E Diel, 1 Nëntor 2026

Apolonia, Karishik apelon: Nuk u luajt futboll, por karate

 

Ekipi i Apolonisë ka pësuar humbjen e dytë në transfertë, pikërisht ndaj Laçit, por ndryshe nga humbja në Shkodër, këtë të fundit fierakët e cilësojnë më shumë një humbje nga dhuna. Trajneri Esad Karishik, vazhdon të jetë i shqetësuar për atë që ekipi përjetoi në këtë takim. “Nuk u luajt futboll. Më vjen keq që federata nuk ndërhyn për të marrë masat e duhura për ato ekipe që nuk luajnë futboll, por merren me karate, stimulime e shkelma në fushën e lojës dhe për ata gjyqtarë që e tolerojnë një gjë të tillë, duke mos zbatuar rregulloren e futbollit. Ne ishim të ndërgjegjshëm që do të hasnim në një lojë të fortë të skuadrës vendëse, e cila ishte e etur për pikë, por nuk e mendonim asnjëherë se gjatë gjithë lojës do të ishim nën një trysni të pazakontë, ku kundërshtarët ndërhynin vrazhdë, në mënyrë që të merrnin fitore me çdo kusht. Pjesa e dytë, ndryshe nga e para, ishte një ankth i vërtetë dhe duhet thënë se ajo u karakterizua jo më nga një lojë e fortë e vendësve, por nga një lojë e rëndë, që unë do ta quaja një dhunë fizike ndaj lojtarëve të mi. Pra në pjesën e dytë nuk u luajt futboll, pasi pati presion të paparë, fyerje të shumta, por edhe goditje ndaj lojtarëve tanë, veprime këto që u toleruan nga gjyqtarët”, përfundoi tekniku i Apolonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›