Jahmir Hyka: Doja më shumë minuta në Francë
Te Lucerna po luaj më shumë dhe sigurisht kjo ndikon në formën time në kombëtare
Notat e futbollistëve shqiptarë pas ndeshjes me Francën përgjithësisht ishin të ulëta për kuqezinjtë, por ndër më të vlerësuarit ishin Jahmir Hyka dhe Odise Roshi. Trajneri Josip Kuzhe, në pjesën e dytë aktivizoi Bakajn në vend të Hykës, i cili dëshirontë më shumë minuta në Stade de France.
Nëse më kanë vlerësuar me notën më të lartë, krahasuar me shokët e skuadrës, kjo tregon se kam dhënë më të mirën time. Gjithsesi, për fat të keq nuk qëndrova në fushë deri në fund të ndeshjes, shprehet 22-vjeçari i Lucernës, disi i mërzitur. Nuk e them për të bërë polemikë, sepse trajneri ka strategjinë dhe mendimet e tij, por vërtet ndihesha mirë dhe doja të luaja më shumë.
Roli i titullarit Ndaj Rumanisë, më 11 tetor, Josip Kuzhe ka pak alternativa për formacionin bazë. Duke u bazuar në vlerësimet e ndeshjes me Francës, pritet që Hyka dhe Roshi të aktivizohen sërish titullarë. Nuk e di nëse do të luaj qysh nga fillimi me rumunët, pasi skemi folur me trajnerin për këtë gjë, por shpresoj të jem në fushë që nga minuta e parë. Gjithmonë kam qenë gati për kombëtaren, jam aktivizuar kur e ka menduar trajneri. Fatmirësisht, jam aktivizuar thuajse i plotë edhe me klubin tim, kështu që kam praktikë loje dhe kam arritur formën maksimale sportive, ka vijuar Hyka.
Gabimet në karrierë Ecuria e një futbollisti në klubin e tij është e lidhur ngushtë edhe me performancat në kombëtare. Për fat të keq, gjatë dy-tri viteve të fundit, Jahmir Hyka nuk ka pasur shumë fat, duke qëndruar thuajse shumicën e kohës në stol. Shiko, mund të kem bërë gabime në karrierë, por asnjëherë nuk jam bërë pishman. Te Lucerna po luaj më shumë dhe sigurisht kjo ndikon në formën time në kombëtare. Shpresoj që fati të jetë me mua dhe të mos kem probleme atje ku luaj, apo ku mund të shkoj në të ardhmen.