E Diel, 1 Nëntor 2026

Importet dhe deficiti tregtar arijnë rekordin në 6 muajt e parë të vitit 2008



Ervin Koçi

Ekonomia shqiptare sa vjen dhe bëhet gjithmonë e më e varur prej tregut të huaj dhe importeve, duke rritur volumin e këtyre të fundit dhe duke thelluar deficitin tregtar. Vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti Shqipëria ka importuar nga jashtë rreth 44 milionë euro mallra të papërpunuara (lëndë të para) dhe rreth 600 milionë euro mallra të përpunuara. Rritja e madhe e volumit të importeve dhe pafuqia e ekonomisë sonë për të përballuar thellimin e deficitit ka vazhduar edhe për shkak të këtyre treguesve që tregojnë për një prodhim vendas në nivele të ulëta. Por ndryshe nga rezultatet faktike institucione të ndryshme të qeverisë si Ministria e Bujqësisë, apo edhe ajo e Financave kanë trumpetuar si arritje shtimin e prodhimit vendas gjatë sezonit veror, kryesisht të atij bujqësor. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar vendi ynë importoi rreth një miliard euro mallra të përpunuara dhe rreth 83 milionë euro mallra të papërpunuara ose lëndë të para. Fakti që vendi ynë ka raportin një me dymbëdhjetë lëndë të para dhe mallra të gatshme, tregon për dorëzim të prodhimit vendas dhe pafuqi për të konkurruar. Qeveria shqiptare është përpjekur gjatë tre viteve të fundit të ndërmarrë politika për të nxitur eksportet dhe për të rritur kësisoj prodhimin vendas, por rezultatet nuk kanë qenë domethënëse.

Eksportet

Një agjenci e nxitjes së investimeve është përpjekur të financojë marketingun e prodhimeve vendase, megjithatë fondet e pakta në dispozicion të saj dhe shumë arsye të tjera kanë bërë që eksportet të mos munden të ngushtojë aspak hendekun me importet. Deficiti tregtar vitin e kaluar ishte 2,3 miliardë euro dhe mbulimi i tij është një prej detyrave më të vështira të ekonomisë sonë. Rreth një miliard euro të emigrantëve munden të mbulojnë më pak se gjysmën e tij dhe pjesën tjetër duhet ta bëjnë eksportet, por ato munden të mbulojnë më pak se 25 për qind të deficitit. Banka e Shqipërisë thotë se në lidhje me nivelin shumë të madh të importeve vitin e kaluar kanë ndikuar çmimet shumë të larta sidomos në energji dhe në karburante. “Rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës dhe importet e larta në energji elektrike, të shoqëruara me kërkesën për mallra të ndërmjetme dhe ato kapitale, përbëjnë faktorët kryesorë në rritjen e importeve edhe gjatë vitit 2007”, - thotë Banka e Shqipërisë. Në të vërtetë, për shkak të çmimeve të rritura, importi i karburanteve dhe i naftës rezultoi 75 për qind më i lartë se në vitin 2006, në një kohë që kërkesa për karburante ishte vetëm 1,5 për qind më e lartë. Pra, kemi patur të bëjmë me rritje vetëm për shkak të çmimeve.

Deficiti tregtar

Fakti që ritmi i lartë i importit të mallrave të përpunuara vijon edhe në gjashtë muajt e parë të këtij viti dhe ruan thuajse të njëjtin raport me importet e lëndëve të para, tregon se deficiti do të thellohet më tej edhe sepse prodhimi vendas do të jetë afërsisht në këto nivele krahasuar me kontributin në ekonomi. Ndërkohë importet e mallrave të huaja në tregun vendas mbeten në shifra të larta. Sipas Bankës së Shqipërisë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, importet me gjithë rënien e konsiderueshme në raport me fundin e vitit 2007 janë rreth 17 për qind më të larta. “Si rrjedhim, deficiti tregtar është zgjeruar me rreth 17 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në përgjithësi, duhet theksuar se zhvillimet në vlerë, në aktivitetin e tregtisë së jashtme pasqyrojnë edhe efektet e çmimeve të rritura të lëndëve të para, të energjisë dhe të produkteve ushqimore”, - theksoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›