E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teli: Eliminatorja e fundit mbahet mend më gjatë

Vërtet kemi pësuar 4 humbje radhazi, por nëse marrim një rezultat të mirë me rumunët, publiku do të mbajë mend këtë të fundit

Shkodrani i kombëtares, Admir Teli, rikthehet në dispozicion të trajnerit Kuzhe për ndeshjen e nesërme me rumunët. Pas pezullimit prej një ndeshjeje për arsye kartonësh, që e konsumoi me Francën, mbrojtësi i Karabakut në Azerbajxhan ka përveshur mëngët, në pritje të detyrave që do të marrë për eliminatoren e fundit në grup.

Duke ditur rolin e tij në kombëtare, natyrshëm që Telin e pyetëm për repartin e mbrojtjes. Nëse ndaj Francës mungoi ai, tani ndaj Rumanisë do të mungojë Vangjeli, mbrojtja kuqezi nuk po gjen karar. Për këtë situatë, Teli nënvizon: E kam shprehur dhe më parë, në ekipin përfaqësues nuk është se po të mungojë një lojtar, nuk ka kush ta zëvendësojë. Në kombëtare nuk ka shumë diferenca ndërmjet lojtarëve.

Çdonjëri që luan, përderisa është thirrur nga trajneri, ka vlera, ka cilësi, kështu që mendoj se problemi i vetëm mund të jetë vendosja e lojtarëve në fushë. Kjo mund të jetë sadopak problem, jo emrat e veçantë, sepse po mungoi Teli është një tjetër që do ta zëvendësojë. Këtu jemi 25 lojtarë, të denjë për këtë fanellë. Përderisa jemi thirrur këtu, jemi thirrur që të luajmë. Normalisht, vetëm 11 vetë do të hidhen në fushë, por të gatshëm janë të gjithë.

Çmendim dhe vlerësim ka mbrojtësi shkodran për humbjen me Francën, 3-0, duke qenë se e ka përcjellë si spektator, nga ekrani i televizorit? Këtë ndeshje nuk duhet ta shohim vetëm me syrin negativ, se humbëm 3-0. Besoj të gjithë janë në një mendje me mua, nuk mund të shkonim në Paris për të fituar, përjashto ndonjë çudi, që futbolli i shfaq herë pas here, as për të kapur ndonjë objektiv. Ne ishim jashtë objektivave.

Në këtë këndvështrim të gjërave, duhet ta shohim me syrin pozitiv këtë ndeshje. Shumë emra të rinj ishin të ftuar, disa prej tyre luajtën si titullarë, çka e tejkalon investimin për këto eliminatore. Trajneri e ka shprehur edhe më parë, po mendohet për eliminatoret e Botërorit 2014. Kjo do të thotë se edhe me Rumaninë, një ndër objektivat është afirmimi i sa më shumë elementëve të rinj për edicionin pasues kualifikues.

Duke qenë jashtë çdo objektivi, të parafundit në grup, atëherë çfarë duhet të presin tifozët kuqezinj nga kjo kombëtare, në sfidën përmbyllëse ndaj rumunëve. Admir Teli pohon: Meqenëse është ndeshja e fundit eliminatore dhe luajmë në shtëpi, shpresojmë të bëjmë një figurë të mirë.

Ta kënaqim publikun tonë përmes një loje të mirë, bashkë me një rezultat pozitiv. Ne vërtet kemi pësuar 4 humbje radhazi, por nëse marrim një rezultat të mirë me rumunët, publiku do të mbajë mend këtë të fundit, do ti harrojë të tjerat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›