Derbi shqiptar në Ukrainë, ndahen në paqe 7 legjionarët
Krivbas e Isli Hidi, Ervin Bulkut, Dorian Bylykbashit e Ansi Agollit ka marrë pikën e parë në kampionat ndaj Vorsklas së Debatik Currit, Armend Dallkut dhe Ahmet Januzit. Pas gjashtë humbjesh rresht Krivbas ka mundur të marrë një barazim pikërisht në trensfertën e vështirë në fushën e Vorsklas. Nga fillimi i lojës për të dyja skuadrat luajtën për Vorsklan Debatik Curri dhe Armend Dallku ndërsa për Krivbasin, Isli Hidi, Dorian Bylykbashi dhe Ervin Bulku. Ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan për gati 15 minuta si Ansi Agolli për “miqtë” dhe Ahmet Januzi për vendasit. Për t’u theksuar ka qenë fakti se ky i fundit ka pasur dy raste të bukura në fund të takimit, por që nuk u shfrytëzuan ashtu si duhet nga sulmuesi i kombëtares Shpresa të Shqipërisë. Ndërkohë që një lojë të mirë ka bërë edhe Isli Hidi e Ervin Bulku. Ish-gardiani i Tiranës ka shpëtuar në disa raste portën e Krivbas nga sulmet e sulmuesve vendas. Ndërsa Bulku ka qenë ndër më të mirët në fushë për të dyja skuadrat. Pozitive edhe loja e Debatik Currit, i cili te Vorskla luan përgjithësisht në linjën e mesfushës. Pas shtatë javësh kampionat Vorskla ka 7 pikë (1 fitore, 4 barazime, 2 humbje) dhe renditet në vendin e 12. Ndërsa Krivbas mban vendin e fundit në tabelë me 1 pikë (0 fitore, 1 barazim he 6 humbje).