Bogdani: Mutus i thashë që të mos vinin fare
Humbja me Francën mund të harrohet vetëm pas një fitoreje me Rumaninë, e cila do të kishte dhe një fuqi fshirëse për humbjen 6-1 të vitit 2007. Erjon Bogdani, sulmuesi që mban rekordin e golave në përfaqësuese, plot 15, do të jetë nga minuta e parë kundër trikolorëve ballkanas, pasi është në formë. Mosaktivizimi i tij me Francën për shkak kartonash, e ka bërë “Bogun” të uritur dhe “viktima” e tij kësaj radhe duket se do të jetë kombëtarja e Adrian Mutus, shokut të tij te Çezena.
Nuk keni qenë ndaj Francës, por çfarë mund të na thoni për ndeshjen?
Ishte një ndeshje e vështirë dhe nuk është turp që të rrihesh me Francën, për arsye se Franca ka një ekip shumë të mirë, që luajnë në klubet më të mira të Europës, por megjithatë duke parë ndeshjen mund ta kishim bërë dhe pak më të vështirë fitoren e Francës. Ekipi luajti me lojtarë të rinj dhe kjo ndeshje do t’u shërbejë që kur të luajnë me ekipe jo si Franca të japin kontributin e tyre dhe të luajnë sa më mirë, se edhe të luash në Paris kundër Francës është një eksperiencë shumë e bukur.
ǒgjë pozitive keni vënë re?
Unë do veçoja se ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe se ekipi e kishte të vështirë pasi doli kundër Francës, por kjo ndeshje duhet të na japë shtysë që kundër Rumanisë të luajmë për fitore. Ne nuk jemi një ekip që mund të kemi tetë pikë në tabelën e klasifikimit. Megjithatë, është ndeshja me Rumaninë dhe unë them ta luajmë sa më mirë dhe të kujtojmë dhe humbjen që kemi pasur me ekipin e Rumanisë në 6-1 dhe ta kthejmë në forcë
Trajneri i Rumanisë e shikon ndeshjen si përgatitje për vitin 2014. Mbase kjo mund të na ndihmojë për një rezultat pozitiv?
Nuk e shoh si avantazh, se edhe sikur Rumania të luajë me lojtarë të rinj, ka kampionat më të fortë dhe ne nuk e kemi luksin që ta shohim me atë këndvështrim. Ne duhet të zbresim në fushë për ta fituar ndeshjen, e dimë që po luajmë kundër një ekipi si ai i Rumanisë dhe duhet të luajmë mirë dhe ta fitojmë.
Mungesa kemi, por kthehet Lala. Ndërthurja mes të vjetërve dhe të rinjve do ta forcojë kombëtaren?
Nuk diskutohet se unë dhe Lala jemi më të freskët, se po të mos luash dy ndeshje je më i freskët. Megjithatë, pavarësisht kësaj duhet ta fillojmë lojën më me entuziazëm dhe duke ushtruar presion duhet ta fitojmë ndeshjen.
Sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ju, pasi keni deklaruar se kjo mund të jetë e fundit me kombëtaren?
Unë kam biseduar dhe me trajnerin e skuadrës dhe pavarësisht se jam duke kaluar një formë të mirë sportive e kam provuar dhe në Itali, në ndeshjen e fundit unë nuk doja të isha një peshë për ekipin kombëtar. Dhe nëse ekipi ka nevojë për mua, nuk diskutohet se unë do jem i gatshëm. Nëse do jetë ky trajner ose një trajner i ri që do të fusë lojtarë të rinj, për mua nuk ka asnjë problem, sepse me ekipin kombëtar kam qenë në stol, në tribunë, kam luajtur një pjesë lojë dhe përherë problemet nuk kanë ardhur nga Bogdani.
Keni biseduar për ndeshjen e radhës me skuadrën?
Po, sepse kam marrë sms nga lojtarë dhe i kam thënë se mbas humbjes në Rumani me 6:2 më mirë të mos vijnë në Shqipëri. Përveç Mutus, që është një lojtar shumë i mire, kemi një skuadër të fortë për t’u përballur dhe duhet të jemi të përqendruar që ta mbyllim me sukses, sepse s’jemi ekip për ta mbyllur me tetë pikë këtë kualifikim, duhet ta fitojmë ndeshjen që të arrijmë në 11 pikë që është një rezultat i mirë. Është një ndeshje e rëndësishme për ne.
Vetëm 45 minuta të luajtura deri më tani në Serie A…
Është e vërtetë që ka ndryshuar megjithatë doja të falenderoja publikun se nga fillimi sezonit më ka mbështetur shumë dhe ishte ekipi dhe trajneri që më bënë të mos largohesha nga Çesena, pasi kisha dhe oferta që nuk më munguan dhe mund të ndryshoja ekipin. Megjithatë ka qenë dhe publiku që më ka dashur shumë se ata e panë dhe ndeshjen që zhvillova vjet me ekipin e Çesenës. Pas lojës me Kievon kanë ndryshuar shumë gjëra dhe faktikisht dhe trajneri po ndryshon çdo gjë se e pa dhe formën time dhe unë shpresoj që të stërvitem sa më mirë se më ka ardhur momenti që të luaj.
Djali do jetë në stadium si tifoz?
Do e shoh nga koha, se kam qejf që të vijë, po është akoma i vogël, tre muaj e gjysmë dhe do të më pëlqente që të vinte dhe të bënte tifozllëk për ekipin shqiptar.