Dallku: Keqardhje si i pësuam golat në Francë
Përfundimi i kësaj ndeshjeje ishte pak i mërzitshëm për të gjithë ne, por duhet ta kthejmë fletën, të vazhdojmë përpara
Armend Dallku mbetet titullar i padiskutueshëm në kombëtaren shqiptare. Me ulje-ngritjet e tij nëpër ndeshje të ndryshme, ai përbën një postbllok në të djathtë të prapavijës kuqezi. Kosovari i Vorskla Poltavës në Ukrainë ka qenë pjesë e humbjes 3-0 në Stade de France, kështu që ka provuar edhe shijen e hidhur të mbrëmjes së 7 tetorit. I pyetur nëse i ka ngeluar diçka peng nga ndeshja në fjalë, diçka që mund ta kishte bërë më mirë personalisht, Dallku përgjigjet:
Humbja në futboll është e hidhur. Kjo dihet, skam pse ta zbuloj apo them unë. Më vjen keq edhe për dy momente, ku duhej të kisha vepruar më mirë individualisht. Ndaj Francës kishim shumë mungesa. Në kombëtare luanin disa lojtarë të rinj, të cilët sikur kishin paksa frikë. Normale kjo, edhe për faktin se përballë kishim Francën. Sa i takon humbjes, më duhet të them se ishte e pritshme.
Dihen diferencat mes nesh dhe kombëtares së Francës, të cilat përcaktuan edhe fituesin. Pra, nuk përbënte ndonjë çudi humbja karshi Francës, brenda në Paris, por është për të ardhur keq nga mënyra se si i pësuam golat. Përfundimi i kësaj ndeshjeje ishte pak i mërzitshëm për të gjithë ne, por duhet ta kthejmë fletën, të vazhdojmë përpara.
Të martën kemi ndeshjen me Rumaninë, e cila mbart vështirësinë e vet. Duhet të mos qahemi më për atë që ndodhi me Francën, por të përqendrohemi tek ndeshja e radhës. Të cilën e luajmë para tifozëve tanë, kështu që duhet ti bëjmë një mbyllje dinjitoze këtij edicioni kualifikues.
Po çfarë vlerësimi ka Armend Dallku për lojtarët e rinj të kombëtares, të cilët u hodhën në fushë nga trajneri Kuzhe si titullarë ndaj Francës? Si e komenton aktivizimin e Roshit, një mesfushor-sulmues tipik i djathtë, që në Paris luajti nga ana e majta? A mendon kosovari i mbrojtjes kuqezi se këtyre elementëve duhej tu ishin dhënë më shumë mundësi aktivizimi më përpara, ndoshta nëpër miqësoret e shumta, që të mos ishim sot në këtë situatë, për shkak të mungesave?
Për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve është trajneri. Nuk jemi ne. Lojtarët e kombëtares, që mund të vendosim se cili mund të luajë titullar dhe cili të rrijë në stol. Smund të vendosim as për strategjinë e aktivizimit të njërit apo tjetrit në miqësore, as në ndeshje zyrtare. Parimisht, çdo gjë e re që vihet në dispozicion të ekipit kombëtar është e mirë.
Veprimet e duhura merren zakonisht në kohën e duhur, por kjo mbetet në zgjedhjen e gjithsecilit. Cilido trajner do të dëshironte të kishte sa më shumë elementë cilësorë në dispozicion, që të mos kishte probleme në raste dëmtimesh apo të pezulluarish. Sa më tepër lojtarë potencialë të vijnë në kombëtare, aq më e konsoliduar do të bëhej Shqipëria. Edhe ata djem, që u futën në lojë ndaj Francës, dhanë maksimumin e tyre.
Normalisht, patën pak vështirësi, si në çdo fillim pune, aq më tepër që luanin ndaj yjeve të Francës, por janë në rrugë të mbarë. Sidoqoftë, ishte një mundësi shumë e mirë për ta. Shpresoj të kenë vazhdimësi dhe të rriten sa më shumë nga ndeshja në ndeshje, sepse kështu ndihmojnë vetveten dhe ekipin kombëtar, përgjigjet Dallku.
Bogdani tha që me rumunët duhet kujtuar humbja e thellë, 6-1 në Bukuresht, si një mundësi e mirë frymëzimi dhe hakmarrjeje. Po a mendon se i ka Shqipëria forcat për ta bërë këtë gjë? Armendi shprehet optimist: Normalisht që i ka forcat.
Besoj dhe shpresoj që të gjithë ne, lojtarët e kombëtares, duke pasur në mendje atë humbje 6-1, të japim gjithçka kemi në Qemal Stafa, të martën në darkë. Duke ditur se na rikthehen edhe titullarët që munguan në Francë, kam përshtypjen se do tua kthejmë kusurin rumunëve për atë humbje. Shpresoj shumë që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë të zjarrtë, që ta mbyllim me një fitore të bukur këtë fushatë eliminatoresh.
Sabjen Lilaj: Do të pres momentin tim në kombëtare
Është hëret të flasësh për shpërthimin në kombëtare dhe për rëndësinë që do të ketë ky futbollit me fanellën kuqezi. Nuk mund të bëhet qoftë edhe një vlerësim për formën e treguar gjatë atyre 10 minutave aktivizimim, megjithatë Sabien Lilaj mbetet një kandidat premtues për kombëtaren, që po i ngjit dalëngadalë shkallët e karrierës në futboll. Specialistët e futbollit jo më kot e kanë vlerësuar si e ardhmja e formacionit kuqezi.
Kombëtarja 22-vjeçari Lilaj ka qenë pjesë e Shpresës edicionin e kaluar, ndërsa këtë verë bëri një hap të rëndësishëm në karrierë, duke u transferuar te Lokomotiva e Zagrebit. Për të, thirrja në kombëtare ka qenë diçka shumë e bukur, madje e papritur, për të mos thënë e shpejtë: Unë gjithmonë e kam menduar që një ditë do të bëhem lojtar i kombëtares, por nuk e prisja në prag të ndeshjes me Francën.
Për mua ishte fillim perfekt me kombëtaren e madhe. Sigurisht, luajta pak minuta në Paris, përball një skuadre të madhe, por të them të drejtën nuk u mposhta nga emocionet. U futa në fushë pa frikë, duke u munduar të bëja diçka të mirë. U mundëm dhe kjo të djeg. Megjithatë, grumbullimi në kombëtare është një motiv i madh për mua, kështu që do të pres momentin tim.
Lokomotiva e Zagrebit Sabien Lilaj shpjegon se konkurrenca të Lokomotiva e Zagrebit është shumë e fortë, pasi ka shumë lojtarë të Dinamos së Zagrebit, të dhënë në formën e huazimit, të cilët kërkojnë të tregojnë veten: Unë kalova në kampionatin kroat për tu rritur profesionalisht, sepse mendoja që një ditë do të ftohesha në kombëtare.
Në 5 javët e para nuk u aktivizova, për arsye dokumentacioni. Në javët e fundit kam luajtur jo me kohë të plotë, por të paktën jam aktivizuar në çdo ndeshje. Po punoj fort që të jem lojtar i rëndësishëm dhe i formacionit bazë te lokomotiva, sepse kështu do të kem të hapur edhe dyert e kombëtares.