E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat e zgjedhësve, qeveria, ankesa ndaj vendorëve



Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ankohet se 52 njësi të qeverisjes vendore në shkallë vendi ende nuk kanë dorëzuar CD-të me listat e përditësuara me qendrat e votimit. Në një njoftim për shtyp kjo deklaratë bëri dje të ditur se "udhëzimi nr. 67 datë 06.02.2009, ku përcaktohen të gjithë hapat që duhen ndjekur për përgatitjen e listës paraprake të zgjedhësve, parashikonte datën 24.02.2009 si datën e fundit të dorëzimit të CD-ve me listat e përditësuara me qendrat e votimit në DPGJC, në mënyrë që të bëhet hedhja e tyre në sistem për të bërë të mundur printimin nga njësitë vendore të listave paraprake në afatin ligjor me burim Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile". Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, në listat e shpërndara prej saj, 97% e punës që duhet të bëhej nga kryetarët e njësive vendore, ishte kryer dhe vetëm për 88.000 zgjedhës nga 3.133.000 duheshin vendosur qendrat e votimit. “Deri në këtë moment, pra dy ditë pasi ka kaluar afati, 52 njësi vendore nuk kanë dorëzuar akoma CD-të me listat në DPGJC, duke u bërë kështu pengesë për realizimin e detyrimeve ligjore që kemi dhe duke penguar procesin e përgatitjes së listave paraprake”, - thuhet në njoftimin e DPGJC-së. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka detyrimin që deri më 27.02.2009 të reflektojë të gjitha ndryshimet e qendrave të votimit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, ndaj për të bërë të mundur këtë ajo u bën thirrje të gjithë të zgjedhurve vendorë që nuk kanë sjellë listat, t’i sjellin ato sa më shpejt për të bërë të mundur vazhdimin normal të punës dhe realizimin e afateve të vendosura nga Kodi Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›