E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH shkakton debate në Kuvend

27/02/2009  PD-ja rendit arritjet e Qeverisë, PS-ja premton Qeveri të re

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka përfshirë në debate politike mazhorancën dhe opozitën mbi arritjet dhe dështimet e Qeverisë shqiptare. Duke e lexuar atë në kontekste të ndryshme, ndërsa deputetët e mazhorancës kanë përmendur listën e gjatë të sukseseve që Qeveria “Berisha” ka arritur në këto 4 vjet, opozita ka theksuar nevojën për ndryshmin e modelit qeverisës. Në emër të Partisë Demokratike u prononcua deputeti Aldo Bumçi, i cili tha se, raporti i DASH-it nuk ka pasqyruar ndryshimet që kanë ndodhur në 2008-n, por i referohet raportit të Këshillit të Evropës në 2007-n. Në vijim, ai përmendi disa nga arritjet e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit. “Siç vë në dukje dhe DASH-i, duke cituar Transparency Internacional, Shqipëria nuk i arriti këto rezultate për shkak të reformave në letër, por për shkak të luftës kundër korrupsionit, hetimit dhe ndëshkimit të një numri zyrtarësh të lartë, gjë që ka qenë e paimagjinueshme gjatë qeverisjes socialiste”, - u shpreh Bumçi. Ai ka përdorur krahasimin e qeverisjeve me periudhën kur socialistët ishin në pushtet, duke nënvizuar se Qeveria aktuale është e vetmja qeveri që ka luftuar më fort këto dy fenomene. “Nuk ka qeverisje që t’i ketë hequr vetes mbrojtjen e imunitetit dhe të dalë në dritën e diellit, si ka dalë kjo qeveri para shqiptarëve dhe këto janë të vërtetat që na ndajnë ne”, - tha ai duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. Nga ana tjetër menjëherë në reagim të këtyre deklarimeve, në selinë rozë kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se shqetësimet e DASH-it tregojnë nevojën për një ndryshim të modelit qeverisës. “Korrupsioni mbetet një pengesë e madhe për ndërmarrjen e reformave dhe një problem serioz’; shkruan Departamenti i Shtetit duke prekur korrupsionin në polici, në arsim ku ne do të bëjmë me qeverinë tonë të re reforma rrënjësore, që do të luftojnë korrupsionin dhe rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit policor apo të krejt sistemit arsimor. ‘Kthimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist vazhdon të mbetet një problem serioz’; shkruan Departamenti i Shtetit që nënvizon se qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për ish-pronarët gjatë vitit të shkuar”, - tha Rama. Pasi përmendi të gjithë sektorët që përfshiheshin në raport, kreu i të majtëve u angazhua se me vullnet do ndryshojë rrënjësisht realitetin e qytetarëve shqiptarë. “Angazhohemi që të trajtojmë me ide të reja e me vullnet të ri çështjet e dhunës, të sigurisë në punë, duke e kthyer mandatin që do të marrim në 28 qershor në fuqinë e ndryshimit kundër varfërisë e korrupsionit që ka shkaktuar shumë humbje jetësh njerëzore, nga Gërdeci në Bulqizë, e me radhë në raste të tjera, që tregojnë sesa urgjente është nevoja për një model të ri qeverisjeje”, - përfundoi ai.

Selia Blu

Demokratët ia faturojnë opozitës kritikat

Deputetët e Partisë Demokratike ia kanë faturuar kritikat e raportit të DASH-it opozitës. “Është e vërtetë që në raport thuhet se media është e ndikuar politikisht, por e ka fjalën për kreun e PS-së, i cili kontrollon mediet përmes mesazheve”, - tha deputeti i PD-së Ferdinad Xhaferri. Pjesë nga raporti për të kundërshtuar kolegët e tij opozitarë ka përdorur edhe deputeti tjetër i PD-së Edi Paloka. “Përderisa në një raport flitet për progres në kuptimin më të thjeshtë çdo njeri e kupton që ne jemi më përpara se sa kemi qenë”, - tha ai.

Ilir Meta

“DASH-i shuplakë Berishës dhe keqqeverisjes”

Shuplakë të fortë për Sali Berishën dhe keqqeverisjen e tij, e ka cilësuar kryetari i LSI-së Ilir Meta, raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për Shqipërinë. Problemet e trajtuara në raport edhe sipas Metës janë denoncuar nga partia e që ai kryeson dhe përfaqësuesit e saj politik. “Kjo panoramë që sjell edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk mund të shërbejë as si një moment reflektimi për Berishën, sepse ai tashmë e ka ezauruar shansin e tij për të ndryshuar”, - tha Meta.

Diana Çuli

“Ky është raporti më kritik i 18 viteve”

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PSD, Diana Çuli, përmes një deklarate për shtyp vlerësoi dhe mbështeti raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. “Ky është raporti më kritik i 18 viteve të fundit i hartuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj një qeverie shqiptare. Na shqetëson, sepse Qeveria, përveç konfliktualitetit të brendshëm, e fut vendin edhe në konflikt me partnerët tanë kryesorë dhe na mbyll dyert e integrimit evropian”, - deklaroi Çuli në emër të PSD-së.

Marko Bello

“U konfirmuan shqetësimet e PS-së për Qeverinë”

Deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello, ka deklaruar dje në Kuvend se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka konfirmuar të gjitha shqetësimet e PS-së ndaj mënyrës qeverisëse të Qeverisë aktuale. “DASH-i ka bërë të ditur se ligji i lustracionit prek anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe si rezultat shkakton konflikt mes Qeverisë dhe sistemit gjyqësor. Ndër të tjera theksohet edhe ndërhyrja e Qeverisë në Prokurori dhe në sistemin gjyqësor duke ndikuar në pavarësinë e tyre”, - tha Bello.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›