E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Strehimi, sipas premtimit të PD-së



Mazhoranca qeverisëse po zgjidh problemin e strehimit në përputhje me premtimet dhe programin qeverisës, me parimin e saj të shërbimit dhe shërbesës. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, iu referua dje deklaratave të drejtuesit të lëvizjes G99, Veliaj, lidhur me problemin e strehimit gjatë një vizite që ai zhvilloi së fundi në qarkun e Elbasanit. Zëdhënësi Bogdani vuri në dukje: “Nënkryetari de fakto i Partisë Socialiste, njeriu që me paratë e vjedhura nga organizata ‘Mjaft’, ndërtoi vilën e tij, shfrytëzon pa humanizëm qytetarët që me të vërtetë janë në hall serioz për banim, që qeveria socialiste i la për 8 vjet në mëshirë të fatit”. Ai vuri në dukje se vetëm për këtë vit qeveria e djathtë po akordon kredi për 6000 apartamente për të pastrehët, ndërkohë që disa qindra apartamente sociale janë ndërtuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga Korça deri në Shkodër. Bogdani nënvizoi gjatë deklaratës së tij se vetëm në Tiranë nuk janë ndërtuar apartamente për të pastrehët. “Ky dështim vjen për një fakt të thjeshtë, pasi nga banesat sociale kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk mund të marrë 15% e tij të famshëm. Banesat për të pastrehët nuk e pasurojnë atë siç ndodh me pallatet”, - tha Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›