E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama ka spiunuar shokët e skuadrës së basketbollit

Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, ka akuzuar dje direkt kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, si “një pasardhës i nomenklaturës së kuqe, gjatë veprimtarisë së tij në klubin Dinamo ka kryer veprimtari josportive në dëm të anëtarëve dhe drejtuesve të klubit”. Bumçi, gjatë deklaratës së tij, nuk përmendi konkretisht veprimtarinë e kreut socialist, Rama, gjatë diktaturës komuniste, por tha se vonesa në miratimin e ligjit për pastërtinë e figurave, sipas tij, mbahet peng për këtë arsye. Deputeti i PD-së, i ngarkuar direkt nga mazhoranca për hartimin e ligjit për “Pastërtinë e figurave”, tha se Edi Rama mban peng miratimin e këtij ligj për interesin e tij personal. Sipas Bumçit, Rama ka frikë se mund të humbasë të drejtën për të kandiduar në poste publike. “Dihet se Rama përveçse është një pasardhës i nomenklaturës së kuqe, gjatë veprimtarisë së tij në klubin Dinamo ka kryer veprimtari josportive në dëm të anëtarëve dhe drejtuesve të klubit. Dhe tani pasi e mban peng për gjashtë muaj ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, ose siç njihet ndryshe ligji i dosjeve, ai kërkon që pavarësisht nga problemet e rënda që mund të ketë me të shkuarën e tij, të mund të kandidojë”, - deklaroi Bumçi. Gjatë deklaratës së djeshme, Bumçi qëndroi i rezervuar në lidhje me akuzat e tij drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste. Ai nuk përmendi konkretisht veprimtarinë josportive të Edi Ramës gjatë periudhës që ai luajtur për Dinamon para viteve ‘90. Deputeti i PD-së nuk specifikoi se në ç’formë ishte realizuar kjo veprimtari josportive sipas tij. Gjithsesi, Bumçi tha se mazhoranca do t’i shkojë deri në fund miratimit të ligjit “Për pastërtinë e figurave publike”. “PD i deklaron zotit Rama se me ligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë nuk synon asnjë emër të përveçëm, por ky ligj nuk mund të përdoret sipas interesave personale të asnjë personi, qoftë ky edhe drejtues i ndonjë force politike”, - tha më tej Bumçi.

Ligji për armët, Bumçi: Dokumenti i opozitës është i falsifikuar

Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka reaguar dje në lidhje me akuzat e opozitës, se firma e tij si ish-ministër i ka hapur rrugën aferave me trafikun e armëve. Bumçi ka përgënjeshtruar gjithçka, duke u kapur me një detaj të vetëm, që sipas tij, tregon se faksi që opozita ka publikuar është i falsifikuar. Ai tha se në faksin drejtuar Ministrisë në Mbrojtjes, gjithçka mban datën 9 mars 2007, ndërsa faksi i publikuar nga opozita mban datën 13 mars 2007. “Çdo shkrim në dokumentin e përmendur është i falsifikuar dhe nuk është i ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, gjë që vërtetohet shumë thjesht nga kaligrafia e shkrimit. Shkrimi im gjendet në qindra dokumente në Ministrinë e Drejtësisë. Në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal që të përmbajë shënimin në fjalë. Përgjigjja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë dërguar me faks Ministrisë së Mbrojtjes, mban datën 9 mars dhe jo 13 mars 2007”, - tha Bumçi. Më tej, ai shtoi se si ish-ministër, për kohën që pretendohet, nuk ka pasur asnjë shkresë dërguar Shkëlzen Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›