“Fillimi i marsit, dëmshpërblehen ish-të përndjekurit”
Kryetarja e Parlamentit lajmëroi dje se brenda pak ditësh, qeveria do t’i nisë procesin e shpërndarjes së dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë të diktaturës komuniste. Tashmë me amendimin e ri të ligjit, të drejtën e dëmshpërblimit e përfitojnë dhe të pushkatuarit pa gjyq si dhe familjarët e të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë. Nga qyteti i Shkodrës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, garantoi kategorinë e ish-të përndjekurve politikë se në fillim të marsit do të jetë gati fondi i përcaktuar për ta. Ajo vuri në dukje se është një detyrim që PD-ja ua ka pasur ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë, ndaj dhe ky premtim do të gjejë zbatim. Topalli bëri të ditur se paralelisht në Komisionin parlamentar të Ligjeve, mazhoranca do të kalojë dhe një amendim të ligjit aktual, duke u dhënë të drejtën e dëmshpërblimit edhe të pushkatuarve pa gjyq si dhe familjarëve të të dënuarve, që nuk kanë lënë pasardhës, si klerikët apo të dënuar të tjerë”. Duke vizituar ekspozitën në përkujtim të gjenocidit komunist ndaj klerikëve dhe objekteve të kultit, kryetarja Topalli u shpreh: “Ne duhet të shohim nga e ardhmja për të mos harruar kurrë çfarë ka ndodhur”. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje: "Kjo ekspozitë është një tjetër dëshmi rrëqethëse për periudhën 50-vjeçare të diktaturës”. “Kjo, jo vetëm është periudhë e ndaljes së kohës për Shqipërinë e shqiptarët, por është një ndër periudhat që ka krijuar dhimbje të jashtëzakonshme, që ka frenuar çdo gjë që ka ekzistuar në jetën e njeriut, lirisë së tij, që ka ndaluar me ligj Zotin dhe çdo gjë tjetër që nuk mund të imagjinohet”, - u shpreh kryetarja Topalli. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, mbi 25 klerikë katolikë nga rrethi i Shkodrës u ekzekutuan, ndërsa dhjetëra të tjerë u dënuan me shumë vite burg, internime e kampe pune.