit u dëgjua dje, mes debatesh të ashpra mes palëve. Në mënyrë të ndërsjellët ndaj njëri-tjetrit, përfaqësuesit e mbrojtjes dhe të akuzës në proces, pretenduan disa herë para kryesuesit, gjyqtarit Gurali Brahimllari, se dëshmitarit po i bëhej presion.
DESHMIA
"Në vitin 1998 kam punuar si marangoz në qytetin e Durrësit. Eduard Ongarin e kam njohur si klient. Më ka dhënë një porosi për t'i bërë katër dyer. Porosinë tek unë e ka bërë rreth tre muaj përpara se të ndodhte ngjarja, ku ai u vra. Gjatë këtyre tre muajve, unë nuk kam pasur asnjë lloj raporti me të. Gjithashtu në këtë periudhë, unë ika në Greqi, ku qëndrova rreth një muaj e gjysmë. Tri ditë pasi isha kthyer në Shqipëri erdhi dhe më takoi Eduart Ongari, pasi ne ende nuk kishim bërë likuidimin e pagesës për dyert. Kishte ardhur edhe dy herë të tjera më parë, por herën e tretë më takoi. Më tha: Hajde të pimë një kafe. Ishte ora rreth 11:30-12:00. Eduardi kishte me vetë një kushëri të tij. Unë nuk e pyeta për moshën, por më ngjasoi sikur ishte rreth 25 vjeç. U ulëm në një lokal jo shumë larg punës sime. U ulëm në pjesën e jashtme të lokalit. Kemi marrë për të pirë nga një uiski. Gjatë qëndrimit tonë aty biseduam për punën e likuidimit të detyrimeve. Gjithashtu, unë duhet të shkoja dhe një ditë te shtëpia e tij për të regjistruar dyert që i kisha montuar, që para se të ikja në Greqi. Tek lokali shkuam me një automjet "Benz 240" ngjyrë vishnjë, në pronësi të Eduardit. Aty kaloi rastësisht një A.Allamani. Për shkak se njihej nga ne, ai u ul në tavolinë. Nga momenti që ai u ul në tavolinë dhe derisa erdhi porosia e tij, një ujë pa gaz, kaluan rreth 3-4 minuta. Aty ndodhi vrasja e Edit. Ishte një person. Unë isha ulur përballë Edit në tavolinë. Unë isha me shpinë nga rruga, ndërsa Edi shikonte nga rruga. Aty dëgjova krisma armësh dhe u rrëzova mënjanë. Nuk qëndrova asnjë minutë aty, pasi vrapova për tek puna. Ika në këmbë. Krismat zgjatën një minutë. Kur u rrëzova, pashë një person që iku me vrap. Pas ngjarjes nuk kam shkuar më te shtëpia e Eduart Ongarit. Nuk kam shkuar atje as për ngushëllim. Eduardin e kisha thjesht klient. As në ditët në vazhdim nuk jam interesuar për ngjarjen. Nuk i kam kërkuar më paratë që më detyrohej Ongari. Pas ngjarjes nuk kam biseduar me të atin e Eduard Ongarit", iu përgjigj dëshmitari pyetjeve të palëve në proces.

Babai i viktimës: Në ngushëllime më thanë se e vrau Lul Berisha
TIRANE - Me 75 vite mbi shpinë, Nikolla Ongari, babai i Eduard Ongarit, u paraqit në Gjykatën për Krimet e Rënda ku rrëfeu ç'kishte mësuar mbi vrasjen e djalit të tij në korrik të vitit 1999. Dëshmitari nuk kishte qenë prezent në vrasjen e djalit të tij dhe gjithçka dinte e kishte dëgjuar nga persona të tretë. Për ngjarjen ku u vra Ongari, dëshmitari tha: "Nuk dinim që djali të kishte ndonjë hasmëri. Pas vrasjes së tij u mblodhën shumë njerëz për ngushëllim. Aty diskutonim mbi ngjarjen. Aty nëpërmjet njerëzve u fol që e paska vrarë një Lulzim Berisha, që unë as nuk e njoh e as dua ta njoh". Në vijim, dëshmitari tregoi se ishte pyetur për ngjarjen nga i plotfuqishmi i zonës, të cilit i kishte pohuar se ai priste prej tyre të gjenin autorin e ngjarjes. Sipas dëshmitarit, ngjarja kishte ndodhur paradite, por ai e kishte marrë vesh në orën 13:00. Të dhënat e para rreth ngjarjes, dëshmitari u shpreh se i kishte mësuar nga një marangoz nga Durrësi, i cili kishte qenë me Eduard Ongarin në momentin e vrasjes. Sipas dëshmitarit, marangozin e kishte takuar, kur ky i fundit i kishte ardhur për ngushëllim. Para gjykatës, dëshmitari pohoi se pas ngjarjes kishte qenë në lokalin ku u vra djali i tij. "Aty kam shkuar me nipin tim Julian Kërpuzi. Nipi ka qenë në tavolinë me Eduardin, në momentin kur është vrarë. Juliani më tregoi pozicionet e vendeve. Ata personat kishin ardhur nga ana e pasme e lokalit", u shpreh dëshmitari. Referuar thënieve të nipit të tij, dëshmitari tha se agresorët kishin pasur kapele me strehë. Ndërkohë, që në përgjigje të pyetjeve të avokatëve dëshmitari tha se "bindja për autorët e vrasjes së djalit tim më është forcuar për shkak se, kur u arrestuan këta (i referohet të pandehurve) dolën lajme në gazeta e në televizione". ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›