Dinamo e Muçës ende larg kampiones të 2007-2008
Blutë e Muçës, edhe pas javës së katërt të kampionatit, kanë mbetur përsëri në krye. Kanë dhjetë pikë, ndërsa kanë shënuar shtatë gola dhe kanë pësuar 1. Por shifrat ende nuk mund t’i afrojnë blutë aktualë me dinamovitët e para dy vjetëve, të cilët, të drejtuar nga Agim Canaj, në katër javë ishin absolutë. Jo vetëm se kishin bërë katër fitore, porse kishin shënuar dhjetë gola dhe nuk kishin pësuar asnjë. Si për ironi, asokohe në javën e dytë të kampionatit, Dinamo pat fituar 1-0 me Vllazninë me një gol të Diobit. Pa thënë që 4-0 ishin dy rezultate të përsëritura me Besëlidhjen dhe Kastriotin në “Selman Stërmasi” dhe një tjetër fitore në transfertë, 1-0 me Teutën në “Niko Dovana”. E vetmia pikë që i bashkon këto dy skuadra është portieri Elvis Kotorri; para dy vjetësh me një minutazh të plotë prej 360 minutash nuk pësonte gol, ndërsa tani është te 274 minuta që mbetet i pathyeshëm. Gjithsesi, nëse shumë specialistë e vlerësojnë këtë Dinamo si më të kompletuar dhe më të mirën se ajo që ishte dy vjet më parë, në shifra e në letra skuadra aktuale ende nuk po afrohet te kampionët. Një barazim në Shkodër nuk është kiamet për një kryesuese, edhe se blutë e kanë pranuar këtë rezultat, por një fitore ndaj Vllaznisë do ishte momenti më i mirë për t’u shkëputur.