E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Zbori i vlen shumë trajnerit De Biazi

Nga ANDI MATRAXHIU

Sipas sulmuesit veteran Erjon Bogdani, trajneri italian Xhani de Biazi do të ketë mundësinë e parë të njihet me futbollistët shqiptarë gjatë zborit më 21 janar

Erjon Bogdani edhe pse i lodhur nga ndeshja e fundit në Kupën e Italisë, ditën e enjte përballë Napolit, ku napoletanët kanë fituar 2-1, mes polemikave dhe janë kualifikuar,  nuk ka përtuar të rrëfehet për Sportin shqiptar. Sipas 34-vjeçarit kuqezi, ai ende nuk ka vendosur asgjë për të ardhmen. Ofertat janë të shumta, si nga Seria A, por edhe nga një kategori më poshtë, por Bogu sdëshiron të nxitohet, fundja mund të mbetet në rradhët e Çezenës.

Ndër të tjera, futbollisti i romanjolëve, komenton edhe zborin e datës 21 janar, pasi sipas tij ky grumbullim me lojtarët e kategorisë superiore, do të ndihmojë shumë jo vetëm lojtarët, që kërkojnë të bëhen efikasë për kombëtaren, por edhe trajnerin Xhani De Biazi, për të nisur ndërtimin e raporteve me skuadrën.

Dëmtimi i Lorik Canës në ndeshjen ndaj Sienës, mund të krijojë një hapësirë në mesfushën kuqezi për ndeshjen miqësore me Gjeorgjinë. Ndërkohë që Bogdani i ka uruar rikthim të shpejtë mikut të tij. Shiriti i kapitenit është simbolik për bomberin kuqezi, por jo një arritje e domosdoshme.

Napoli

Ishte një ndeshje e fortë. Kupa në fakt nuk ka qenë asnjëherë objektivi ynë, sepse kishim rreth 4-5 lojtarë nga të rinjtë e Çezenës, ndërkohë që Napoli luante me formacion të plotë. Na erdhi pak keq për mënyrën se si u eliminuam, protestuam tek anësori, sepse edhe faulli nga i cili erdhi goli i dytë, nuk ishte i tillë. Mbase për mënyrën se si rrodhën ngjarjet, nuk ishte rruga e duhur për eliminim. Gjithsesi, edhe pse u mërzitën, më pas gjithçka shkoi me qetësi, pasi e pranuam rezultatin e sfidës, i drejtë apo jo.

Ofertat

Është e vërtetë që orët e fundit qarkullon lajmi për një shkëmbim me Eduard Ofere, por këtë e thotë apo dëshiron Leçe, jo unë. Personalisht kam një kontratë që zgjat ende edhe 6 muaj me Çezenën. Do të vlerësoj me kujdes të gjitha ofertat që do të mbërrijnë në drejtimin tim, më pas do të vendos. Fundja mund të mbetem edhe në rradhët e skuadrës aktuale edhe për pjesën e mbetur të sezonit.

Zbori

Ky grumbullim do ti vlejë edhe futbollistëve të kampionatit tonë që kërkojnë të jenë pjesë efikase e kombëtares, por edhe trajnerit De Biazi. Ai do të ketë mundësi të njohë nga afër kampionatin tonë, mentalitetin e futbollistëve, cilësitë dhe kulturën e përgjitshme, pasi është hera e parë që do të punojë në terren pas marrjes së drejtimit të kombëtares sonë. Me eksperiencën time në kombëtare, mendoj se De Biazit do ti vlejë shumë ky zbor. Më pas edhe ndeshja miqësore me Gjeorgjinë.

Cana

Më vjen keq për dëmtimin e Lorikut përpara miqësores ndaj Gjeorgjisë. Kam shkëmbyer sms me të 4 ditë më parë duke i uruar rikthim të shpejtë. Ndërkohë që mungesa e tij në miqësore normal që do të ndikojë, sepse flasim për një lojtar lider, që deri tani ka dhënë shumë për kombëtaren tonë. Por nuk mendoj se është shumë e rëndë.

Normalisht që trajneri do të ketë grupin më të mirë, do të jetë edhe ndeshja e parë për të. Por ky takim miqësor nuk vlen shumë për Lorik Canën, sepse të gjithë i dimë vlerat e tij. Futbollistët e tjerë, të rinjë në moshë apo në kombëtare, duhet të vlerësojnë në maksimum mundësit që do ti jipen.

Kapiteni

Nuk e di a do të jem unë kapiteni apo jo, në mungësë të Canës, por kjo gjë pak rëndësi ka. Kur të grumbullohemi përpara ndeshjes me Gjeorgjinë, do ta diskutojmë në grup këtë gjë, pasi edhe më parë, kur kapitenë kanë qenë lojtarë të nderuar si Lala dhe Skela, gjithnjë fryma pozitive e grupit ka vendosur për gjithçka. Shiriti është diçka simbolike që do ta pranoja me kënaqësi, por asnjëherë skam bërë polemika për këtë aspekt. Shpresoj të bëjmë një punë të mirë duke zhvilluar një ndeshje pozitive përballë Gjeorgjisë.


Dallku

Nën udhëheqjen e një kërcimtareje profesioniste të dansit sportiv, Armen Dallku  po tregon të gjitha vlerat dhe pasionin që zotëron mbrojtësi i fuqishëm kosovar i kombëtares. Me sa duket veç lojës agresive dhe luftarake të mbrojtësit të djathtë, Vorskla Poltava dëshiron të bëjë të zhdërvjellët lojtarët e saj.
Lala, e ardhmja vetëm në Hanover

Ish-kapiteni i Shiqipërisë, Altin Lala, duke folur për mediat gjermane, është ndalur tek e ardhmja e tij, pasi të varë këpucët në gozhdë. Mesfushori luftarak e shpreh qartë se dëshiron të jetë gjithnjë pjesë e Hanoverit. Në futboll vjen një moment kur gjithçkaje i vjen fundi, pasi fusha stërvitore nuk është piknik për ne, por kërkon punë, shumë punë. Unë kam disa plane, por do të doja që të mbetesha besnik i futbollit.

Gjithashtu dua të jem gjithnjë pranë Hanoverit, nuk ka rëndësi si do të gjendem në stadium, si një tifoz apo si punonjës, unë këtë nuk e di ende me saktësi. Por po ju them atë që dëshiroj. Shumë shpejt do të kem edhe një bisedë me klubin, nëse ata duan të bëjnë diçka për të më punësuar tek Hanoveri.

Gjithsesi, për momentin unë jam shumë i përqendruar në fushën e blertë, më pas do të presim dhe do të mësoni të ardhmen time,- tha mesfushori shqiptar, Altin Lala, tashmë i kthyer në një legjendë në skuadrën gjermane të Hanoverit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›