Bogdani: Rama, pinjoll i arkivave të krimeve komuniste
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka akuzuar dje kreun e opozitës, Edi Rama, se po mbron krimet kundër njerëzimit që komunizmi ka kryer në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp, Bogdani tha se Rama është pinjoll i arkivave të krimeve të komunizmit. “Partia Demokratike i deklaron këtij pinjolli të arkivave të krimeve të shëmtuara kundër njerëzimit, se kjo forcë politike, çështjen e dënimit të këtyre krimeve dhe barbarive e ka një detyrim madhor kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që buron nga Konventa e Gjenevës. Përpjekjet e z. Rama për të mbrojtur ato, i garantojnë Mr. Dosjes fundin që ai meriton në arkivat e krimeve që ai mbron”, - tha Bogdani. Ai shtoi se Rama po mbron pushkatimet, kampet e integrimit dhe torturat çnjerëzore të komunizmit. “Z. Rama është duke mbrojtur mbi 10.000 ekzekutime me gjyq dhe pa gjyq, të burrave dhe grave, të të rinjve dhe të moshuarve shqiptarë, duke mbrojtur torturimet, internimet dhe vdekjet nga uria dhe torturat në kampet e internimit të mijëra qytetarëve shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive”, - shtoi Bogdani.