Dallku do tifozët me vete kundër Rumanisë
Mbrojtësi i Vorsklas vlerëson paraqitjet e lojtarëve të rinj kundër Francës, ndonëse ata u “tutën” pak përballë kundërshtarit
Dallku ndjehet i qetë. Natyrisht që humbja me Francën dhemb, por nuk ther si ajo kundër Luksemburgut. “Është e hidhur për ekipin të humbë dhe unë kisha dy elementë që mund të na ndihmonin, se kishim shumë mungesa dhe kishim lojtarë, të rinj që për herë të parë kanë luajtur me ekipin që kishin pak si frikë. Dhe elementi i dytë, se kishim një ekip shumë të fortë dhe nuk është ndonjë çudi të humbim nga Franca. Është për të ardhur keq mënyra si pësuam golat. Përfundimi i ndeshjes ishte pak i mërzitur, por duhet të vazhdojmë përpara. Kemi ndeshjen me Rumaninë dhe duhet të përqendrohemi për këtë ndeshje”. Më pas, mbrojtësi i Vorsklës bën edhe analizën e të rinjve që luajtën në “Stade de France”. “Është trajneri për atë punë, nuk jemi ne që mund të vendosim se kush mund të luajë në fushë. Mirëpo çdo gjë e re që vihet në ekipin kombëtar është një gjë e mirë, ku gjithnjë është e mirë që trajneri të ketë probleme me zgjedh ekipin kështu mund të kemi një ekip më të konsoliduar dhe ata djemtë që u futen në atë ndeshje dhanë maksimumin e tyre. Normalisht që patën pak vështirësi se ishin ndeshjet e parë. Ishte një mundësi shumë e mirë. Shpresoj që të kenë në vazhdimësi dhe të rriten sa më lartë dhe të ndihmojnë ekipin kombëtar”. Në fund, Armend Dallku ndan të njëjtën linjë sikundër edhe Bogdani në lidhje me hakmarrjen ndaj Rumanisë. Sipas tij, me rikthimet e Lalës dhe pikërisht Bogut, kundër ballkanasve do të zbritet në fushë vetëm për fitore. “Normalisht, kombëtarja i ka forcat për të fituar. Ne e treguam në ndeshjen kur dolëm barazim dhe patëm një ndeshje të balancuar sepse ata nuk ishin ndonjë gjë shumë superiore përpara nesh. Besoj dhe shpresoj që të gjithë duke pasur në mendje atë ndeshje 6:1. Me një grup tashmë do na vijnë dhe futbollistët që na munguan atë ndeshje, pasi e patë që me Francën e kishim të vështirë ne sulm. Dhe besoj dhe shpresoj që me ndihmën e tifozëve dhe me çunat që ta mbyllim me një fitore,” përfundon deklaratën e tij gjatë konferencës për shtyp Armend Dallku.